C’èKryetari i partisë Lidhja Demokratike Shqiptare në Malin e Zi, Nikollë Camaj shprehet se situata politike e trazuar në Malin e Zi është drejt fundit dhe zgjidhja për të është vijimi i kursit politik në integrimin evropian.
“Pastrimi i përfaqësuesve të ish-regjimit nga elementë të korruptuara dhe pastrimi i fituesve të rinj nga elementët kler fashiste do krijojnë një bllok të ri, që do arrijë me një ristrukturim të qeverisë ose zgjedhje të reja. Nga kjo marrëveshje do dalë një strukturë konstante politike, ku shqiptarët mund të jenë vetëm “dekor”, por ne duhet të jemi pjesë e njohur në Kushtetutë si pjesë shtetformuese në të ardhmen”, tha ai.
Ai shton se nëse do jetë pjesë e qeverisë të ardhshme do kërkojë mundësi të reja, që përmirësojnë jetën e shqiptarëve.
“Ne do shfrytëzojmë mundësinë që në një qeveri të ardhshme, nëse ne do të jemi pjesë e saj të jemi palë me mundësi vendimmarrje, të përmirësojmë jetën e shqiptarëve dhe jo të jemi “dekor” i dikujt. Kjo qeveri ka nevojë për pakicat që të legjitimohet. Nëse jemi pjesë e saj ne do bëjmë të pamundurën të përfitojmë më të mirën e mundshme për shqiptarët autoktonë në Mal të Zi”, shtoi ai.
Gjatë intervistës z. Camaj deklaroi se ndër vite e vetmja forma që komunat e drejtuara nga shqiptarët në Mal të Zi të siguronin investime nga qeveria, ka qenë nëpërmjet presionit në media dhe përmes strukturave ndërkombëtare.
Ai theksoi se në zgjedhjet e reja do ishte mirë që shqiptarët të merrnin pjesë në një listë dhe të ishin më të bashkuar në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve, në parlamentin e Malit të Zi.
“Përmes një liste do të kishim një përfaqësim të denjë të shqiptarëve, për faktin se qeveria do kishte një zgjidhje. Nëse ka shumë zgjedhje do punojnë me atë që kanë “pazarin” më të ulët,”- tha ai.
Fryma negative ndaj shqiptarëve në Malin e Zi, sipas z. Camaj ndihet më shumë kur bisedohet për çështjen e Kosovës.
“Në raporte personale nuk ndjejmë frymë negative ndaj shqiptarëve, pasi respektojnë realitetin dhe shqiptarët e këtu. Gjatë bisedave në lidhje me çështjet e Kosovës ndërron gjithçka, pasi thonë se Kosova është Serbi, edhe pse mundohemi t’ua heqim këtë mendim”, shtoi ai.