100 ditët e qeverisjes së re në Mal të Zi thelluan ndasitë në shoqërinë malazeze duke shkaktuar përplasje dhe fërkime të ashpra politike.
Kjo situatë u përkeqësua edhe më shumë në prag të zgjedhjeve vendore të së dielës në Nikshiq, qytetin e dytë më të madh në Mal të Zi. Në këtë fushatë kishte ndërhyrje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë nga Beogradi, nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Lista Serbe e Kosovës, të cilët mbështeten forcat politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi.
Ndërkohë BE po u bën thirrje aktorëve politikë në Mal të Zi që të respektojnë sundimin e ligjit dhe principet demokratike dhe së bashku të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet aktuale.
100 ditët e qeverisjes së re në Mal të Zi kanë shkaktuar fërkime dhe përplasje të ashpra duke e ndarë shoqërinë malazeze dhe komunitetet që jetojnë në vend në dy tabore. Në njërën anë gjendet grupimi politik proserb dhe prorus dhe në anën tjetër është i pozicionuar grupimi që e mbështet pavarësinë e Malit të Zi dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike.
Këto ndarje u thelluan me veprimet politike, që u cilësuan si të njëanshme siç është miratimi i Ligjit për Lirinë fetare, rrëzimi nga gjykata malazeze të dënimit ndaj 13 personave që akuzoheshin për pjesëmarrje për grusht shteti në Mal të Zi etj.
Kjo situatë nisi të ashpërsohet më shumë në prag të zgjedhjeve vendore të 14 marsit në qytetin e Nikshiqit, vend ky me popullatën më të madhe në Mal të Zi pas kryeqytetit Podgoricës dhe i cili gjendet afër Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë fushatës zgjedhore në këtë vend ka pasur ndërhyrje të përfaqësuesve politikë nga Beogradi, Republika Serbe e Bosnjës e deri tek Lista Serbe e Kosovës, të cilët mbështesin hapur forcat politike proserbe dhe proruse në këtë qytet.
Në këtë kuadër presidenti malazez Milo Gjukanoviq tha se “fryma e urrejtjes ndaj Malit të Zi dhe gjithçka malazeze është rritur”. Në Forumin e Pestë të Gazetarëve, ai tha se “Beogradi gjendet në vitin 1990 dhe atë çfarë bëri në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, të njëjtën po bën përpjekje t’ia bëjë sot edhe Malit të Zi”.
Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq i përshkroi 100 ditët e qeverisë si të suksesshme. Ai tha se “qeveria e re e shpëtoi shtetin nga falimentimi” dhe e akuzoi qeverinë e mëparshme për korrupsion dhe kriminalitet.
Krivokapiq e paraqiti si sukses denoncimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, veçanërisht ato që lidhen me abuzimin e pozitës zyrtare.
Fërkimet mes presidentit dhe qeverisë dhe ndarjet në shoqërinë malazeze janë preokupim edhe për Brukselin. Përfaqësuesit e BE-së vazhdimisht kanë theksuar “që të gjithë aktorët politikë duhet të respektojnë sundimin e ligjit, principet demokratike dhe së bashku të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet aktuale”. Kjo, sipas tyre, “duhet të ndodhë në institucionet e formuara për këto qëllime dhe në një atmosferë të respektimit të ndërsjellë”.