Bashkimi Evropian ka përsëritur të premten thirrjet për liderët politikë, në Kosovë dhe Serbi, që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat, të cilat shkojnë në kundërshtim me normalizimin e raporteve mes tyre.
Blloku evropian ka bërë këtë porosi, teksa është përgjigjur në pyetjet lidhur me veprimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka postuar në rrjetet sociale flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës.
Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, si nga qytetarët, ashtu edhe nga politikanë e personalitete, edhe nga vendet tjera.
“Bashkimi Evropian i ka ftuar gjithmonë të gjithë aktorët politikë në Serbi dhe Kosovë, sikur edhe në pjesë tjera të rajonit, që të angazhohen në veprime dhe deklarata, të cilat krijojnë dhe promovojnë atmosferën e pajtimit, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit, e jo ta bëjnë të kundërtën” është përgjigjur një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë.
“Sikur kemi thënë disa herë gjatë viteve të kaluara, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga aktet dhe deklaratat, të cilat kanë efekt të kundërt për normalizimin e raporteve dhe të punojnë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse” ka thënë ky zëdhënësi i BE-së.