Nga Gjekë Gjonaj
Komuna e Tuzit në përgjithësi është një rajon i pasur me burime natyrore mbitokësore e nëntokësore dhe me potenciale njerëzore. Rrjedhimisht këto pasuri do të duhej të ishin të mjaftueshme për të siguruar punësim dhe mirëqenie për banorët e Malësisë. Mirëpo, kjo krahinë , falë situatës së kaluar politike dhe ekonomike nëpër të cilën ka kaluar Mali i Zi, në kohën e komunizmit dhe të pluralizmit politik, fatkeqësisht ka mbetur një nga rajonet e varfra në vend. Qeveritë e mëparshme e kanë lënë Malësinë jashtë skemës së investimeve të duhura publike. Kjo trevë shqiptare ka numrin më të madh të të larguarve jashtë shtetit për shkak të rrethanave politike të kohës së shkuar, varfërisë dhe humbjes së shpresës se ky vend mund të ketë një të ardhme më të mirë. Mundësia e vetme për të ndryshuar këtë situatë janë investimet pa të cilat nuk ka zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale.
Komuna e Tuzit ka nevojë për investime në fusha të ndryshme nga buxheti i saj, por edhe nga mërgimtarët tanë që jetojnë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, Australi apo vende të ndryshme të Evropës. Këtë e ka thënë edhe administrata e re e komunës, e cila është shprehur e gatshme dhe e përgatitur që të jetë në shërbimin e mërgimtarëve shqiptarë të cilët dëshirojnë që një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë në vendlindje. Dëshira e të gjithë banorëve të Malësisë është të investoni në vendlindje. Këtu është jeta. Këtu janë prindërit tuaj. Vëllezërit e motrat. Kushërinjtë e farefisi juaj. Njerëzit tuaj.
Keni dy vendlindje, prandaj është obligim i dyfishtë për ju, sepse ju takon të investoni në vendin ku jetoni, por edhe në Malësi prej nga keni origjinën. Ashtu siç mbani kontaktet e vazhdueshme me pjesëtarët e familjeve tuaja në vendlindje dhe i ndihmoni ata vazhdimisht në çdo nevojë që kanë, kontribuoni me sa keni mundësi për zhvillimin dhe prosperitetin e këtyre zonave me ide e financime sado simbolike që mund të jenë. Në këtë mënyrë ia rrisni vlerat vetes dhe vendlindjes suaj të dashur dhe do ta fuqizoni atë ekonomikisht. Me hapjen e bizneseve të vogla apo të mëdha do të hapen edhe vende të reja të punës. Rinia jonë e shkolluar nuk do të jetë e detyruar të largohet nga vendi i vet e të kërkojë punësim në shtete të huaja. Malësinë duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku dhe të përmirësojmë jetesën e banorëve të saj. E, mos të lejojmë që fshatrat tona të vazhdojnë të zbrazen, shtëpitë e kullat shekullore të shemben.
Kur malësorët , në vitet ’70 të shekullit të kaluar, morën rrugën e mërgimit si shpresë të vetme kishin se si të gjejnë një vend pune për t’ju dërguar para familjeve të tyre. ndërsa sot ata janë shpresa e banorëve ( qytetarëve) të Malësisë sepse me kapitalin e tyre të krijuar vite me radhë nëse do të investojnë në vendlindje dukshëm do të përmirësojnë gjendjen e pa lakmueshme, për të mos thënë të rëndë ekonomike, të bashkëvendësve të tyre.
Investimet mund të bëhen vetëm nëse ruajmë edhe dashurinë ndaj natyrës dhe mjedisit, duke mos lejuar që pa ndonjë nevojë të madhe të shesim tokën e të parëve tanë. Kur isha i ri i dëgjoja burrat e vjetër të mençur të Trieshit të thonin : “ ma mirë ashtë nji grusht dhe se njigrusht pare”, … “ mos e shitni tokën për biskota se nuk do ta bleni me ar”.,, “ kush tokën e shet nuk e mbron”… “ mos e shit nëse ke mend, por blejë”. Tani, duam të besojmë se shumica prej nesh e kemi kuptuar domethënien e këtyre fjalëve. Andaj, malësorë mos shisni, por blini tokë dhe investoni në Malësi, mbase është gjest patriotik. Mos bëni gabimin e pakthyeshëm e të hidhur të malësorëve në Shtoj të Ulqinit, ku në tokat e tyre janë ndërtuar më se 4.000 shtëpi e objekte afariste nga njerëz të nacionaliteteve të ndryshme, të cilët sot kanë ndryshuar strukturën demografike të këtij vendbanimi shqiptarësh-malësorë. Kjo e keqe kolektive e popullit tonë, nëse nuk jemi të vëmendshëm, mund të ndodhë edhe në Malësi, në një të ardhme jo fort të largët.
Duhet të mësojmë veten dhe bijtë tanë që tokat në Malësi nuk mund t’i blejë kushdo. Ato janë të shenjta për ne. Mos të harrojmë kurrë se toka në Malësi ruan hirin e paraardhësve tanë. Ajo është e pasur me jetët e popullit të vet. Ajo është nëna jonë. Ajo ka pirë gjakun e paraardhësve tanë. Ajo ruan kripën e lotëve të tyre. Çdo gjë që do t’i ndodhë tokës , do t’u ndodhë edhe bijve të saj. Duajini këtë tokë ashtu si i porsalinduri ido rrahjet e zemrës së nënës.