Policia malazeze hodhi të dielën gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe demonstruesish në Cetinë që protestonin kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, në një ceremoni që shpërfaqi ndarjet e thella.
Ceremonia shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije në Manastirin e Cetinës u mbajt mes tensionesh dhe u zhvillua në praninë e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirio, që në Cetinë arritën me helikopter.
Gjatë natës dhe në mëngjesin e së dielës grupe qytetarësh bllokuan rrugën kryesore që çon nga Podgorica në Cetinë si dhe ngritën barrikada në rrethrrotullimin në hyrje të Cetinës.
Më 4 dhe 5 shtator protestuesit kanë kundërshtuar mbajtjen e kësaj ceremonie në qytetin e Cetinjës.
Ata dolën në rrugë dhe vendosën barrikada në hyrje të qytetit për të penguar arritjen e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe nga Podgorica në Cetinje.
Por, Porfirije dhe Joanikije u transportuan me helikopter deri në Manastirin e Cetinjës.
Janë raportuar edhe përleshje me policinë malazeze. Forca të shumta të sigurisë janë vendosur në qytet.
Policia malazeze, tha se janë arrestuar 14 protestues si dhe këshilltari për siguri i presidentit Milo Djukanovic dhe ish Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Veselin Velovic, që ishte në mesin e protestuesve.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq tha se ngjarjet në Cetinje janë një përpjekje për veprime terroriste dhe porositësit dhe organizatorët janë udhëheqja më e lartë e Partisë Demokratike të Socialistëve në bashkëpunim me grupet e organizuara kriminale.
“Sulmi ndaj policisë është një sulm ndaj shtetit”, shkroi Krivokapiq në rrjetin social Twitter.
Krivokapiq vjen nga Fronti Demokratik pro-serb, parti kjo që udhëheq me qeverinë malazeze, pasi vitin e kaluar rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve, pas 30 vjetësh në pushtet.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nga Partia Demokratike e Socialistëve, arriti në Cetinje më 4 shtator. Ai kishte thënë më herët se do të shkonte në protestë nëse Kisha Ortodokse Serbe nuk heq dorë nga ceremonia. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe harmonisë shumëetnike./REL/