Shqipëri: NATO nis stërvitjen më të madhe në Ballkanin Perëndimor

NATO nisi të enjten stërvitje ushtarake në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mijëra forcave nga Shtetet e Bashkuara.

Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore, tha koloneli amerikan, Joseph Scrocca.

Ai tha se Shqipëria është “një aleate e vendosur e NATO-s që nga viti 2009” dhe “një partnere e vlerësuar e sigurisë – si në rajon, ashtu edhe në nivel global”.

Trupat amerikane janë vendosur në Shqipëri qysh më 26 prill.

Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.

Stërvitjet e koduara si “DEFENDER-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.

Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.

Disa ditë para nisjes së stërvitjes “Defender 21”, shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjeneral major, Bajram Begaj, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës e vlerësoi Shqipërinë, duke e zgjedhur për këtë stërvitje me rëndësi, dhe ana tjetër Shtetet e Bashkuara shprehin vendosmërinë si garant të sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Qendrore, Veriore dhe për rajonin delikat të Ballkanit Perëndimor.