Camaj: Çeshtja shqiptare duhet te shtrohet në tryezë të bisedimeve

Kryetari i LDSH, z. Nikollë Camaj, gjatë një interviste eksluzive dhënë të përditshmes “Dan”, deklaroi se besimi ndaj Qeverisë nuk krijohet pa shmangur retorikën klerofashiste, që mund të dëgjohet, nga ana e disa partive që përbëjnë shumicën parlamentare.

Sipas Camaj, vetë formimin e qeverisë e kanë përcjellë rrethana që kanë paralajmëruar një qeveri të paqëndrueshme; opstruksione të regjimit në largim, mosbesim të bashkësisë ndërkombëtare, kundërshtimet e një pjese të shumicës, e cila nuk mori pjesën e pritur të ëmbëlsirës, si edhe pakënaqësinë e pakicave me përjashtimin e tyre të plotë nga procesi, edhe përkunder paralajmërimeve krejt tjera.

“E gjithë kjo krijoi një imazh të krizës së qeverisë, e cila në një moment dukej sikur kishte humbur edhe busullën edhe besimin, por, edhe në një krizë të tillë, ajo u tregua funksionale, në trajtimin e çështjeve shtetërore. Para së gjithash, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjë që është shumë e rëndësishme, dhe për çka edhe kanë fitua mbështetje, por a është kjo e mjaftueshme. Por, që të jetë vërtet funksionale, në të gjitha segmentet, duhet të fitojë edhe besimin e pakicave, çka nuk është rasti tani. Madje, jo vetëm të pakicave, por edhe besimin e një pjese të opozitës, në mënyrë që të formojë shumicën e nevojshme për të ndryshuar ligjet, edhe organet qeverisëse, që garantojnë forcimin e institucioneve shtetërore, dhe sundimin e ligjit. Por, sipas mendimit tim, vendosja e besimit me përfaqësuesit e pakicave është hapi i parë, hap të cilin besoj se e presin edhe adresat nga të cilat kërkojnë mbështetje, e që pjesërisht edhe e kanë. Mendoj në adresat e institucioneve evropiane dhe amerikane. Por, natyrisht, ky besim krijohet edhe duke shmangur retorikën klerofashiste që mund të dëgjohet, nga ana e partive që përbëjnë shumicën, retorikë kjo që nuk shikohen me sy të mirë as nga adresat e përmendura. Sidoqoft, mendoj se është reale të pritet një riorganizim i qeverisë, e cila do të ishte e hapur edhe për partitë e pakicave, sepse nuk besoj se është e mençur që pakicat t’i shtyjnë në të ashtuquajturin bllok opozitar. Pa atë riorganizim, nese i kemi para syshë marrëdhëniet brenda shumicës, nuk përjashtohen as zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Camaj.

Sa i përket politikës së Qeverisë ndaj pakicave, Camaj theksoi se qëndrimi ndaj resurseve në zonën ku jetojnë pakicat ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur, por kjo nuk mjafton sipas tij që të jemi të kënaqur me politikën ndaj pakicave.

“Ka shumë për të bërë, por para së gjithash duhet të ulemi në tryezen e bisedimeve. Sepse ky është proces, dhe unë mendoj se kjo qeveri duhet të ftojë besimin dhe duhet të diskutojë për nevojat tona, e jo të imponojë zgjidhje të gatshme, bazuar në njohsitë, apo vlerësimet e veta. Mjaft ishte një politikë e tillë në 30 vitet e fundit. Ne duhet të ulemi dhe të flasim për nevojat tona, sepse ato nuk i bëjnë dëm askujt, por u kontribuojnë raporteve më të mira, në një të ardhme më të qëndrueshme të vendit dhe rajonit. Pakicat në Mal të Zi, ishin faktor stabiliteti, dhe me nivelin e të të drejtave të tyre nuk rrezikohet interesi kombëtar i askujt, e aq më pak ai i shtetit”, theksoi Camaj.

Lidhur me theksimet nga Qeveria se ata duan bashkëpunim me pakicat.dhe se a është vendosur ky bashkëpunim në ndonjë segment, Camaj pohon se ai theksim ka mbetur në nivelin e shprehjes së dëshirave përmes një takimi, me njërën nga partitë në pushtet, dhe asgjë më shumë.

“Unë besoj se takime të tilla duhet të organizohen në një nivel më të lartë, dhe jo në nivelin e një partie, pavarësisht se sa e fortë është ajo. Nëse kujtojmë tregimin “Plakut dhe rrepi”, e dimë se rrepin e ka nxjerr miu, e jo plaku me të tjerët! Mesazhi, besoj se është i qartë”, shprehet Camaj.

Sipas mendimit të tij se a duhet të bëhet regjistrimi i popullësisë këtë vit, Camaj mendon se kushtet për regjistrim nuk janë plotësuar, sepse atyre duhet t’u paraprijë përgatitja ligjore, si dhe regjistrimi provë, dhe beson se duke e përshpejtuar këtë proces, nuk do të fitojmë asgjë.

“Kjo është arsyeja pse unë jam i mendimit se pranvera është koha më e përshtatshme për regjistrimin e pooullsisë. Janë shtyrë Lojërat Olimpike dhe asgjë nuk ndodhi, e jo më regjistrimi në Malin e Zi. Gjithashtu, unë mendoj se, ndër çështjet e tjera me rëndësi, edhe çështja e regjistrimit është një nga gjërat e rëndësishme për të cilat kjo qeveri duhet të flasë me pakica”, deklaroi Camaj.

Malesia.Org