Mbi zhgënjimin e Kosovës nga Rama

Mbrëmë e sot, reagimet ishin të shumta në lidhje më vëndimin e Ramës për mini-schengenin – diçka që në të vertetë edhe pritej ta bënte. Ajo që më bëri përshtypje ishte habia e opinionit në Kosovë. Duket se kishin pritshmëri të larta; shumë ndihëshin disi të tradhëtuar. Prandaj, sinqerisht, më erdhi shumë keq që bashkëkombësit nga Kosova janë zhgënjyer me Ramën.

Mbase ai fjalimi i famshëm që pati bërë në Beograd, që kërkoi njohjën e Kosovës së pavarur, krijoi iluzione. Nuk e di se çfarë pritet nga dikush që vjen nga ish-PPSH-ja, partia që me të drejtë mund të quhët çnjerëzore e antikombëtare? Partia që institucionalizoi përçarjet veri-jug, që shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malësisë i quante e çmonte si të huaj d.m.th. “jugosllavë”. Madje-madje, përgjatë asaj periudhe edhe i burgoste ose pushkatonte ata që arratiseshin për në Shqipëri. Për ata që, naivisht, mund t’i kenë harruar ose shpërfillur rrënjët e partisë së tij e kuptoj që është zhgënjyese, sepse bëhet fjalë për Kryeministrin e shtetit amë. Por për fatin tonë të keq pasardhësit politik të kësaj shtrese e kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë idetë dhe interesat kombëtare. Patriotizmi nuk ka qenë asnjëherë vlerë për ta. E gjithë filozofia e tyre është e bazuar në fuqi, oportunizëm edhe materializëm. Thjeshtë nuk mund të prisni asgjë nga një klasë politike, që nderon e dekoron kriminelët e diktaturës, dhunuesit e popullit dhe xhelatët e figurave më të ndritura kombëtare, të nderojë vuajtën dhe viktimat në Kosovë. Siç mund të shihët, çështja në fjalë nuk është vetëm politike apo kombëtare, por mbi të gjitha parimore, etike, morale. Pikërisht këtu qëndron problemi, qoftë në raport me politikën e mbrendëshme, qoftë me atë të jashtmën. Mjafton të shihni mënyrën si shoku Rama çqeverisë Shqipërinë. Betonizojnë lumenjtë më të bukur të rajonit, shkatërrojnë teatret, monumentet historike e mbi to ndërtojnë pallate private, shkollat private ia ‘dorëzojë’ herë gylenistëve e herë erdoanistëve, etj. Që nga ardhja e tyre në pushtet mbi 600.000 veta kanë braktisur atdhenë, shumica e rinisë ëndërron poashtu të emigrojë. Jo më kot për nga numri i azilkërkuesve Shqipëria rradhitet me vëndet si Siria, Afganistani, etj. Të gjitha këto fakte të hidhura flasin shumë. Kjo lloj qeverie nuk mbron dot as interesat e qytetarëve të vet, ndonëse nga kushtetuta e ka për detyrë që të mbrojë edhe ato të shqiptarëve jashtë kufirit. Shpresoj që nostalgjikët e frymës enveriste, që mund të jenë tek-tuk, në rrallët e partive të majta në Kosovë të zënë mënd një herë e mirë, e të kuptojnë se ku qëndron problemi. Po deshën mund ta lavdërojnë apo mbrojnë ish-regjimin, por të mos harrojnë se për ta, njësoj si për pasardhësit e tyre, kosovarët janë vetëm “miq e fqinj,” se „vëllazëri“ kanë me kinezë e dreq të mallkuar.

Albert Bikaj, politolog