Nimanbegu: Tensioni politik në Mal të Zi ndikon realizimin e kërkesave të shqiptarëve
Realizimi i disa të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi nuk ecur paralel me zhvillimin ekonomik të pjesëve të vendit ku ata jetojnë.
Kështu u shpreh deputeti shqiptar i Malit të Zi, Genci Nimanbegu në emisionin “Me Pak Fjalë” ku u shpjegua konteksti i popullsisë shqiptare në Mal të Zi.
Shqiptarët në Malin e Zi kanë fituar disa të drejta, njohja e gjuhës si gjuhë zyrtare, arsimimi në shqip, ekspozimi i simboleve kombëtare dhe marrja e statusit të krahinës mëvete të Tuzit, duke e bërë atë krahinën e dytë në vend me shumicë shqiptare pas asaj të Ulqinit.
Megjithatë, tashmë kërkesat e popullsisë shqiptare sipas Nimanbegut janë për “barazi ekonomike, barazi kombëtare, për zhvillim infrastukturor dhe që rinia të ketë perspektivë që të mos shkojë jashtë vendit”.
Por sfidave në realizimin e këtyre kërkesave i është shtuar tashme dhe ndryshimi i shumicës qeverisëse në Mal të Zi.
Prej vitit 2020, vendi qeveriset nga një koalicion partish pro-serbe.
“Zgjedhjet e 2020 kanë qenë shumë të tensionuar prej ndarjes mes serbëve dhe malazezëve. Këto janë ndarje që nuk i kemi nxitur ne ndikojnë në nivelin e relizimit të kërkesave tona politike.”, tha deputeti.
Nimanbegu shpjegoi se tashmë Serbia po shfrytëzon zgjedhjet lokale në një komunë për të rritur ndikimin e saj në Mal të Zi tani që kemi një qeverisje pro-serbe.
“Tani jemi pranë zgjedhjeve lokale në komunën e dytë më të madhe të Malit të Zi, komuna e Nikshiqit dhe aty fushata politike është aq e rreptë sa që mund të jetë rrezik për të ardhmen ndërmjet vetë subjekteve politike, por po teston edhe shtetin. Stacione televizive nga Serbia kanë emisione që quhen ‘Lufta për Nikshiq’.”, deklaroi deputeti.
Gjithësesi, Nimanbegu u shpreh optimist në lidhje me marrëdheniet e shqiptarëve të Malit të Zi me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Kemi projekte të ndryshme si përshembull ura mbi Bunë për të rritur komunikimin. Shpresoj që qeverisja e ardhshme të mbështesë këto projekte”, tha ai. /EuroNews Albania/