Kosovë: Certifikohet rezultati i zgjedhjeve – Vetëvendosje mbi 50 për qind të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës certifikoi të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.7 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.1 për qind, dhe Lista Serbe me 5.09 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 vende në parlamentin 120 vendesh, Partia Demokratike 19, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 15 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 vende dhe Lista Serbe 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb. Dhjetë vende të tjera u takojnë partive politike të pakicave jo serbe.

Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi rezultatin si referendum dhe sipas saj qytetarët “me 50.28% u deklaruan se regjimi i vjetër duhet të shkojë dhe vendit duhet t’i hapet perspektivë e re, me zhvillim e pa korrupsion, me mirëqenie e mirëqeverisje”.

Nga dita e sotme, vendi ka një afat prej tridhjetë ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit.

Sipas kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga lëvizja Vetëvendosje që është fitues i zgjedhjeve. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Lëvizja Vetëvendosje e cila arriti një fitore të thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk pret vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave, përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për këtë post dhe ka nevojë për votat e partive tjera shqiptare që të kalojë.

Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar për të hënën më 15 mars takime me partitë tjera politike për të diskutuar formimin e institucioneve.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmuan se do të marrin pjesë në takim. Ndërsa Lidhja Demokratike të dielën mban kuvendin e saj për të zgjedhur udhëheqjen e re të partisë pas dorëheqjes së kryetarit të saj Isa Mustafa dhe më pas do të vendos rreth takimit të së hënës.