Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme.
Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Osmani ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet. Pas përfundimit të mandatit të parë, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë.
Pas zgjedhjes, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.
Osmani, e cila kishte drejtuar me Kuvendin e Kosovës një vit, nga 3 shkurti 2020, deri më 22 mars 2021, tani do të mbajë një nga postet më të larta shtetërore, atë të presidentes së Republikës së Kosovës.
Që nga 5 nëntori 2020, e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie. Si deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane.
Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte politikania më e votuar, përkatësisht ajo fitoi mbi 300 mijë vota.