Nga Gjekë Gjonaj
Periudha komuniste në ish- Jugosllavi është e dhimbshme për shumë njerëz që u dënuan dhe u persekutuan prej saj. Mundimet e tmerrshme të këtij burgu famëkeq në Kroaci i kanë përjetuar edhe shumëshqiptarë, në mesin e të cilëve edhe dhjetëra qytetarë nga Hoti, Gruda, Trieshi , Koja, e treva tjera shqiptare në Mal të Zi. Disa nga ata mbijetuan vuajtjet dhe torturat më brutale të këtij ferri komunist, të cilat nuk i kishin në praktikën e vet as nazistët e as sovjetikët. Por jo të gjithë. Një numër i vogël i tyre vdiq nga torturat, apo u vranë , duke i lënë përgjithmonë eshtrat e veta atje, të cilëve as sot nuk u dihet vendvarrimi.
Nuk jam në dijeni se a është gjallë sot ndokush prej malësorëve që e kanë vuajtur hijen e errët të atij sistemi. Por, për fat të mirë ka mbetur një pjesë e kujtesës së tyre, e cila mendoj se do të duhej të jetë për të gjithë ne, një vlerë që nuk duhet hedhur në koshin e harresës. Pa kujtesë, shumëçka harrohet dhe së fundmi humbet. Kështu do të ndodhte edhe me një pjesë të dhimbshme të jetës së mundimshme të dhjetëra të dënuarve politikë nga Malësia, që përjetuan tortura, dhimbje, vuajtje e trishtim gjatë qëndrimit në burgun famëkeq në Goli Otok ( Ishulli i Zhveshur) ku , siç shprehen ata, edhe vdekja ishte një ëndërr e parealizueshme, pasi mbikëqyrja ishte e rreptë. Rrëfimet e shumë të burgosurve malësorë , që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut, dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit. Të dënuarit politikë , sipas dëshmive të të burgosurve dhe dokumenteve të shkruara, i mbanin gjallë aq sa për t’i detyruar të vuanim atë makth, vetëm për hir të kënaqësisë për t’i torturuar deri në atë masë saqë njerëzit humbitnin vetëdijen dhe qëndronin të shtrirë për tokë, sikur të vrarët në betejën e luftës.
Rrëfimet e shumë të burgosurve malësorë , që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut, dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit. Qëllimi ka qenë i qartë: jo vetëm dëmtimi fizik, por edhe thyerja dhe shkatërrimi i plotë shpirtëror i çdo të burgosuri. Aty është praktikuar rrahja e të burgosurve në mes vete (të burgosurit e vjetër rrihninderi alivanosje dhe vdekje të burgosurit e rinj që vinin në këtë kamp famëkeq). Pas punëve të rënda e të mundimshme që bënin gjatë ditës, të burgosurit për çdo mbrëmje ishin të detyruar të kalonin nëpër kordonin e gjallë të të burgosurve të penduar dhe të udbashëve të çakërdisur… Në Goli Otok, pra të burgosurit me karakter të thyer e të përbaltur (tipat më imoral) jo vetëm që “vetëqeverisnin” me krejt kampin, por bëheshin edhe xhelatë të atyre që kishin karakter njerëzorë e të pathyeshëm.
I dënuari politikë nga Trieshi Nikë Gjeti Arapaj në librin e tij “Në hijen e heshtjes” deri në detaje ka përshkruar shumë vuajtje që i ka përjetuar ai dhe shumë shqiptarë -malësorë e të dënuar të tjerë. Ai , ndër të tjera, shkruan se oficerët e UDBA-së i torturonin në mënyrën më mizore. “ Po u kallëzoj çudinë që e pashë me sy kur na zhveshën lakuriq e na ulën në det me u la. Si ishin njerëzit e gjallë në Goli Otok. Veç ata eshtën të mbërthyem. Ishte e çuditshme se ku u mbahej shpirti njerëzve. Të betohem se 50 njerëz me i pasë rjepë, nuk i kishin 60 kile mish e lëkurë të gjithë bashkë, ashtu ishin ata njerëz. Ishte çudi si mund të qëndronin ata eshtën të kapun. Si mundeshin ata njerëz me ecë ose me folë? , pohon Arapaj. Ai tregon se një metodë tjetër ishte me ndërrua qëndrimin , mendimin ( redivirati stav), që nënkupton rrahjen me grushte e shqelma, të fusnin në ndonjë zyrë ku nuk shihje askënd përveç disa milicë të tërbuar të cilët fusnin çarapët në gojë, për të mos mundur me marrë frymë për goje, të shtinin lakomicën në bira të hundës dhe me bokallë të qitnin ujë nga i cili të vinte koha të pëlcasësh. Të burgosurit i detyronin të pijnë ujë të valë. Atyre u duhej të kalonin dy rreshta ku ishin së paku 200 vetë, të cilët të rrihnin pa mëshirë. Ndokujt edhe ia kanë nxjerrë syrin. Sipas fjalëve të Dedë Malit Gjurashaj, tashmë i ndjerë, i cili mbijetoi vajtjet e burgut në Goli Otok puna e parë dhe kryesore, që shërbeu edhe si torturë, ishte thyerja dhe bartja e gurëve, në pikë të diellit.. Gurët janë bartur në dy mënyra: në krahë dhe në lese prej dërrase. Lesat mbusheshin me gurë prej rreth 100 kilogramësh dhe i bartnin dy të burgosur, ndërsa kujdestari i shtynte të shpejtonin, thuaja në vrap. Nga puna e tillë e rëndë e terë ditshme, të burgosurit rraskapiteshin, sa shpesh binin e plandoseshin për tokë.
Për ndëshkimet e rënda në Goli Otok më ka treguar edhe një tjetër trieshjanë i dënuar politik, Nikollë BaciArapaj. Ai më ka folur se të burgosurit shpesh ndëshkoheshin edhe me ndëshkime të tjera, me punë të rëndë shtesë, me shkurtim të gjumit, me shkurtim të sasisë së bukës, që edhe ashtu ishte vetëm 150-200 gramë në ditë, me dënim me qëndrim mbi kibëll, që është një nevojtore portative në barakë për përdorim natën nga të burgosurit, me qëndrim në diell tërë ditën etj.
Gruiçiq Vladimir në librin e tij” Nga dëshmia gojore në një parandigmë biopolitike” shkruan: – Nën batanije nënkupton torturimin e izolimit nga të burgosurit e tjerë duke lëvizur në një kazermë tjetër ku ai u abuzua fizikisht dhe u mor në pyetje. Në pantallona u krye një lëvizje e zorrëve të vogla e cila krijon një ndjenjë të shqetësimit, turpit dhe ekspozimit ndaj infeksionit. Noti spanjoll ishte procesi i lidhjes së të burgosurve me një litar dhe vënies së tyre në një pozicion të mbështjellë. Nxjerrja e rërës në shoqërinë e Korda është emri i torturës, i cili u emërua pas një të burgosuri me pseudonimin “Korda” dhe konsistonte në nxjerrjen e rërës nga cekëtit me një lopatë. Një torturë e veçantë ishte nxjerrja e rërës në shoqërinë “ Kodra” e cila bëhej në dimër kur temperatura e ujit është shumë e ulët dhe mund të jetë kërcënuese për jetën. Nga ana tjetër, izolimi në korridoret e errëta , të lagura e të ftohta nëntokësore, të mbushura me minj. Grupi 101 ose Petrova rupa ( gropa e Pjetrit) ishte emri për pjesën më famëkeqe të kampit ku praktikantët e sjellë ishin anëtarët më të shquar të Partisë Komuniste. Veprimet e saj janë të fshehura në fshehtësi, megjithëse dëshmitë flasin për tortura të tmerrshme, kur të burgosurit rriheshin për vdekje me shkopinj. Të burgosurit vdisnin nga uria dhe liheshin të uritur ose rrahur, gjë që ndonjëherë do të çonte në vdekje më të shpejtë.
Përveç dënimeve të gjata kohore, atyre gjatë vuajtjes së dënimit u mohohej çdo lloj e drejte. S’kishin të drejtë të ankoheshin për burgosjen pa gjyq e pa gjykim, as për punën e rëndë, as për torturat që ushtroheshin çdo ditë, as për mangësi ushqimi, as për etjen e vazhdueshme, kur uji kufizohej me me dy-tri gota në ditë. Dhe të gjitha këto dhe mënyra të tjera, siç na treguan të dënuarit politikë, nuk ishin për një ditë, por ishin të përditshme, aq sa edhe ushqimin detyroheshin ta hanin në këmbë dhe dy-tre veta me një lugë.