Gjon Gjonaj, misionar i arsimit shqip

Nga Gjekë Gjonaj

Në historinë e arsimit shqip në Mal të Zi   e ka vendin e vet edhe  mësuesi i dalluar  i kohës së tij Gjon Marku Gjonaj, (1930-1999) nga fshati Rudinë, Triesh, Malësi.  Ai   i takon atij brezi  mësuesish shqiptarë ( malësorë)  të diplomuar  në  Shkollën Normale të Gjakovës, institucionit të parë profesional pedagogjik i hapur në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, misioni i së cilës ishte përgatitja profesionale  e kuadrove për fushën e arsimit në ish-Jugosllavi. Ky mësues  i nderuar, personifikon një nga emrat e rrallë të arsimit shqip  të asaj kohë në  Mali të Zi, i cili më se 40 vjet  ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në  Malësi. Erdhi në  Malësi  atëherë kur iu desh   më së shumti dhe qëndroi në  vendlindje  për gjithë kohët e vështira që kaluan shqiptarët   për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë,

Mësuesi i përkushtuar Gjon Gjonaj   me punën e vet, me ritme të pandërprera, një jetë të tërë pune të palodhshme, ia kushtoi arsimit dhe edukimit në  shkolla në  Hot dhe në Triesh të Poshtëm, duke shpërndarë rrezet e dijes dhe të arsimit, duke përhapur dije dhe kulturë , duke mbetur shembull i punës, angazhimit dhe i sakrificës dhe duke lënë vepër pas vetes. Fshatrat ku  ai  punoi në fillim, bashkë me pishtarët e tjerë  veteranë të arsimit në Malësi,  ishin pa rrugë, pa rrymë elektrike, tepër të varfëra dhe larg qyteteve. Në atë kohë kushtet ishin të vështira. Puna me nxënës nuk ishte aspak e lehtë për shkak të kushteve më se minimale për zhvillimin e mësimit.  Nxënësve u mungonin fletoret, lapsat dhe mjetet tjera të nevojshme për mësim. Megjithatë  ky misionar i arsimit me një vetëdije të pakufishme, në kohë të vështira, me gjithë qenien e tij u angazhua në shuarjen e analfabetizmit në krahinën e Malësisë. Ai e kuptoi se beteja kundër analfabetizmit dhe edukimit kulturor të popullit është detyrim kombëtar, prandaj  me përkushtimin  përcolli  mesazhin e  rilindësve të shquar se “pa shkollë nuk ka dituri, pa dituri s’ka jetë”. Takti i tij prej një pedagogu të shquar ishte për t’u admiruar.

Mësuesi Gjon  në shkollë punoi me zellin dhe përkushtimin më të madh, vetëm e vetëm që brezat e rinj të  Malësisë  dhe më gjerë  të marrin dije, kulturë  dhe edukatë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me njeri të përkushtuar dhe kontribuues me rëndësi në ato vite tepër të vështira në përhapjen e rrezeve të dritës së diturisë për popullatën që  kishte nevojë për shkrim e  lexim shqip. Për gjithë ato vite qe punoi dhe kontribuoi ne arsim, mbajti ditarin me sukses dhe krenari. Në rrugëtimin e tij të gjatë të  dritës dhe diturisë rrëmbeu   e pushtoi zemrat e nxënësve. Atyre u dhuroi  dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e drejtësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi. Depërtoi thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësit. Gjithmonë  kishte kujdes  të mos i lëndojë emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloemocionet  e veta .Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesion, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë.  Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës. Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, duhet të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit , u thoshte kolegëve të rinj mësuesi Gjon.

Frytet e punës së këtij meteori  të arsimit shqip në Mal të Zi bëqë nga gjeneratat që ai nxori të dalin intelektualë dhe personalitete të shquara, të cilët sot gjinden në vende dhe  shtete të ndryshme të botës. Për punën e tij të suksesshme në edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë në vitin shkollor 1i987/1988 me rastin e shënimit të Jubileut të artë-100-vjetorit të themelimit dhe ekzistimit të Shkollës Fillore “ Gergj Kastrioti-Skënderbeu”, si pedagog i dalluar  i këtij tempulli të arsimit  dhe kulturës u dekorua  me Urdhrin  e Punës.  Edhe ky çmim prestigjioz është një homazh për jetën e tij, model prej qytetari të devotshëm atdhetar dhe një dëshmi për ta vlerësuar. Koha i jep secilit atë që meriton, nganjëherë me vonesë, por kush lë vepër pas vetes, jeton gjatë.

Ky dashamirës i përjetësuar i arsimit dhe edukimit shqip  ka mbetur  në kujtesën e mësuesve dhe të nxënësve. Ish- kolegët dhe ish-nxënësit e  tij veçojnë shumë vlerësime  dhe flasin me respektin dhe admirimin më të madh për këtë shëmbëlltyrë të arsimit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili la përshtypje  të pashlyeshme tek ata dhe  njerëzit e tjerë  me të cilët punoi dhe bashkëpunoi.  Në kujtimet e tyre ata e përmendin si njeriun që u ka hapur portat e dijes dhe ka ndihmuar të ecin përpara në jetë. Kjo nuk është pak.

Figura e  këtij personaliteti të shquar në fushën e arsimit  shqip,  edhe pas vdekjes, gjithnjë  respektohet dhe çmohet  jo vetëm nga punonjësit e arsimit , por edhe nga masa e gjerë e popullit. Me punën e tij i dha një dimension të ri profesionit të mësuesit, si njeri që sakrifikoipër të ardhmen, sakrificë që shprehet në përkushtimin ndaj familjes, punës dhe shoqërisë. Në përvojën e  tij  jetësore të gjatë në arsim gjithmonë ishte dhe mbeti parimi se të edukosh dhemësosh gjenerata të tëra nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe përgjegjësi e madhe. Nderimi për punën që ke bërë është vetë puna”, ka thënë filozofi amerikan Ralph Waldo Emerson.