Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i ri i LDK-së

Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kanë zgjedhur sot për kryetar të ri të këtij subjekti, Lumir Abdixhikun.

Telegrafi mëson se  Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.

Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.

Kujtojmë se në garë ishte edhe Anton Quni, por i njëjti pak para fillimit të Kuvendit Zgjedhor ka tërhequr kandidaturën e tij.

Pas certifikimit të zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë me 12.76 për qind të votave. Pas rezultatit të shënuar, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje.