Mali i Zi po përballet me situatë të tensionuar pasi më 5 shtator është planifikuar ceremonia e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Ceremonia është paraparë të mbahet në Cetinje të Malit të Zi, mirëpo ka pasur kundërshtime nga ana e komunës, disa organizatave dhe një partie politike.
Komuniteti Ndërkombëtar ka bërë thirrje për ulje të tensioneve, derisa Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi shprehu shqetësim për situatën e sigurisë.
Manastiri i Cetinjës është selia e Mitropolisë së Malit të Zi.
Ku qëndron problemi?
Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.
Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.
Vlladimir Veljkoviq një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.
“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkoviq.
Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.
Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.
Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.
Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.
Sesioni i parë pranveror i Parlamentit të Malit të Zi më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Derisa zyrtarët po mbërrinin në qytet, rreth dyqind qytetarë u mblodhën dhe brohoritën “Kjo nuk është qeveria jonë” dhe “Tradhti”.
Qeveria malazeze, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua vitin e kaluar dhe udhëhiqet nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.
Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020.
Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi.
Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.
Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviqit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.
Kush po e kundërshton ceremoninë në Cetinje?
Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës po e kundërshtojnë ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”.
Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.
Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës.
Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.
Mitropoliti Joanikije i tha Radios Svetigora se “Mali i Zi nuk është vetëm Cetinje”.
“Ata ende nuk kanë krijuar shtetin e tyre të quajtur Cetinje”, tha Joanikije.
Më 3 shtator, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi ka shprehur shqetësim për situatën e sigurisë para ceremonisë së planifikuar më 5 shtator.
Pas një takimi pesë orësh, Këshilli, i kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, përgatiti udhëzime për organet e sektorit të inteligjencës dhe sigurisë të Malit të Zi për t’u ballafaquar me tubime të qytetarëve të planifikuara në Podgoricë dhe Cetinje.
Krivokapiq iu drejtua qytetarëve duke u thënë “të mos bien pre e provokimeve” sepse shteti “do të garantojë sigurinë personale të secilit”.
Siç tha ai, struktura të caktuara politiko-kriminale, të cilat kanë frikë nga reformat në gjyqësor, nuk zgjedhin mjetet për të nxitur tensione, vetëm sa për të ruajtur pozitat dhe përfitimet materiale.
Paraardhësi i tij deputeti i DPS-së, Dushko Markoviq, vlerësoi se Këshilli “nuk mori parasysh vlerësimet për rrezikun nga ngjarjet në Cetinje”.
Ai kërkoi që ceremonia të mos mbahet në këtë qytet.
“Mali i Zi u krijua në Cetinje, ne nuk duhet të lejojmë që ky Mal i Zi aktual të vdesë në Cetinje,”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Sergej Sekuloviq.
Komuniteti Ndërkombëtar kërkon uljen e tensioneve
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve, veçanërisht udhëheqësve politikë në Malin e Zi, që të ndihmojnë në uljen e tensioneve.
Kështu është thënë në një përgjigje të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
“Të gjithë, veçanërisht udhëheqësit politikë, duhet të bëjnë pjesën e tyre për të ulur dhe jo për të tensionet pasi siguria publike është thelbësore”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Më parë, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Malin e Zi dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësim sa i takon tensioneve në rritje, retorikës përçarëse dhe mungesës së tolerancës.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht atyre që mbajnë pozita me autoritet dhe ndikim, të ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit”, ka thënë koordinatori i Përhershëm i OKB-së, Peter Lundberg, në emër të ekipit të OKB -së në Mal të Zi.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero tha se nxitja e ndarjeve etnike dhe fetare dhe mungesa e tolerancës janë “të rrezikshme për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.
Çfarë thonë ekspertët?
Paul McCarthy, nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, fajëson të gjitha palët për përshkallëzimin e tensioneve në prag të ceremonisë së organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, siç thotë ai, duhet të zbusë retorikën, shkruan Zëri i Amerikës.
Ndërsa Edward Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins, e sheh situatën aktuale si vazhdim të përpjekjeve për të ndryshuar orientimin pro-perëndimor të qeverisë malazeze, me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës.
Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e një federate deri më 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë.
Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.