SHBA – Gjeloshaj takon drejtoreshën e Zyrës për Malin e Zi në Departamentin e Shtetit Amerikan

Kryetari i komunës së Tuzit, së bashku me Martin Vulaj, drejtorin Gjeneral të PAAC-s në Washington DC, takuan drejtoreshën e zyrës për Malin e Zi në Departamentin e Shtetit, Florence Akinyemi.

Ata biseduan për situatën aktuale politike në Mal të Zi, ku në detaje kryetari Gjeloshaj njoftoi zonjën Akinyemi, mbi cënimin e vazhdueshëm të Qeverisë aktuale në Mal të Zi ndaj interesave Amerikane dhe perëndimore.
Po ashtu edhe mbi diskriminimin e pakicave në Mal të Zi, sidomos shqiptarëve.

Siç thekson Gjeloshaj, ishte konstatim i përbashkët se rruga e vetme drejt zhvillimit të shtetit dhe luftimit të korrupsionit është ndjekja e politikave pro evropiane dhe pro amerikane, me pikësynim kryesor integrimet evropiane.

Drejtoresha Akinyemi e falënderoi kryetarin Gjeloshaj për bisedën, ndërsa nënvizoi se takimi i sotëm ishte një mundësi më shumë për tu njohur me detajet mbi situatën aktuale në Mal të Zi dhe u zotua që çështjet kryesore që u diskutuan në takim do t’i përçojë te zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit.
Ajo gjithashtu theksoi se SHBA-të kanë në fokus të veçantë mbrojtjen e të drejtave të pakicave në çdo shtet të botës dhe se komunikimi midis tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mënyra të ndryshme e përmes përfaqësuesëve nga Departamenti i Shtetit amerikan.