Shtëpitë tradicionale trieshjane, vlera të zhdukura të kulturës popullore

Nga Gjekë Gjonaj

Trieshjanët,  sikur të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë jetuar në zona  malore, kanë ëndërruar  të kenë një shtëpi të mirë banimi. Në kohët e hershme kjo gjë   realisht  nuk ka qenë e mundur  për shkak të kushteve  ekonomiko –sociale  dhe varfërisë  në të cilën  ata kanë jetuar. Banorët e  nëntë fshatrave  të Trieshit fillimisht kanë jetuar në kasolle të këqija të ndërtuara nga ata vetë.

Zgjedhja e trollit

Këto shtëpi tradicionale banimi  i ndërtonin  në vende të ngritura, shpate mali e në kodrina, për të mos zënë  tokën e paktë pjellore , por edhe për t’u mbrojtur nga  lagështira,  ku  tërë ditën nxe dielli ( në shulla) , ndërsa  më rrallë  në ndonjë luginë, apo pranë ujit siç është rasti  në fshatin Cemi i Trieshit. Këto shtëpi  të përhershme banimi  qenë  të tipit të dendur, domethënë   të grumbulluara nëpër  çdo fshat e mëhallë   larg njëra tjetrës  1-10 kilometra. Kjo zgjedhje e truallit për ndërtimin e shtëpisë bëhej për arsye praktike, respektivisht materiale. Por trieshjanët nuk i kanë ndërtuar shtëpitë vetëm në atë truall, i cili i plotëson vetëm kushtet natyrore dhe praktike, nëse   nuk plotësohen edhe kushtet e natyrës shpirtërore, sepse  ishin të ngarkuar me besime dhe besëtytni të ndryshme. Ata nuk ndërtonin shtëpi në atë vend ku   mund të kenë qenë ndërtuar kishë ose ndonjë varr, të cilat konsideroheshin vende të rrezikshme  për  pjesëtarët e familjes. Po ashtu nuk preferonin  të ndërtonin  shtëpi në truallin e shtëpisë së vjetër  ku nuk ka pasur përparim në familje dhe në ekonomi  shtëpiake. Ka qenë traditë  gjithashtu që  në themelet e shtëpisë kur fillon ndërtimi i shtëpisë të theret ndonjë dash, dele shterpë apo ndonjë gjel. Besohej se shtëpia  e cila është ndërtuar  “ në troll të keq”, ose pa  therjen e ndonjë kafshe shtëpiake ( përgjakjen e themelit) nuk do të përparojë. Ishte zakon  i vjetër që kur të përfundojë kulmi i shtëpisë  në maje të tij të vihet një shami e kuqe , që simbolizonte flamurin kombëtar.

Tipet e shtëpive tradicionale

Sipas të dhënave gojore të treishjanëve, ngase nuk kemi të dhëna të tjera të plota arkitekturore ,  rezulton se kasollet për strehimin e njerëzve   në këtë trevë kryesisht  kanë qenë  të ndërtuara me thupra druri ( me gardh)  dhe me gurë. Ato kanë  qenë përdhese,    të shtruara me baltë e të mbuluara me kashtë. Në të katër qoshet  e kasolles  janë vendosur shtylla druri të forta prej lisi etj.   Midis shtyllave  vendosnin  hunj të  gjatë   që përfundonin me dy degë ( grremça)  në formën e shkronjës V, që shërbenin për të vendosur drurët lidhës, horizontalë. Ndërmjet këtyre drunjve ( furkave)  ngrihej  gardhi   deri atje ku nis çatia e kasolles.  Ato pastaj lidheshin e përforcoheshin me  anë të trarëve, kurse mbi to ndërtohej kulmi  prej  hunjve të tjerë prej druri. Sipër gjithë sipërfaqes së çatisë vendosej kashta e ngjeshur , që të mos depërtoi shiu. Kashta më e mirë  thonë ishte ajo që merret nga thekra, kashta e elbit dhe ajo e grurit.

Kasollet e moçme  të thjeshta  për njerëz, siç thamë më lartë,  janë ndërtuar edhe prej guri të papërpunuar pa baltë e pa gëlqere.  Edhe ato kanë qenë përdhese  dhe të mbuluara me kashtë.    Muret e kasolles, nga ana e brendshme, në kohën për të cilën bëhet fjalë, lyheshin  me baltë të bardhë të përzier me byk (mbeturina kashte dhe kallinjsh që mbeten nga shirja e grurit) ose me gëlqere.

Shfrytëzimi i kasolleve të lashta  si banesë, për shkak se aty ndizej zjarri, paraqisnin edhe  rrezik. Djegia e druve nga zjarri e mbushte kasollen me tym, nga i cili njerëzve  u lotonin sytë dhe u zihej fryma, si rezultat i koncentrimitnë të gazit karbonik CO2. Zjarri ndizej në kasolle drejtpërdrejt në vatër, pra në tokë.  Kjo e bënte kasollen të ftohtë për banorët që jetonin brenda saj.

Gjatë shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX  në Triesh dominonin  shtëpitë me mure të ndërtuara me gurë të latuar e me gëlqere dhe mure me gurë e me baltë, të mbuluara me tjegulla. Këto shtëpi  kryesisht ishin të vogla, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes . Pra, në dimensionet e shtëpisë  së Trieshit ka ndikuar  numri i pjesëtarëve të familjes . Familjet me shumë anëtarë   kishin shtëpi më të mëdha, se sa familjet me më pak anëtarë. Shumica e tyre kishin   dritare të vogla, dhe s’kishin tymtarë (kumin).  Në vend të  tymtarit  shpesh  herë kishte një vrimë  të vogël në  kulm të shtëpisë.    

Shtëpitë më të thjeshta  ishin përdhese  në formë katërkëndëshi  me dy ndarje.  Në njërën anë ka jetuar familja, kurse   pjesa tjetër është  shfrytëzuar  për bagëti (dele, dhi, lopë, e  kafshë  tjera shtëpiake).  Më së shumti  kishte shtëpi   në kat dhe gjysmë kat të cilat përshtateshin në terrenin e pjerrtë ( gjysma e poshtme me dy kate dhe e sipërmja me një kat përdhese). Në shumicën e rasteve  në njërin kafkan  të shtëpisë, ndërtohej oxhaku, afër të cilit  ishte vatra e zjarrit ku përgatitej  ushqimi. Shtëpitë e këtyre tipeve  zakonisht kishin vetëm një derë  dhe nga një ( rrallëherë) dy dritare të vogla ( në çdo kthinë) prej druri.  Por, ka pasur raste  që në shtëpia të mëdha  janë ndërtuar dy dyer prej dërrasave të trasha  dhe dy oxhaqe prej guri të skalitur me mjeshtëri, nga duart e gurgdhendësve vendas e të tjerëve.  Kulmi ( pullazi) i shtëpive në Triesh  ishte me dy ujna   ose me katër ujna ( dy ose katër strehë). Shtëpitë e ndërtuara në kat  kanë pasur tavan ( çardak) . Ato kanë vetëm dy ambiente ( kthina) . Në katin përdhese  ndodhej  ahuri (ahri)   për bagëti , kurse në katin mbi ahur  ndodheshin pjesët e tjera  ku organizohej jeta e familjes “ shpija e zjarmit”( kuzhina) dhe dhoma e ( të) fjetjes.  Shkallët për në kat kanë  qenë brenda në ahur ose përjashta. Edhe pse shtëpitë trieshjane ishin të vogla  aty gjithmonë kishte vend për  mysafirë.

Ndërtime prej druri në këtë periudhë kohore për të cilën po flasim ka shumë më pak dhe ato ishin kasolle për bagëti ose kotece  të vogla ( hangarë)  për  pak drithëra e  gjëra të tjera të ekonomisë shtëpiake. Këto ndodheshin në oborre të shtëpive. Oborri i trieshjanëve zakonisht nuk ishte i rrethuar  me lëndë e dërrasa ose me gardh, sepse  në këtë trevë nuk ka qenë traditë të ngritën rrethoja  të larta e të forta individuale  pasi mbrojtja   këtu gjithmonë ka qenë kolektive.   Vendi me vathë  e me kasolle ishte i rrethuar me drunj. Në hyrje të vathës  kishte një shtrungë (derë prej dërrasash druri) , ku  mileshin dhentë që ishin me numër të madh dhe nuk i nxinte kasollja.  

Trieshjanët përveç vendbanimeve të vjetra të përhershme kanë pasur, edhe  ato tëpërkohshme ose sezonale  ( verore) . Ato janë tëbanat ( dbanet) në bjeshkën e Koritës dhe  Koshticës, ku kanë jetuar me bagëti gjatë stinës së verës. Edhe tëbanat e ndërtuara prej guri të papërpunuar dhe të mbuluara me kashtë  janë të shpërndara sikur vendbanimet e përhershme. Gjithashtu ato nuk janë afër njëra-tjetrës, sepse këtu ( në bjeshkë)   bagëtia ka nevojë për  hapësirë edhe më të madhe se në fshat.  

Orenditë  shtëpiake tradicionale

Çdo shtëpi e vjetër në  fshatrat e Trieshit ka pasur orenditë shtëpiake për gatim, për ushqim, për larje etj. Orenditë  kanë qenë primitive. Po ju tregojmë disa nga  këto pajisje. Për pjekjen e bukës dhe ushqimeve tjera, si lakëroje, pite, mish,  patate etj. shërbente  vatra prej guri dhe kakini ( saçi)  me prush, kusia për zierjen e ushqimit, magjja për përgatitjen e bukës ose për qumësht, mjelca e qumështit ( tamblit), kusia për zierjen e ushqimit, tepsia fulterja, thika luga,  sofra  rrumbullake për ngrënie,  stolat trekëmbësh ose ndonjë karrige e gjerë e ulët ( stollovaça), bulera për ujë të pijshëm, zakopi për djathë e kos, pini  për tëlyen, arka e mielit, arka e rrobave,  kandili  me vajguri ( bishtuku) etj.

Shumica e pajisjeve  për nevojat e përditshme  në shtëpitë tradicionale, trieshjane   të vatrës, të gatimit, të ngrënies, të fjetjes, të ndenjjes, të mbajtjes së plaçkave, të ndriçimit etj.  janë  prej druri, prej dheu dhe prej tekstili,  të punuar zakonisht brenda  ekonomisë shtëpiake. Shumë nga këto sot nuk i gjen as dhe për kujtim.

Ndryshimet  në arkitekturën e ndërtimeve

Si rezultat i përmirësimit të kushteve  të jetesës pas rënies së komunizmit   në gjysmëshekullin e dytë të  shekullit  XX  në Triesh   bien  në sy  shumë ndryshime  të tipareve   tradicionale  të kulturës popullore, mes të cilave edhe në arkitekturën e ndërtimeve  të shtëpive. Prej atëherë arkitektura popullore në Triesh   ka përjetuar ndryshimë të dukshme.  Ndërkohë u ndërtuan shumë shtëpi të reja. Në disa fshatra , madje  aty këtu  ato kanë pamjen  deri diku të shtëpive në qytet. Shtëpi të tilla ka në fshatin Delaj etj. Ato i kanë ndërtuar trieshjanët në mërgim. Por, për fat të keq shumica e tyre gjatë gjithë vitit qëndrojnë të mbyllura sepse të zotët e tyre ndodhen larg vendlindjes.  

Në malin e Trieshit sot nuk mund të  shohësh asnjë shtëpi të vjetër  prej druri a guri   të  mbuluar me kashtë, madje  nuk arrita të gjejë asnjë  fotografi të para 100 – vjetëve të Trieshit.  Këto objekte të moçme  e të veçanta të arkitekturës popullore  ikën. U zhdukën. Shkuan sikur mos të kishin qenë. U  harruan. E ranë në gjumë të flenë. Si gjurmë e ekzistencës  të këtyre vlerave popullore  kanë  mbetur  vetëm rrënojat ( gërmadhat)  e murishtave të tyre të lëna pas dore, të cilat ruhen vetëm në kujtesën e njerëzve që “po firojnë “ njëri pas tjetrit.