AAK paralajmëron referendum në 2025-të për bashkim me Shqipërinë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social facebook, iu është drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë, që nëse dëshirojnë ta shmangin referendumin Serbia duhet ta njeh Kosovën shtet të pavarur.
Postimi i plotë i Ramush Haradinaj: 

Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandar Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.
Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!