Nga Gjekë Gjonaj
Trieshjanët e kanë në gjen arsimin. Këtë a kanë dëshmuar disa personalitete të njohura të arsimit dhe kulturës mbarëshqiptare nga ky cep i Malësisë, që në fillimet e shekullit XX , të cilët u diplomuan në universitetet më të njohura evropiane të kohës, ku edhe fituan titujt më të lartë shkencorë të profileve të ndryshme dhe ushtruan detyra të larta në disa shtete të Evropës dhe Amerikës. Ata, natyrshëm , kanë qenë shembull dhe frymëzim për brezat e rinj trieshjanë në kërkim të dijes. Duke e njohur jetën dhe veprimtarinë e këtyre intelektualëve të mirëfilltë them se lista e trieshjanëve të arsimuar është shumë e gjatë. Por, në atë listë njerëzish të arsimuar gjithsesi prijnë mësuesit, të cilët me punën e tyre me përkushtim kontribuuan në misionin e tyre fisnik të dhënies së dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Paralel me këtë mësuesit i kontribuan shoqërisë shqiptare të Malësisë dhe trevave tjera shqiptare në Mal të Zi që të ruajnë, mësojnë, zhvillojnë dhe kultivojnë gjuhën e bukur shqipe. Në atë listë mësuesish dhe mësimdhënësish të artë të gjysmës së dytë të shekullit 20 vend të merituar zë edhe protagonisti i këtij shkrimi përkujtimor, Gjergj ( Marash ) Hasanaj, nga fshati Stjepoh i Trieshit. Kthimi i tij nga Prishtina në vendlindje me diplomën e mësuesit, që e mori në Shkollën Normale ishte jo vetëm një gëzim i papërshkrueshëm për të personalisht e familjarët e tij, por kishte rëndësi të madhe për arsimimin dhe edukimin e bashkëvendësve të tij, nga të cilët nuk u nda që nga viti 1954 e deri në vitin 1972, kur u detyrua të marrë rrugën pa kthim të mërgimit, në Detroit-SHBA.
Sot kur e kujtoj këtë mësues model, arsimtar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, drejtor shkolle, mbledhës të folklorit e bamirës, kam para sysh njeriun e mirë e modest me vlera të veçanta, intelektualin e pajisur me dije dhe i edukuar në frymën kombëtare, punonjësin serioz e cilësor të arsimit, drejtuesin e suksesshëm të shkollës dhe të afërm me kolegët e bashkëpunëtorë. Për mua mbetet i paharrueshëm bashkëpunimi i tij me babain tim, e kolegun e tij të shtrenjtë e të besueshëm , Gjon Gjonaj, deri në ndarje të rrugëve të jetës së tyre. Bashkëpunimi i tyre si kolegë në fushën e arsimit dhe fusha të tjera me rëndësi shoqërore, kishte zgjatur plot 18 vite. Detyrat e sfidat që i zgjidhnin bashkërisht, dhe me disa kolegë të tjerë, qenë me rëndësi të madhe. Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte respekti i ndërsjellë, gatishmëria për të ndihmuar njëri-tjetrin si dhe sinqeriteti i gjithanshëm për të mbështetur njëri – tjetrin në çdo situatë sado e vështirë apo e rrezikshme qe ajo për momentin.
Sukseset dhe meritat e Gjergj Hasanajt në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës shqiptare janë të shumta dhe të një rëndësie të veçantë, që nuk mund të përmblidhen në një shkrim të vetëm gazetaresk. Ato janë të mundshme të pasqyrohen vetëm në një monografi eventuale të tij, të cilën e meriton. Pa asnjë mëdyshje. Megjithatë po fokusohem në disa nga të arriturat e tij që kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën arsimore dhe kulturore jo vetëm në Triesh, por edhe më gjerë.
Ky njeri i rrallë, i rritur e i shkolluar në varfëri të skajshme, në një mjedis patriarkal, me rregulla fisnore, në një sistem komunist, kur çdo veprim atdhetar konsiderohej si armiqësi, i tejkaloi sfidat e kohës. Me fillimin e punës në shkollë, e cila kishte statusin katërvjeçar, i vuri vetes për detyrë që ajo të rritej. Dhe, falë angazhimit të tij dhe përkrahjes së mësimdhënësve të tjerë, ia doli të realizojë dëshirën dhe vullnetin e tij, por edhe ëndrrën e trieshjanëve arsimdashës, që shkolla ekzistuese katërvjeçare të rritet në shkollë të plotë tetëvjeçare. Për meritat e tij të mëdha në hapjen e shkollës tetëvjeçare dhe zgjidhet drejtor i parë i saj, detyrë të cilën e kreu me sukses gati dy dekada. Përveç kësaj me angazhimin e tij të matur, me mençurinë që kishte, por edhe me përkrahjen pa rezervë të mësuesve përparimtarë të shkollës arriti që ta pagëzojë shkollën me emrin e heroit tonë kombëtar “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ishte kjo një vepër madhështore dhe pothuaj e pamundur për kohën, me të cilën mburren sot e përgjithmonë trieshjanët. Në kontesktin dhe rrethanat e kohës në të cilën shkolla e Trieshitemërohet me emrin e prijësit tonë legjendar mund të vlerësohet si një shembull patriotizmi, të cilin edhe sot ia kanë lakmi disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Gjergj Hasanaj e arriti kulmin e krijimtarisë së tij , si mbledhës i folklorit burimor shqiptar në Malësi të Madhe dhe në mesin e shqiptarëve tjerë në Mal të Zi . Mbasi mblodhi dhe sistemoi këngët e ndryshme nga thesari ynë popullor botoi veprën “ Malësori këndon” në vitin 1971. Pas botimit të kësaj vepre të rëndësishme për folkloristikën shqiptare nuk pati një jetë të qetë e të rehatshme nga pushteti, për ç ‘arsye u detyrua të braktisë vendin e tij që e donte me gjithë zemër e shpirt dhe të shpërngulet në Amerikë, ku edhe vdiq në vitin 1978 në rrethana ende të pazbardhura. Vepra dhe personaliteti i tij duhet të nderohet dhe të respektohet për kontributin e madh që dha në profesionin e arsimtarit dhe në vjeljen e folklorit.