Kullat e Trieshit, krenari e dhimbje kombëtare

Nga Gjekë Gjonaj

Duke shfletuar faqet e historisë të Trieshit , vërejmë  se kanë ekzistuar disa kulla, në të cilat, janë shënuar faqe të lavdishme të trimërisë së  trieshjanëve.  Historia e ndërtimit të tyre sipas kujtesës popullore e ka zanafillën që   në shekullin  XVIII deri në fillim të shekullit   XX.  Natyrisht se kullat nuk i kishin të gjitha familjettrieshjane , pasi kostoja e tyre ishte e madhe.  Ato i kanë ndërtuar familjet më të njohura,  më të pasura dhe më të mëdha të kohës. Numri i tyre është simbolik. Banesa të këtilla tipike  janë ndërtuar  në fshatin Muzheçk, Nikmarash, Stjepoh, Bëkaj, Poprat dhe Cem të Trieshit. Pa pretenduar t’i veçojmë  dhe t’i evidentojmë të gjitha , në mungesë të dhënave historike,   po përmendim disa nga ato nga kujtesa popullore: Kulla e Mark Gjurashaj, Marash MarkutGjeloshaj, Gjelosh Tomës Ujkaj, Dedë HusitNikprelaj, Gjon Markagjonajve, Nishk GilësLucaj, Gjeto Gjekës Lucaj, Gal Smajlit Lekoçaj, Marash Perit Nikprelaj, Mirash Prekës Lucaj, Baco Smailit  Lekoçaj, Gjelosh Nikës Gjokaj, dhe Gjon Ujkës Gjurashaj. Këto tipe banesash malësore-shqiptare janë  shtëpi-kulla  njëkatëshe përdhese, të ndërtuara  prej guri natyror të papërpunuar dhe të latuar, të ndërtuara kryesisht nga mjeshtërit vendas. Pjesa e poshtme e tyre, respektivisht  kati   përdhes  ka shërbyer për mbajtjen e kafshëve shtëpiake. Nuk kishin rëndësi katet e kullës, dy, tre apo katër, por pesha e fjalës që maturohej aty. Këto kështjella të vogla banimi kanë qenë fole trimash dhe shtëpi baruti për armikun,  i cili  ka synuar të pushtojë e nënshtrojë  trojet  e  këtyre malësorëve kreshnikë. Bashkë me to  trieshjanëtfaktojnë qëndresën dhe përpjekjet e tyre kundër pushtimit turk e malazez, për të ruajtur frymën dhe identitetin e tyre autentik, njëherësh qytetërimin e tyre evropian. Ato janë karakterizuar nga bujaria dhe mikpritja e popullsisë fshatare. Padyshim mikpritja shqiptare si vlerë unike e popullit tonë nuk mund të kuptohet as në Triesh pa kullën dhe pa shprehjen: “Bukë e kripë e zemër.”

Sipas  të dhënave të historike Mark Gjurashajishte i pari në Triesh, i cili ndërtoi kullën prei  guri, të gjatë  afro 40 metra, me gurë të latuar dhe gëlqere, me një mjeshtëri të madhe. Sipas gojëdhënave kulla e Mark Gjurashajt, ishte ndërtuar për 3 vjet, dhe e  kanë  punuar me përkushtim mjeshtërit  më të mirë të kohës Çatia (pullazi)  e saj ishte e mbuluar me rrasa guri. Kulla thonë se kishte 3 hyrje, dhe ishte shumë e lartë, me disa frëngji, duke i përngjarë shumë një fortifikate tipike ushtarake të kohës, për tu mbrojtur nga armiku. Ajo është e dalluar dhe krahasohet me kështjellat e pamposhtura, të cilën  e ka “ përpirë” koha.  Të gjitha kullat e tjera të mëvonshme dallohen   nga ajo   për  nga pamja dhe struktura e tyre. Ato janë  më të vogla, më të thjeshta , pa frëngji e elemente tjera  të veçanta   arkitekturore,  por  jo aq shumë për nga pesha kulturore e historike.  Kullat e Trieshit  më shumë  kanë shërbyer  si vende ku gjallon jeta  malësore në tërë hapësirën e vet sociale dhe ekonomike sesa si fortifikata për luftë.  

Kulla njëkatëshe e Gjelosh Nikës Gjokaj, në fshatin Muzheçk   e gjatë afro 20 metra,  sipas pasardhësve të saj, është e  vjetër më se 200 vjet. Atë e ka ndërtuar pronari i saj me gurë vendi  dhe me gëlqere. Muret e saj të jashtme janë të gjëra  afro 1 metër.  Kjo kullë u dogj  dhe u shkatërrua  krejtësisht nga sulmet mizore ushtarake të   vojvodës , Mark Milanit në vitin1876 , sepse familja e Gjelosh Nikës nuk pranoi  pushtetin malazez.   E pa prishur kishte mbetur vetëm një pjesë e murit të saj. Kjo familje, sikurse edhe familjet tjera të këtij fshati, të pafuqishëm për t’u përballuar sulmeve të rrepta të ushtrisë malazeze, nga frika e vdekjes,  u detyruan të lëshojnë ( të ikin) shtëpitë,   për të shpëtuar jetën e tyre  dhe  gjetën  strehë  në Cem të Trieshit. Pas kthimit të popullsisë fshatare    në vendin e tyre  të lindjes  Gjelosh Nika  e renovoi kullën e vet në themelet ekzistuese pa ndryshuar asgjë në strukturën e saj origjinale. Kjo kullë u rinovua  për herë të dytë në vitin 1961. Me këtë rast  pullazi i saj i mbuluar me kashtë u zëvendësua me tjegulla lugore, të cilat  në atë kohë i kishte  rrallë  ndonjëri  në Triesh.  Në këtë kullë aktualisht nuk jeton askush prej familjarëve të saj , por ata   përkujdesen dhe e  mirëmbajnë atë dhe sot për shkak të historikut të saj  dhe respektit ndaj të parëve të  vet.

Kulla njëkatëshe e Marash Markut  ( kryekapidan i Trieshit) në fshatin  Nikmarashështë ndërtuar para 180 vitesh me gurë të vendit, me gëlqere, nga mjeshtrit trieshjanë.  Muret e jashtme të saj janë të gjerë se 80 centimetër.  Ajo ka një histori  tragjike, të përgjakshme. Brenda saj  u vra, mëngjesin e 11 shkurit 1951  nga forcat serbo-malazeze,   DodëSmajli  Gjeloshaj, i cili kishte lindur në këtë kullë, për  të mos e dorëzuar mikun e tij të panjohur malazez, Radomir Mirasheviqin, oficer ushtarak nga  Dojani, afër Titogradit ( sot Podgoricë), të cilit i dha besën se do ta përcjellë për në Shqipëri.  Kjo kullë historike,   për fat të mirë  është e banueshme. Aty jeton pinjolli i kësaj familje zëmadhe Mark Noshi me familje, i njohur në Malësi si vajtor ( britmëtar) i dalluar.

Kulla më e vonshme dhe e fundit që është ndërtuar në Triesh është ajo e Gjon UjkësGjurashaj, në fshatin Nikmarash.  Gjon Ujka e ngriti kullën  në shtëpinë e vjetër në vitin 1920 nga kursimet  dhe fitimet , siç thoshte ai , të mëdha  gjatë qëndrimit të tij prej 13 vitesh  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë shtëpi-kullë e ndërtoi  me gurë të latuar, kurse punët ia besoi  Baca Nikë Gjeloshaj. Ndryshe nga kullat tjera  në Triesh ajo kishte një stil të veçantë.   Sipas dëshmisë  të Baca Nikës,   Gjon Ujka  i drejtohet  atij me këto fjalë të bukura: ” Edhe vetëm nji gurë ni e vësh në murë g’jatë tanë ditës, boll ke punua”. Ndërsa Baci e pyeti: ” Gjon, a aq shumë ke fitua në Amerikë, a ?”, Gjoni i‘a ktheu;”Po Baco, aq shumë sa as fmit’ e mi s’kanë me mujt me i harxhua”. Ajo sot  qëndron në këmbë  të veta e pa dëmtuar, porpër fat të keq është e  pabanueshme.

Për kullat e tjera në Triesh nuk kemi të dhëna as nga kujtesa popullore për kohën e ndërtimit të tyre. Ajo që dimë me saktësi është fakti se pothuaj të gjitha janë lënë në mëshirën e kohës.  Ato për shkak të moskujdesit  ndaj tyre janë dëmtuar në masë të madhe  ose janë shkatërruar plotësisht. Po shemben kullat e këtushme, që dikur ishin krenari, ndërsa sot  janë dhimbje kombëtare. Popullata e kësaj trevë në pamundësi jetese iku dhe i la të gjitha,  kullat e moçme bashkë me arkitekturën e tyre, qoshet e kullës, oxhakët, qemerët e  derës, dritaret  që mbylleshin  me kapak prej dërrasave të trasha të qarrit dhe gjithçka tjetër nga memoria historike.

Edhe pse këto  objekte ( shtëpi) tradicionale familjare, që paraqesin një pjesë të trashëgimisë sonë kulturore,   janë degraduar në masë të madhe ato flasin në gjuhën e të parëve tanë,duke sjellë edhe sot në kohërat moderne një pjesë nga e kaluara jonë e largët. Për këtë pasuri kombëtare dhe këtë pjesë të trashëgimisë sonë kulturore , e cila po vdes para syve dhe askush nuk po vë dorë, nuk ka sesi   mos të dhemb shpirti. Ndërkohë, që institucionet e shtetit heshtin. Vallë,  sa u kushton  atyre që të subvencionojnë  këto pak kulla në Triesh , në mënyrë që kjo pasuri të vihet në shërbim të njerëzve,  në shërbim të historisë dhe të turizmit ?