Austro-Hungaria do ta pushtoj Malin e Zi dhe do të hyjë në Shqipëri vetëm në fund të janarit 1916. Ashtu që si kishte mundësi Deda të bashkëpunoj me austro-hungarezët, kur ishte vrarë katër muaj përpara?
Nga Mark Junçaj, prof. i Historisë
Është interesant fakti se disa figura shqiptare, edhe sot, e të gjitha gjasat janë se edhe nesër, janë pengesë për autoritetetsllave. Këtë e dëshmon edhe rasti i shtatorëe së Dedë Gjon Lulit në Bardhaj të Hotit, e cila shtatore shihet si pengesë, e nuk do të ishte pengesë, sikurse të bëhej fjalë për ndonjë Mlladiq, Karaxhiq apo ndonjë person të ngjashëm, të cilët nuk e kanë kursye veten as të urdhërojnë ekzekutime të krimeve të ndryshme. Mirëpo, Deda lindi, jetoi, veproi, sakrifikoi gjithçka, jo vetëm jetën, por edhe familjen, për kombin e vet dhe nuk u shqua për krime, por për akte të ndryshme atdhedashurie. Andaj, me kalimin e kohës, e zuri vendin në rendin e heronjve kombëtar.
Është interesant se, me gjasë, kanë frikë nga heronjtë shqiptarë, edhe kur janë të vdekur, edhe pse më nuk dihet se ku u ndodhen eshtrat e Dedës. Mirëpo, pasi që Deda ishte shqiptar, për kënd do të duhej të punonte? Për vetin apo të tjerët? Dihet se ai që nuk e respekton së pari veten, nuk do të respektohet as nga të tjerët. Nga ky parim është nisur edhe Dedë Gjon Luli, por duket se nuk ka vend për heronjtë shqiptarë, edhe pse me Kushtetutë Mali i Zi është shtet demokratik dhe se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar. Mirëpo, kjo duket më shumë ka të bëj sa për sy e faqe, për të treguar para opinionit ndërkombëtar se respektohet edhe kombi shqiptar, sesa i korrespondon të vërtetës.
Dedë Gjon Luli po akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor i Austro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore, por që ta shohim se sa ka pas mundësi të jetë bashkëpunëtor i tyre, ta shohim shkurtimisht historinë e Dedë Gjon Lulit. Dihet se Deda lindi më 1840 në Bardhaj të Hotit dhe se në atë kohë,Hoti, si edhe e gjithë Malësia e Madhe, i takonte Vilajetit të Shkodrës, konkretisht Perandorisë Osmane. Pra, nuk ka lindur në Mal të Zi, që të mund të argumentohet se është dashur të punoj për Malin e Zi, por në tokat e banuara vetëm nga shqiptarët. Që në moshë të re e tregoi atdhedashurinë, saqë do të jetë aktiv edhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos më 1880, me rastin e mbrojtjes së Hotit dhe të Grudës. Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, për një kohë do të shpallet edhe i jashtëligjshëm nga Perandoria Osmane. Do të përkrah edhe hapjen e shkollës në Hot, si edhe Lidhjen e Pejës, të udhëhequr nga Haxhi Zeka. Lavdinë më të madhe do ta fitoj gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, i cili, edhe pse në moshën 71 vjeçare, do të jetë udhëheqësi i saj. Me udhëzimet e tij, më 6 prill do të ngritët flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Bratilë të Deçiqit, nga kushëriri i tij, Nikë Gjelosh Luli. Do të jetë nënshkrues i Memorandumit të Greçës, i cili u nënshkrua më 23 qershor 1911, me anë të cilit kërkohej autonomia e Shqipërisë. Është fakt se nuk do të pajtohet me aneksimin e gjysmës së Malësisë nga ana e Malit të Zi, por do të shkoj deri në Vlorë tek IsmailQemali, për të deklaruar se Malësia e Madhe e njeh qeverinë e Vlorës. Pas atentatit të Sarajevës do të shpërthej Lufta e Parë Botërore dhe pasi që gjatë gjysmës së parë të vitit 1915 në frontin ballkanik nuk do të ketë luftime të mëdha, por, kryesisht do të ruhen pozicionet, Serbia dhe Mali i Zi në qershor të vitit 1915 e sulmojnë Shqipërinë, e cila që në fillim të luftës e kishte shpallur neutralitetin. Sipas këtij fakti, Shqipëria do të duhej të mbetej jashtë luftës dhe të mos sulmohej nga asnjë palë, por këto dy shtete ballkanike këtë nuk e morën fare parasysh. Mali i Zi, pas një rrethimi 17 ditor, do të arrijë ta pushtoj Shkodrën dhe, së bashku me Serbinë, do të organizoj përndjekjen dhe vrasjen e atdhetarëve shqiptarë siç janë Mehmet Shpendi, Dedë Gjon Luli, Çerçiz Topulli, Isa Boletini etj. Deda kapet nga forcat sllave dhe esatiste në Mirditë dhe ekzekutohet më 24 shtator 1915. Nga e gjithë kjo nuk shihet se Dedë Gjon Luli ka pas mundësi të bashkëpunojë me Austro-Hungarinë, pasi që ajo ende as nuk kishte hyrë në tokat shqiptare. Austro-Hungaria do ta pushtoj Malin e Zi dhe do të hyjë në Shqipëri vetëm në fund të janarit 1916. Ashtu që si kishte mundësi Deda të bashkëpunoj me austro-hungarezët, kur ishte vrarë katër muaj përpara?
Mirëpo, duket se nuk ka rëndësi e vërteta dhe fare nuk na çudit fakti se Dedë Gjon Luli u pengon, pasi që kjo është vetëm një përsëritje e historisë, dhe e shohim se si qeveria e vjetër, si e reja, kur janë shqiptarët në pyetje, i lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe kanë qëndrim të njëjtë lidhur me shqiptarët dhe figurat e tyre të ndritura. Por, do të duhej të jetë një mësim për ne, që të jemi shumë vigjilent, për ditë e më të bashkuar dhe mos t’u besojmë, pasi që gjatë historisë, na kanë shfrytëzuar dhe mashtruar sa e sa herë. Pa marrë parasysh qëndrimin e tyre dhe të ndonjërit, që për interesa personale ua bënë edhe qefin duke u munduar të baltosin apo t’ua falin heronjtë shqiptarë, figurat e ndritura kombëtare nuk mund të baltosën, të dhunohen dhe as të nënçmohen, pasi që, sa më shumë të ndalohen, dalin edhe më të fuqishëm, sepse mbesin në kujtesën e popullit, e cila nuk mund të fshihet në asnjë mënyrë. Sa të ketë shqiptarë të mirëfilltë, në veçanti malësorë atdhedashës, emri i Dedë Gjon Lulit nuk do të harrohet kurrë, por do të jetoj aq sa do të ketë shqiptarë atdhetarë mbi tokë.
Andaj, Lavdi i qoftë Dedë Gjon Lulit dhe të gjithë atyre atdhetarëve që vepruan dhe dhanë jetën për kombin shqiptar!