Në Shqipëri, numërimi i votave për parlamentin e ri të vendit ka hyrë në ditën e dytë. Ndërsa ka përfunduar procesi për rreth 90 përqind të qendrave të votimit, rezultati i deritanishëm mban fituese Partinë socialite të Kryeministrit Edi Rama.
Nëse do të konfirmohet, ai do të marrë mandatin e tretë, duke shënuar kështu një rekord që nuk e ka arritur askush më parë, që nga vendosja e pluralizimit politik. Por nga ana e saj dhe Partia Demokratike shprehet e bindur se me pjesën e mbetur të kutive, fitorja do t’i buzëqeshë asaj.
Teksa janë numëruar 1 412 383 vota, Partia Socialiste sipas të dhënave ruan vendin e parë me 652 394 vota, ose 48.66%.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka siguruar deri tani 527 834 vota ose 39.37%.
Forcë e tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 92469 vota ose 6.9%.
Surpriza e këtyre zgjedhjeve vijon të mbetet PSD e Tom Doshit me 29796 vota në rang kombëtar, ose 2.22 përqind.
Mandatet e fituara në rang kombëtar deri tani:
Partia Socialiste-73 mandate
Partia Demokratike-59 mandate
Lëvizja Socialiste për Integrim-5 mandate.
Partia Social-Demokrate-3 mandate
