Ish Kryeministri i Kosovës, njëheri edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Dr. Pashko Camaj, nënkryetar i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dhe veprimtarin Anton Raja, të cilëve, siç shprehet Haradinaj, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në avancimin e çështjes kombëtare, iu ndau medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”.
Lexoni postimin e plotë:
Dielli për shqiptarët lind në Amerikë!
Fati i keq historik, goditi vëllezërit tonë në Malësinë e Madhe të Dedë Gjo Lulit, përkundër vendosmërisë së tyre dhe dëshirës së madhe për liri.
Sot prita intelektualin z. Pashk Camaj, i angazhuar vazhdimisht për çështjen kombëtare, si pjesë e lobit shqiptar në Amerikë, ai përfaqëson denjësisht traditën atdhedashëse të Malësisë së Madhe.
Gjithashtu, kam pritur atdhetarin e madh, Anton Raja, që me shumë zemër e pasion, një jetë ia kushtoi çështjes kombëtare.
Ai ndjeku traditën familjare dhe nuk kurseu asgjë nga vetja për avancimin e pozitës së shqiptarëve. Antoni po ashtu, është pjesë aktive e lobit shqiptar në Amerikë.
Bijtë e shqipes, edhe pse kaluan Atlantikun, asnjëherë nuk u ndanë nga trungu shqiptar. Antoni dhe Pashku, edhe më tutje vazhdojnë kontributin e tyre dhe janë të angazhuar në Federatën “Vatra”.
Kisha nderin që për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në avancimin e çështjes kombëtare, t’iu ndajë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
RH