LDSH-Vizitë në Kuvendin e Kosovës

Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, z.Nikollë Camaj, së bashku me sekretarin e Degës së Tuzit, Albert Camaj dhe nënkryetarin e Federatës Pan shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, me ftesë të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, u pritën në klubin e deputetëve të kësaj partie, ku përpos deputetit Ramadani, prezent ishin edhe deputetët Avni Dehari dhe Arbresha Hyseni Kryeziu.

Ishte ky një takim vëllazëror, ku u biseduan shumë çështje me rëndësi, sidomos për shqiptarët në Mal të Zi, e në veçanti për ata në komunën e Tuzit.
Në fokus të interesimit të bashkëbiseduesve kosovarë ishte situata e krijuar në Mal të Zi, pas zgjedhjeve parlamentare, pozicioni i shqiptarëve dhe nevoja e ruajtjes së identitetit dhe numrit të shqiptarëve, gjë që kanoset të rrezikohet nga paralajmërimet e Qeverisë së re malazeze.
Tuzi dhe nevojat e komunës së re, si edhe nevoja që të vazhdohet me sigurimin e kvotave për studentët shqiptarë në Universitetin e Kosovës e edhe sigurimi i librave dhe literaturës shkollore, zunë hapësirë në bisedimet që u zhvilluan.
Duke vlerësuar kontributin që ka dhënë Kosova për shqiptarët në Mal të Zi, posaçerisht në shkollim, kreu i LDSH shprehU bindjen se Qeveria e re e Kosovës do tu rrinë pranë të gjitha nevojave që kanë shqiptarët në Mal të Zi.
Në fund, duke i falenderuar për ftesën dhe kohën që ndanë ai edhe njëherë i përgëzoi për suksesin në zgjedhje dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite kreu i LDSH, takoi edhe ish Minisistrin e Diaspores, njëheri edhe liderin e Lëvizjes për Bashkim, z. Valon Murati, si dhe Alkena Dervishaj, ish këshilltare nga radhat e AAK-së në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.