Kapiteni Dreshaj: Ndeshja me KF Drita do te jetë shumë e fortë, jemi të njëjtit rang

“Kemi emocione të mëdha, jemi gjenerata e parë në historikun 95 vjeçar të klubit që do të marrim pjesë ne ligë evropiane”, shprehet kapiteni i KF Deçiqi, Xhonatan Dreshaj.

KF Deçiqi ka gati një shekull ekzistencë, por është kjo gjenerata e cila po shkruan histori, dhe kjo është hera e parë që klubi do të marrin pjesë në ligë evropiane.
Jo më shumë se dy vite më parë, Deçiqi ishte në fund të Ligës së Dytë të Malit të Zi, dhe ishte duke rrezikuar ramjen edhe nga ai rang, por ishte edhe pranë një shkatërrimi total.

Me kalimin e pronësisë së klubit nga Komuna e Podgoricës në pronësi të Komunës së Tuzit, dhe me një reformim të udhëheqësisë së klubit, KF Deçiqi fitoi ligën e dytë, këtë sezon doli në Ligën e parë dhe u rëndit në maje tabelës, ishte finalist i Kupës së Malit të Zi dhe siguroi dalje në Evropë; në Europa Conference League.

Ndeshja e parë që Deçiqi do të luaj në Europa Conference League do të jetë me KF Drita nga Kosova, që konsiderohet një derbi në mes dy ekipeve shqiptare.

Kemi emocione të mëdha, jemi gjenerata e parë në historikun 95 vjeçar të klubit që do të marrim pjesë ne ligë evropiane. Shorti deshti që të luajmë kundër nënkampionit të Kosovës, Dritën e Gjilanit e cila vite me radhë po bënë rezultate të mira”, shprehet për Malesia.org kapiteni i KF Deçiqi, Xhonatan Dreshaj.

Ndeshjet në mes Deçiqit dhe Dritës luhen më 8 dhe 15 korrik.

Kapiteni Dreshaj thotë se do të jenë dy ndeshje të vështira, megjithatë mendon se do të dalin fitimtarë.

Për ne ky është një shtegtim i ri, por mendoj se kishim fat në short se jemi dy ekipe të rangut të njëjtë”, shprehet Dreshaj.

Ai shpreson se do të lejohet publiku në stadium, pasi që përkrahja nga tifozët ka një rëndësi të veçantë për çdo ekip.

Në anën tjetër, tashmë dihet se kush do të jetë kundërshtari i fituesit në mes Deçiqit dhe Dritës, dhe ky është një ekip me bagazh të madh në futbollin holandez por edhe evropian. Feyenoord është ekipi holandez i cili do të luaj kundër fituesit Deçiqi-Drita, një klub i cili ka fituar 15 herë kampionatin holandez, por është edhe fitues i Champions League dhe Europa League.

Të gjithë e dimë se kush është Feyenoord dhe çfarë historikut ka ky klub i madh, dhe pikërisht është ky një motiv më i madh që të fitojmë ndeshjen me Dritën, sepse e dimë se çka na pret më pas, pasi që të luash kundër një ekipi të madh siç është Feynoord është arritje dhe eksperiencë e veçantë, sidomos për ne që në krahasim me ata jemi një klub nga një vend i vogël”, shprehet për Malesia.org, kapiteni i KF Deçiqi Xhonatan Dreshaj.

/MALESIA.ORG/