Shaqir Ismaili, BOJKU NË ANË TË MALIT, Botoi:ART CLUB, Ulqin, 2011
Në sajë të ndryshimit të rrethanave shoqërore në këto dy dekadat e fundit janë botuar libra më vlerë nga autorë të ndryshëm shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema nga fahu i tyre profesional. Botimet e tilla nuk ka dilemë se kanë pasuruar fondin e botimit të librit në shqip, duke ofruar të dhëna të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura nga opinioni i gjerë.
Nail Draga
Një e dhënë e tillë nuk është e panjohur sepse deri më tash për shqiptarët në Mal të Zi kanë shkruar autorë të ndryshëm joshqiptarë kryesisht sllavë duke i trajtuar çështjet në mënyrë subjektive, sipas interesit të tyre dhe te politikës së kohës. Por, gjatë dy dekadave të fundit janë pikërisht autorët shqiptarë ata të cilët me pasion opinionit i kanë dhuruar botime më vlerë, në sajë të punës hulumtuese disa vjeçare. Dhe janë pikërisht këto botime që kanë shpalosur tema të cilat kanë qenë jo të panjohura për opinionin e gjerë por të ndaluara, sepse pasojat kanë qenë evidente nga pushteti i kohës Madje ishte pikërisht ky motivi kryesor për t‘u ballafaquar më temat e tilla për të shpalosur çështjet përkatëse që opinioni i gjerë i ka pritur më padurim.
Në gamën e gjerë të tyre botimeve, bën pjesë edhe libri Bojku në Anë të Malit i autorit Shaqir Ismaili, i cili kohë më parë në botim të Art Club-it ka dalë në qarkullim.
Pas parathënies së autorit libri përbëhet nga nëntë njësi duke filluar me trajtimin e Anës së Malit si krahinë të veçantë etnografike, duke vazhduar me rrethanat shoqërore-historike, sipas periudhave kohore, duke ardhur deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj çështjet e traditës etj. Në fund është publikuar gjenealogjia familjare e fiseve dhe vllazërive familjare të Bojkut, duke përfshi një periudhë kohore prej tre shekujsh. Pjesë e librit janë edhe hartat, skicat dhe sidomos fotografitë e botuara që paraqesin vlera të veçanta për një koleksion sepse një numër i konsideruar i tyre publikohen për herë të parë dhe si të tilla e pasurojnë këtë botim.
Duke lexuar ketë libër del qartë pozita e vështirë sociale e popullsisë përkatëse që ishte identike për popullsinë shqiptare në përgjithësi në Mal të Zi. Por, aspak më e lehtë nuk ishte as ajo politike, sepse pushtetit të kohës iu ka penguar edhe shkollimi fetar i të rinjëve, që është dëshmuar me mos mundësinë e punësimit të tyre qoftë në vendlindje apo në komunën e Ulqinit, por duke i drejtuar në mjedise të largëta, me popullsi sllavofone. Një veprim i tillë perfid dëshmon në mënyrë transparente se edhe edukimi fetar ka qenë i padeshirueshëm,kur janë në pyetje shqiptarët ku autori në libër na ofron shembuj përkatës. Me këto veprime pushteti i kohës u demaskua, sepse ishte veprimi përfid për pengimin e shkollimit të te rinjëve tanë edhe ne profilin teologjik, nga del se iu kanë penguar edhe takimet dhe tubimet e rastit të kësaj natyre, që ishte kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve të cilat ishin të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare.
Lexuesi në ketë libër ka rastin të informohet me përmbajtje të ndryshme sikurse është edhe migrimi i popullsisë nga Bojku, por edhe e kundërta të ardhurit nga vendbanimet tjera në Bojk, në kohën e kaluar.Të dhënat e tilla nuk janë të imagjinuara por tëargumentuara madje me emër dhe mbiemër të familjarëve në një tabelë përkatëse. Po ashtu prezantimi i toponimeve të fshatit paraqet një vlerë të veçantë onomastike sidomos për fushën e gjuhësisë.
Nëse ndonjë fshat, zonë apo krahinë e veçantë dallohet me ndonjë veti dalluese me vlera nuk ka dilemë se bojkanjorët nga ky moment kanë se me çka të krenohen. Ata pa dyshim se janë të parët qe kanë një monografi të shkruar për vendin-fshatin e tyre. Jo vetëm kaq por me sa jam i informuar kjo është monografia e parë për një fshat në viset shqiptare në Mal të Zi. Andaj, të gjithë ata që në të ardhmën do të marrin guximin për të shkruar një monografi të tillë për ndonjë vendbanim tjetër, patjetër duhet ta konsultojnë monografinë e Bojkut të shkruar nga Shaqir Ismaili.
Nuk ka dilemë se me ketë botim autori ka nderuar vendlindjen e tij Bojkun por edhe të tjerët si në Anë të Malit, Ulqin dhe më gjerë. Sepse ka shkruar një libër më plot pasion dhe dashuri. Materiali i mbledhur për një periudhë të gjatë kohore prej gati prej pesë dekadash ai sot është publik dhe do ta vlerësojë opinioni i gjerë. Por, në lidhje me këtë botim me duhet të them një konstatim që është dëshmuar shumë her deri më tash. E ajo ka të bëj me faktin se askush nuk e do më shumë vendlindjen se sa ai i cili është larg saj.
Pikërisht, duke qenë larg saj, i larguar nga mosha 15 vjeçare autori gjithmonë ishte me vendlindjen në zemër dhe në ndërgjegjën e tij. Sepse kudo që ka shkuar dhe qendruar vendlindja e tij ishte dhe mbeti përjetësisht Bojku. Dhe vetëm një individ i tillë ka mundur të na dhuroj një botim me ketë përmbajte, ku ka shënuar dhe evidentuar çdo gjë nga vendlindja, në kuptimin e ngushtë por edhe për Anën e Malit në kuptim më të gjerë. Ndërsa literatura e konsultuar ia rrit vlerën botimit, duke ofruar argumente për çështjet e trajtuara.
Madje, nuk gabojmë nëse themi, se disa çështje të trajtuara në libër, duhet të jenë edhe motiv dhe nxitje për hulumtime në të ardhmën. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të dëshmonte në praktikë se kjo monografi ia ka arritë qellimit, sepse asgjë nuk është ideale dhe e përkryer, sepse vazhdimisht mund të ofrohen të dhëna të reja që janë në favor të çështjeve përkatëse.
Libri iu dedikohet kryesisht banorëve të Bojkut, por ai është i mirëseardhur edhe për opinionin e gjerë të cilët dëshirojnë tëinformohen për këtë vendbanim në veçanti dhe Anën e Malit në përgjithësi. Nuk ka dilemë se ky libër do të zgjojë kureshtjen edhe të ata të cilët janë me origjinë nga Bojku, ndërsa tash jetojnë në vende të ndryshme.Në këtë aspekt mendoj se ka të bëj në veçanti me ata qytetarë të cilët tash janë në diasporë. Për këtë kategori, ky botim do të jetë një lloj letër njoftimi, dhe dëshmi e origjinës dhe identitetit të tyre, sepse ofron të dhëna me interes për të kaluarën dhe të tashmën e Bojkut.
Autori ka qenë i vetdijshëm se vetëm ajo çka është e shkruar do të mbesë, bëri ate që është dashur të bëhët me bindje të plotë, se ate qe mund ta bëjmë sot duhet bërë sa më parë sepse brezat që do të vijnë nuk do të na falin dot. Sepse sa ngjarje kanë ndodhur më parë, por nuk janë shënuar, çka paraqet një humbje të madhe për të gjithë ne, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shkruar.
Përfundimisht, autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashëvandasve të tij një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmën, por do të përdorët në të ardhmën si referencë e domosdoshme për Anën e Malit e Ulqinin në përgjithësi.
In memoriam
Shaqir Ismajli(1937-2021)
Me 13 prill në Sarajevë në moshën 84 vjeçare vdiq Shaqir Ismajli, klerik islam dhe autor i disa artikujve, përkthimeve dhe botimeve të veçanta. Ka lindur në Bojk të Anës së Malit(Ulqin) më 27 prill 1937. Shkollën fillore tetëvjeçare e ka kryer në Katërkollë, medresën e ulët “Alaudin” në Prishtinë në vitin 1959.Në mungesë të punësimit në Anë të Malit, si imam filloi të punoj në Bukovicë, komuna e Plevlës(1960-67). Duke ushtruar profesionin e imamit u regjistrua në medresën “Gazi Husrevbeg” në Sarajevë, të cilën e kreu në vitin 1968. Nga viti 1967-1980, punoj si referent fetar në Bijello Pole. Nga ai qytet u regjistrua me korrespondencë në SHLP”Bajram Curri” në Gjakovë, dega Histori-Gjeografi, ku diplomoj në vitin 1978. Prej vitit 1980-2004, ka ushtru detyrën e kryeimamit në Podgoricë, ndërsa nga viti 2006, është vendosur me banim në Sarajevë, ku edhe ka vdekur me 13 prill 2021.
Shaqir Ismajli, përveç angazhimit profesional si klerik islam, në gazeta e revista të ndryshme është paraqitur me shkrime, artikuj, përkthime e botime, duke dëshmuar pasionin për librin dhe trashëgimin kulturore.
Duke jetuar e punuar jashtë vendlindjës ai nuk ka qenë statik por ka mbledhur material më vlerë për vendlindjen e tij Bojkun dhe Anën e Malit duke qenë model për të tjerët. Kam qenë i nderuar në redaktimin, botimin dhe organizimin e përurimit të librit “Bojku në Anë të Malit”, Art Club, Ulqin, 2011, në “Lamiga”me 17 mars 2012. Ishte ky një përurim i veçantë emocional për autorin e librit dhe të gjithë të pranishmit. Me rastin e vdekjës së autorit, në nderim të tij, po botoj recensionin e lexuar me rastin e përurimit të librit(17.3.2012).