Udhëheqës dhe politikanë botërorë shprehën të mërkurën tronditje ndaj protestuesve të dhunshëm që hynë në ndërtesën e Kongresit amerikan dhe ndaj përpjekjeve për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, të cilat i dhanë fitoren sfiduesit demokrat Joe Biden.
Ja disa nga reagimet:
MBRETËRIA E BASHKUAR
Kryeministri britanik Boris Johnson në një koment në Twitter i quajti skenat në Kongresin amerikan një “turp”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në mbrojtje të demokracisë në të gjithë botën dhe se është me rëndësi “jetike” që të ketë një transferim të rregullt dhe paqësor të pushtetit.
GJERMANI
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se armiqtë e demokracisë do të gëzohen nga skenat e dhunës në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Ai i bëri thirrje zotit Trump të pranojë verdiktin e votuesve amerikanë.
Në një Tweet postuar pasi protestuesit sulmuan selinë e legjislaturës amerikane, ministri Maas tha se dhuna ishte shkaktuar nga retorika nxitëse. “Trump dhe mbështetësit e tij duhet të pranojnë më në fund verdiktin e votuesve amerikanë dhe të ndalin përpjekjet për të shkelur demokracinë.”
FRANCË
Ministri i jashtëm francez Le Drian: “Dhuna që po ndërmerret kundër institucioneve amerikane përfaqëson një sulm të rëndë ndaj demokracisë”.
NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i quajti protestat e dhunshme në Uashington “skena tronditëse” dhe tha se rezultati i zgjedhjeve demokratike të SHBA duhet të respektohet.
SPANJË
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkroi në Twitter: “Po ndjek me shqetësim lajmet që vijnë nga Kapitoli në Uashington. Unë besoj në forcën e demokracisë së Amerikës.
“Presidenca e re e @JoeBiden-it do ta kapërcejë këtë kohë tensioni, duke bashkuar popullin amerikan.”
PARLAMENTI EVROPIAN
Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli, “Skena thellësisht shqetësuese nga Capitol i SHBA-së. Votat demokratike duhet të respektohen. Ne jemi të sigurt se SHBA-ja do të sigurojë që rregullat e demokracisë të mbrohen”.