Biden bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara

Demokrati Joe Biden, i cili ka punuar në Uashington që prej gjysëm shekulli, u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në një ceremoni tradicionale në shkallët e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Biden, në moshën 78-vjeçare, bëhet kështu udhëheqësi më i vjetër i vendit, pasi shërbeu për 36 vite si senator dhe tetë vite si nënpresident. Ai bëri betimin, duke u zotuar të zbatojë Kushtetutën dhe të mbrojë vendin ndaj të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm, në një ditë të ftohtë me erëra të forta dimërore.

Pak përpara tij, Kamala Harris, ish-senatore nga shteti i Kalifornisë, shteti amerikan me popullsinë më të madhe, u betua në detyrën e nënpresidentes, duke u bërë kështu gruaja me postin më të lartë ndonjëherë në historinë mbi dy-shekullore të Shteteve të Bashkuara. Ajo është me origjinë afrikano-amerikane dhe indiane.

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden tha se “vullneti i popullit është dëgjuar dhe vullneti i popullit është marrë parasysh. Mësuam sërish se demokracia është e shtrenjtë dhe se demokracia është delikate. Në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar”.

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, rigjallërimi dhe vendosmërie”, shtoi ai. Presidenti Biden gjithashtu theksoi se “bashkimi është rrugëtimi në vazhdim”.

Ceremonitë e betimit u ndoqën nga tre ish-presidentë – Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton – por, kreu në largim i ekzekutivit, tashmë ish-Presidenti Donald Trump, nuk ndoqi 152 vite tradite ku presidentët marrin pjesë në ceremonitë e betimit të pasardhësve të tyre dhe u largua nga Uashingtoni më herët, drejt rezidencës së tij në bregdetin e Floridas.