Sot më 17 janar shënohet përvjetori i 553 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Skënderbeu ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të pushtonte tokat shqiptare dhe depërtimin e tyre në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët e vendlindjen nga sundimi i huaj.
Ai mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.
Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.
Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar.
Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve.
Ai ishte Kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.
/MALESIA.ORG/