NJOFTIM PËR SHTYP
Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit
Ulqin, 3 Mars 2021
Projekti “Rrugët e Zhvillimit të Karrierës: Përgatitja e të Rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për Mundësitë e Zhvillimit të Karrierës në Sektorin e Turizmit”, i cili synon t’u mësojë të rinjve nga Ulqini dhe Shkodra aftësi të reja, t’i përgatisë ata për tregun e punës dhe të ndikojë në rritjen ekonomike dhe uljen e problemeve sociale në komunitetet e tyre, filloi nga realizimi më 1 Dhjetor 2020.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit ndërkufitar IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga WorldVision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri, si dhe shkollat e mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç në Mal të Zi kanë një shkallë papunësie prej 27.5%, ndërsa në Shqipëri kjo shkallë është 29.9%.
Të rinjtë e ditëve të sotme përballen me problematika të shumta, mes të cilave punësimi dhe përgatitja për tregun e punës për të rinjtë në rajonin ndërkufitar mbetet një nga çështjet që duhet të adresohen nga hallkat përgjegjëse të shoqërisë. Rritja e kapacitetit ekonomik dhe mundësive për këtë grup të synuar do të zgjerojë mundësitë e këtyre të rinjve për të qenë konkurrues në tregun lokal dhe rajonal të punës.
“Jam shumë e lumtur që këtë herë më sjell në Ulqin një projekt dedikuar të rinjve, zgjerimit të njohurive, rritjes së kapaciteteve, përgatitjes për tregun e punës dhe mbi të gjitha krijimit të mundësive për të ecur përpara në një fushë shumë premtuese, jo vetëm për zhvillimin e të rinjve, krijimin e mundësive për punë, por njëkohësisht edhe për zhvillimin socio-ekonomik të dy vendeve fqinje si Shqipëria dhe Mali i Zi” – u shpreh në aktivitetin inaugurues znj. Artina Morava, drejtoreshë operacionale e World Vision Albania.
Qëllimi i këtij projekti është t’u sigurojë të rinjve në zonën kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi qasje në shërbime, tregje dhe informacion dhe të përfshihen në të mësuar dhe zhvillim të vazhdueshëm.
Për rëndësinë e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian në Mal të Zi foli znj. Irena Boshkoviq shefe e Departamentit për Programet me Vendet Joanëtare të BE-së në Zyrën për IntegriminEvropian e Malit të Zi. Ndërsa për rëndësinë e projekteve të tilla në edukimin e rinjve, zhvillimin e komunitetit lokal dhe rajonit ndërkufitar në përgjithësi, folën drejtuesit e institucioneve lokale dhe përfaqësuesit e autoriteteve qendrore që morën pjesë në takim.
Gjimnazistja nga Ulqini, Arisa, theksoi nevojën e thellimit të njohurive, kërkimin për punë si dhe praktika në sferën e turizmit të cilat ndihmojnë që ata nesër të bëhen promotorë të ideve të reja në tregun e punës, si në nivelin lokal ashtu edhe në tregun rajonal.
“Në kushtet kur shumica e nxënësve kanë mundësi të ulëta ekonomike, financimi i ideve shpesh duket i pamundur dhe këtë projekt e shoh si mundësi shumë të mirë për të mundësuar si te shprehim idetë tona dhe si t’i sjellim në jetë ato” – tha Uesli nga Shkodra në videon e prezantuar gjatë takimit.
Nga OJQ Horizonti i Ri theksuan se fillimi i këtij projekti shënon një sukses të rëndësishëm të angazhimit të përgjithshëm të tyre në edukimin dhe fuqizimin e të rinjve në komunitetin lokal dhe më gjerë.
Was Gjatë kohës së implementimit (22 muaj), 100 të rinj nga Ulqini dhe Shkodra do të mësojnë të bëjnë punë kërkimore, do të eksplorojnë ide të reja biznesi të cilat janë në përputhje me kërkesat e tregut. Për më tepër do të trajnohen për shkrime projektesh dhe si rrjedhojë 10 projekt-idetë më të mira do të mbështeten financiarisht.