Zhvillimet në Tuz, Abazoviq: Masat nuk kanë pasë prapavijë politike, s’kanë qenë në kundërshtim me asnjë kombësi

Tuzi është e vetmja komunë nga “zona e gjelbër” me masa të “zonës së kuqe”

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë që ka pasë disa takime me kryetarin e Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj me të cilin kanë bërë marrëveshje lidhur me masat e reja anticovid që mbyllën bizneset e gastronomisë.

“Sot për fat të mirë nuk ka ndodhur asgjë dhe çdo gjë ishte në rregull. Dje e kemi pasë një situatë e cila nuk ishte e favorshme për askë, as për Qeverinë dhe as për qytetarët e Tuzit në përgjithësi. Sa i takon masave që i ka marrë Qeveria, ato nuk kanë qenë në kundërshtim me asnjë kombësi, nuk ka pasë asnjë prapavijë politike”, tha Abazoviq.

Ndërkaq, Komuna e Tuzit edhe pse gjindet në “zonën e gjelbër”, që nënkupton se është ndër komunat me numër të ultë të rasteve me Covid-19, është e vetmja komunë nga kjo zonë të cilës i imponohen këto masa, gjë e cila ka irituar udhëheqësinë e komunës dhe qytetarët.

“Kemi biseduar dhe jemi takuar me kryetarin Nik Gjeloshaj disa herë. Pas disa takimeve që i kam pasë në disa qytete të tjera, kemi ardhë në një marrëveshje që nuk do të punojnë lokalet këto tri ditë. Gjatë vikendit, do të bëhet një analizë e situatës dhe do të merren masa të reja. Besoj që do të jenë më liberale. Ajo është punë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe çdo gjë tjetër jashtë asaj është një mosrespektim i ligjit. Nuk mundemi për çdo gjë të themi që ka qenë në kundërshtim me të drejtat e shqiptarëve. Ligji është i barabartë për të gjithë”, tha Abazoviq.

Ai theksoi që kryetari i Tuzit nuk mund të japë një shembull të keq për kryetarët e komunave të tjera duke i thënë qytetarëve që mund t’i hapin bizneset.

/MALESIA.ORG/