Pas epokës bujqësore dhe industriale, tanimë shoqëria njerëzore ka hyrë në periudhën informatike, madje edhe në atë të robotikës apo të inteligjencës artificiale. Zhvillimi marramendës i shekullit XXI (digjitalizmi, iPhone, iPad, PlayStation, video-lojërat etj), përveç shumë të mirave shkakton edhe kokëçarje, në veçanti për familjet në raport me pasardhësit, me fëmijët e tyre, që i duan shumë por edhe druajnë për qenien e tyre të sfiduar nga veglat e shoqërisë virtuale, që krijon varësi që dobëson muskujt, që dërmon trurin në zhvillimin e sipër të fëmijës, por edhe të të rriturve.
Ju ka ndodhur që të bëheni nevrik me fëmijën tuaj për shkak të përdorimit të gjatë të celularit apo tabletit, t’ia merrni dhe më pas të mëshiroheni dhe t’ia ktheni? Dhe sërish të keni dilema dhe droje. Me gjasë: Po! Ka kohë që si individ dhe si familje i kemi hyrë një aventure apo beteje të re: asaj të racionalizmit apo normalizimit të raporteve fëmijë-celularë apo fëmijë-teknologji informatike. Ndërkohë do shënuar se edhe një pjesë e të rriturve janë pre e këtijë problemi botëror.
Varësia nga celulari apo ndryshe termi “nomofobi” është krijuar në vitin 2008 nga Stewart Fox-Mills gjatë prezentimit të rezulltateve të një ankete të realizuar lidhur me përdorimin e celularëve nga qytetarët britanik. Ky term shenjon një sëmundje të re të shekullit të teknollogjive informatike: “fobia nga mospasja e celularit apo telefonit”. Sipas tijë nomofobia është një ndjenjë irracionale dhe ngulmuese që vjen nga frika për të mos qenë i lidhur me internetin përmes “telefonit të urtë”.
Kjo varësi konsiderohet si fobi e modernitetit që është futur në jetën tonë si rrjedhim i ndërveprimit mes njerëzve, informatave mobile dhe teknologjive të komunikimit; dukuri për të cilën komuniteti mjekësor diskuton që të cilësohet apo të kategorizohet edhe zyrtarisht si gjendje psikiatrike, si çrregullim i mënyrës së jetesës. Është një varësi nga telefoni që formëson sjelljet sociale dhe shëndetin mental të një pjese të mirë të njerëzve; një varësi ekstreme nga telefoni që brengos prindërit, institucionet, shoqërin. Një sëmundje që po na i vjedh fëmijët dhe brezin.
Varësia nga telefonët e mençur apo smartfonët nuk ndikon vetëm te mendja, por edhe te raportet ndërnjerëzore, ku një person fizikisht është prezent por psikologjikisht s’është aty, gjendet në një botë tjetër, në një botë të tij, që e ndan nga rrethina, nga realiteti konkret. Kjo varësi shkakton probleme të natyrave të ndryshme, mes tjerash edhe ato oftalmologjike apo të syve, në performancën në vendin e punës, në raportet brendafamiljare, bashkëshortore e të ngjashme. Sa punëtor janë spostruar për shkak të pasivitetit! Sa divorce ndodhin për shkak të dhunës së ushtruar si rrjedhim i psikologjisë së prishur, i lidhjeve të fshehta me persona të tjerë që janë pykë e vënë mbi trungun familjar!
Si tregues tipik të nomofobisë janë shprehia e mbajtjes aktiv të telefonit përgjatë gjithë ditës, tendenca e shqetësimit kur s’ke celular, postimet e shpeshta online për veten dhe përvojat, kontrollimi i vazhdueshëm i mobilit, i disa aplikacioneve, si dhe shpeshtësia e pranimit dhe bëries thirrjeve, e shkrimit permanet të porosive. Hulumtimi i shkencëtarëve ka treguar se 53% e britanikëve ndjehen në siklet të madh nëse e humbnin telefonin mobil, ose janë jashtë rrjetit. Rezultate më trazuese kanë dalë edhe nga sondazhi për SHBA nga Harris Interactiv: 63% të anketuarit janë shprehur se ndjehen keq nëse për një periudhë të gjatë qëndrojnë larg celularëve të vet. Qytetarët digjitalë Italianë besojnë se smartfonët, interneti dhe rrjetët sociale ua kanë përmisuar jetën sociale (54%), duke shtuar se s’mund ta imagjinojnë jetën pa celular. 81% i mbajnë aktivë telefonat e tyre edhe natën, kurse 68% i hapin mënjëher me t’u ngritur në mëngjes.
Disa shkencëtar e lidhin këtë problematikë me një ndryshim të madh në histori dhe me panikun moral. Hulumtimet tregojnë se varësia nga telefoni është klinike. Simptomet kryesore janë djerësitja, dridhja, frymëmarja abnormale dhe ndjenja e frikës. Bota akademike tregon se si te brezi i ri të qenët i shkëputur nga telefoni ose komjuteri mund të shkaktojë shqetësim, irritim, stres, panik, madje edhe depresion. Natyrisht që jo të gjitha sjelljet që kanë të bëjnë me përdorimin e smartfonëve mund të quhen patologjike, por ama është e qartë se përdorimi i tepruar e këtyre mjeteve ka rezultuar me shfaqjen e një rreziku të ri masovik që kërkon trajtim serioz nga shumë perspektiva.
Si përfundim mund të themi se teknologjia po krijon një kategori të re të “robëve”. Andaj për të rifituar lirinë dhe për ta shijuar jetën duhet që t’i lëmë kohë edhe vetes, familjes dhe miqve tanë që i kemi pranë. Teknologjia nuk është uni jonë i zgjatur siç pohojnë disa. Ajo është tjetri afër nesh, me tendencë për t’u përbrendësuar në ne. Andaj të bëhemi vetja: të shkëputemi nga celulari së paku në dhomën e gjumit dhe në tavolinën e bukës. Të fillojmë ne të rriturit, që të ndikojmë te fëmijët. S.O.S për gjeneratën e re! Për të gjithë ne bien këmbanat! Për ardhmërinë e shoqërisë dhe njerëzimit.
Qani Osmani