Nga Hajrullah Hajdari
Tanimë qytetarët e komunës së Ulqinit janë deshmitarë të dështimit edhe të një koalicioni të panatyrshëm, apolitik e jo funksional të pushtetit vëndor në Ulqin dhe krijimit të një koalicioni po ashtu të panatyrshëm në raport me dëshirën e shprehur të qytetarëve të kësaj komune në zgjedhjet lokale, para më shumë se tre viteve. Pra dëshira e votueseve shqiptarë për një koalicion të partive shqiptare edhe njëherë u keqpërdor, madje në mënyrën apo formen më të keqe të mundshme, duke e arsyetuar këtë akt të turpshëm si nevojë për realizimin e planeve zhvillimore, madje edhe me arsyetimin, aspak të moralshëm, se kinëse “ kështu na ka thënë Prishtina e Tirana”. Pra ajo “Prishtinë e Tiranë” që para 8 apo 9 muajve nuk iu dha as përkrahjen më minimale të tyre. Ky veprim dhe mesazhi që po përcjell s’është tjetër veç se hipokrizi e pastër politike, që fatkeqësisht, politkën, zhvillimin ekonomik e mirëqenjen e popullsisë së komunës së Ulqinit po e përcjellë së paku nga viti 2007. Dhe për hipokrizi të njëjtit aktorë! E njëjta parti politike e ndarë në dysh, me koncepte të njëjta por për interesa të vëçanta individuale.
Poashtu, duhet theksuar se dalja e anëtarit të ish–koalicionit në opozitë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveçse akt i taktikës së bërjes politikë të tyre, sepse të ishte ndryshe e të mendonin për vullnetin e atyre që me votën e tyre i mandatuan për krijimin e një koalicioni të partive shqiptare e jo për t’i bërë DPS-it shumicën për zgjedhjen e kryetarit të komunës dhe udhëheqjen me administratën publke në komunë. Ky veprim i tyre dëshprues s’ma do mendja se do te ketë eho dhe ndikim në një të ardhme të shpejtë për rejtingun e tyre politik. Nga ana tjetër, në këtë moment, në këto rrjedha politike dhe afat kohorë,jo më shumë se nëntë muaj, nuk është e qartë se çka mundet të bëjë, natyrisht në të mirë të qytetarëve, për zhvillimin ekonomik të kësaj komune më të prapambetur në bregdetin malazez, ky koalicion i riformuar apo kryetari i zgjedhur, për zbatimin e politikave për integrimin e popujve pakicë dhe zhvillimin kulturor, arsimor të tyre etj. kur ata këtu ishin e edhëhoqen me komunën e Ulqinit 14 vitet e fundit. Rezultatet e arritura janë të prekshme dhe si rrjedhojë pritshmëritë janë shumë të vogla. Një gjë që të bën përshtypje, ndoshta pozitive, është egoja e një djaloshi të ri, të shkolluar, të sjellshëm, e siduket të etur për pushtet, të bëhet kryetar, anipse në këto kohra të veshtira edhe për partinë të cilës ai i takon, anipse ndoshta nuk do të ketë mundësi të bëjë diçka më shumë e më mirë, por kryesore, sado pak të jamë/bëhët kryetar i komunës. Në këtë aspekt ai është i pafajshëm. Sigurisht, duke e njohur qysh në fëmijëri,prejardhjen e tij dhe impenjimin e tij në kryerjen e detyrave, duhet t’i urojmë sukses, por pritshmëria është shumë e vogël, veçanërisht nëse ky koalicion i rindertuar është në të mirën e të gjithëve.
Skepticizmi im për pritshmëritë e qytetarëve ulqinakë nga kompozimi i ri i pushtetit vendor, bazohet në fakte të shkruara e botërisht të njohura për gjëndjen në Komunën e Ulqinit, për zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor të trojeve shqiptare dhe pozitën e tyre politiko-juridike në Mal të Zi.
Nuk trashiguam shumë as nga ish Jugosllavia, edhe atëherë ishim më të varfrit në bregdet, mbase edhe më gjërë, por trashiguam shumë më shumë se na ka mbetur sot. Ulqini trashigoi një rrjet të objekteve turistike më afër 7.500 shtretërfunksional në sektorin shoqëror ( hotele, pushimore), një sipërmarrje më rëndësi të veçantë – kriporen, një sipërmarrje që furnizonte krejt bregdetin malazez me artikuj bujqësor “Agroulqinin” etj, etj. Sot Ulqini, edhe pas 30 viteve, jo që s’ka shtuar asnjë kapacitet turistik, përkundrazi janë shembur dy hotele (“Galeb” dhe “Lido”) me afër 900 shtretër, nderësa objektet tjera u devastuan, kriporja u privatizua dhe u shkatërrua, “Agroulqini” për një shumë qesharake e çuan në falimentim. Me fjalë të tjera sot (s)kemi një ekonomi të shkatëruar në krahasim me kohën e kaluar.
Në fushën e kulturës, ku bën pjesë edhe sporti, trashiguam shumë pak. Po për 30 vite çka arritëm të kemi? Klubi i futbollit i Komunës së Ulqinit është i vetmi ekip futbolli në Mal të Zi që nuk ka, jo stadion, por së paku fushë sportive! Ulqini është ndër qytetet e rralla në Mal të Zi që nuk ka qendër – sallë sportive shumë funkcionale, Ulqini është i vetmi qytet bregdetar që nuk ka marinën e vet. Vërtetë u mashtruam me të famshmen “Kaceme” jo funksionale. Shumë e shumë objekte të tjera të nevojshme për zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor mungojnë në Ulqin. Faktikishtë, kështu është shprehur kujdesi i shtetit për qytetin tonë, me rusurse të shumta që zoti ia ka dhënëpor pa kujdesin apo interesin e merituar për valorizimin e tyre.
Hipokriti i skenës sonë politike, ka sofistikuar tej mase veten, aq sa një pjesë të konsiderushme, jo vetëm të elektoratit të vet, por edhe një pjesë të konsiderueshme të popullatës apolitike, i ka futur në huti apo lajthitje. Elektorati dhe të tjerët shpesh herë nuk janë në gjendje të shohin e dallojnë realitetin politik, e kështu vështirë bëjnë dallimin e të mirit nga i keqi. Nuk arrijnë dot të dallojnë programet e partive të ashtaquajtura qytetare nga ato me koncept kombëtarë! Me veprimet hipokrite të politikanteve tanë, që tjetër premtojnë e tjetër bëjnë, qytetari ynë, votuesit tanë janë demotivuar dhe kanë humbur shpresat se mund të bëhët diçka më mirë. Shumë njerëz mendojnë se asgjë nuk i shqetëson më shumë se hipokrizia, sepse ajo është bërë pjesë e jetës jo vetëm politike; ajo i ka shtrirë rrënjët edhe në ekonomi, kulturë etj Kështu edhe padashje mund t’i nënshtrohen uraganit të hipokrizisë politike të kohës.
Kur një politikan, me të madhe mbron programin a projektet politike të një partije të caktuar, jo pse beson në saktësinë, korrektësinë apo ndershmërinë e tyre por vetëm se pret ndonjë favor nga ajo politikë, etiketohet si hipokrit politik, i cili në thelb është një person i pasigurtë, lëkundet andej e këndej për rahatin e tij! Sjelljet e tilla të politikanëve, sidomos të atyre që na paraqiten si dashamirës të popullit-votuesit të vet , janë të rrezikshme dhe të dëmshme!
Në rastin tonë konkret, edhe pse nuk mund të flasim, ndoshta, për hipokrizin tipike politike, politikanët tanë duke e parë e përjetuar mosinteresimin e pushtetit për investime, për zhvillim ekonomik, kulturor e arsimor e duke e shijuar së bashku me ne varfërinë e pamerituar të këtij qyteti, duhet të heqin “maskën” e cila u përshkruhet. Ato duhet të vetëdijësohen se populli u ka besuar atyre postet politike bazuar në premtimet e tyre për një angazhim, së bashku me të gjitha partitë shqiptare, për forcimin e identitetit kombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kulturor e arsimor e jo për përfitime personale. Ato u kanë dhënë besimin e tyre për të qenë unik e jo përçarës. Së paku duhet të reflektojnë në nivelin e liderëve shqiptarë në Malësi , të cilët dorën në zemër, krijuan një pushtet vendor me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike shqiptare dhepo i dalin zot popullit të vet dhe nuk mund të quhet hipokrizi politike edhe nëse thonë se “kështu në thanë në Prishtinë e Tiranë”.Reflektime pozitive në këte aspekt ka edhe në komunën e Gucisë.
Reflektimi politik i të gjitha strukturave politike shqiptare është më se i nevojshëm, sidomos në këto kohë kur shumëçka nuk është e qartë për popullin shqiptar në raport me qeverinëaktuale. Është më se nevojshme të distancohemi nga përdorimi i vetëdijshëm i një maske politike për të mashtruar publikun dhe për të pasur përfitime politike për vetëm disa nga ata e jo përfitime politike për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Unë nuk mundem dhe as dua të besoi se përfaqësuesit e partive politike dhe lidershipet e atyre partive politike që favarizojnë cilën do parti joshqiptare për krijimin e pushtetit vendor në Ulqin, do të qëndrojnë edhe më tutje nën ombrellën e hipokrizisë politike,por dua të besoj se, edhe nese kanë pasur pretendime apo veprime të tilla, se do të reflektojnë sa më shpejtë që është e mundur e do të japin kontributin e tyre aq të nevojshëm për unitetin e munguar, për të eliminuar njëherë e përgjithmon përçarjet, ashtu si dua të besoj edhe në reflektimin e votuesit dhe popullit shqiptar kundrejt marëdhënies së tyre me partitë përçarëse e në favor të atyre unifikuese.