Në sheshin e qytetit është bërë hapja e panairit të parë të bujqësisë në komunën e Tuzit
Ky panair, i cili shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit për sektorin e bujqësisë, ka mbi 20 ekspozues të cilët sot dhe nesër do ekspozojnë prodhimet e tyre vendore, të cilat janë pa dyshim faktori kyç për zhvillimin e ekonomisë vendase.
Në hapje të panairit, kryetari i komunës së Tuzit, Z. Nik Gjeloshaj, vlerësojë si tejet të rëndësishëm realizimin e këtij panairi në vendin tonë, për promovimin e produkteve bujqësore në komunën e Tuzit. “Panairi i bujqësisë është një angazhim yni shtesë institucional dhe i domosdoshëm për reklamimin e të gjitha produkteve në të njëjtin vend, ku njerëzit kanë mundësi t’i shijojnë nga afër produktet që na ofrojnë prodhimet tona vendase.”, theksoi Gjeloshaj.
I pranishëm në hapjen e panairit ishte dhe Ministri i bujqësisë, Pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Z. Aleksandar Stijoviq, i cili ndër të tjera – premtojë përkrahje të vazhdueshme nga ana e ministrisë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në komunën e Tuzit.
Mbas hapjes së Panairit, kryetari Gjeloshaj dhe ministri Stijoviq së bashku me sekretaren e sekretariatit për bujqësi të komunës së Tuzit, Z. Ismeta Gjoka, vizituan tendat, ku u njohën nga afër me prodhuesit dhe produktet e tyre.
Panairi do të qëndrojë i hapur sot dhe nesër nga ora 09:30 deri në 12:00, si dhe nga ora 17:00 deri në 22:00, ku do janë paraparë dhe ligjërata nga ekspert të ndryshëm nga fusha e bujqësisë.
Vizito Panairin, shijo dhe njihu me produktet tona vendase!
Komuna e Tuzit!