Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë.
Në këtë letër urimi Biden ndër të tjera kërkon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi që për qëllim ka njohjen reciproke, njofton Klan Kosova.
Në letrën e tij presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë.
“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, ka shkruar Biden në letrën e tij.