Me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq nga Heroi Ded Gjo Luli gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe të Kuvendit historik të Greçës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historike, kulturore dhe artistike të Shoqatës “Kënga Jonë”, që u zhvillua në Shkodër.
Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” luftëtarin e paepur dhe atdhetarin legjendar Prekë Cali (pas vdekjes) “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e kufijve shqiptarë në Kelmend të Malësisë së Madhe, gjatë viteve 1911-1926. Në nderim të sakrificave të tij sublime, që lartësuan flamurin kombëtar, duke luftuar deri në vetëmohim për liri dhe mëvetësi”.
Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” atdhetarët e shquar:
Pretash Zekë Ulajn (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si komandant i flamurtarëve të Kojës, në ngritjen e flamurit në malin e Deçiqit, më 6 prill 1911. Me mirënjohje dhe nderim ndaj sakrificave, atdhetarizmit dhe patriotizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar dhe vlerat liridashëse të shqiptarëve.”;
Prekë Gjolajn (pas vdekjes) “Me mirënjohje ndaj kontributeve dhe akteve trimërore me pushkë e me penë në dorë për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjerë, gjatë viteve 1911-1921. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar.”;
si dhe Kolë Maç Smajlajn (pas vdekjes)“Me mirënjohje ndaj kontributeve të shquara për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet 1911-1921, duke luftuar deri në vetëmohim. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar”
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës, u shpreh:
“Jam shumë i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të nderuar një nga kryengritjet më të rëndësishme, që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë, ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiq.
Jemi këtu, për të nderuar përpjekjet e patriotëve të mëdhenj të këtyre trevave, që kurrë nuk i kanë munguar vendit tonë në çdo kohë.
Sot jemi këtu, për 4 patriotë të veçantë, në kujtim të një momenti shumë të rëndësishëm në historinë e vendit tonë dhe jo vetëm të Malësisë!
110 vjet më parë, mendja, sytë dhe shpirti luftarak i shqiptarisë ishin drejtuar në zemrën e Malësisë, në këtë vatër të atdhedashurisë.
Vitet 1910-1911 ishin vite të zhvillimeve të stuhishme, pasi dhuna dhe represioni i pushtuesit otoman kishte detyruar të linin trojet, duke u larguar nga shtëpitë shumë qendrestarë e patriotë të spikatur shqiptarë.
Kjo situatë solli krijimin e Komitetit të Kryengritjes, apo Komitetin e Podgoricës, të cilët të udhëhequr nga legjendari Ded Gjon Luli, më 24 mars 1911, filluan Kryengritjen e Malësisë.
Kjo kryengritje shumë shpejt mori përmasa të jashtëzakonshme dhe pas sukseseve të dy javëve të para, në 6 prillit 1911, trimat e Malësisë, të mbështetur dhe nga përfaqësues të viseve të tjera, çuan në vend amanetin e Gjergj Kastriotit, duke shpalosur flamurin kombëtar me shqiponjën dy-krenore në Deçiq.
Në këtë kryengritje nuk ushtoi vetëm pushka dhe trimëria, por spikati dhe mendja e pena diplomatike e prijësve, që realizuan kuvendin historik të Greçës. 12 kërkesat e memorandumit, të shkruara në këtë kuvend, kishin në themel lirin, mëvetësinë dhe Flamurin Kombëtar.
Kryengritja e Malësisë dhe gjithë përpjekjet e popullit tonë, për liri e pavarësi, janë udhëhequr e drejtuar nga udhëheqës të zotë, të pushkës e penës, njëri prej të cilët ishte dhe mbetet përgjithmonë Prek Cali, lindur në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në familjen e Hasanajve të Kelmendit.
Në këtë fis dhe truall, ai u rrit dhe edukua me vlerat më të mira të trashëguara: urtësia, bujaria, trimëria dhe besa, e mbi të gjitha atdhedashuria.
Për më tepër se gjysmë shekulli, Prek Cali ishte i pari në betejat më të vështira, aty ku luftohej me pushkë, por aty ku luftohej edhe me mendje. Ai dallonte për mençuri e trimëri, duke u bërë një ndër udhëheqësit në të shquar të kryengritjeve për liri dhe pavarësi.
Prekë Cali, do të ishte kryeluftëtari në mbrojtje të kufijve të Vermoshit e Kelmendit, duke i prirë Malësisë, si patriot e atdhetar. Ai i kundërvihej çdo lloj pushtuesi, pa harruar edhe angazhimin e tij, për ruajtjen e qetësisë dhe sigurinë, në zonën ku jetonte e vepronte.
Prekë Cali, mbetet një nga figurat qendrestarë më të spikatura të kohës, që si rrallë kush, jo vetëm luftoj për të ruajtur të paprekur kufijtë e Atdheut, por diti të udhëheq me drejtësi dhe urtësi popullin e tij.
Për gjithë këtë veprimtari të shquar të tij, në mbrojtje të kufijve të vendit dhe të ngritjes së flamurit kombëtar, kam kënaqësinë që t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.
Patriotët dhe trimat e mençur nuk i kanë munguar kurrë Malësisë. Njëri prej tyre ishte dhe Pretash Zekë Ulaj, Bajraktari i Kojës, i cili u rrit me erën e barutit dhe krismat e pushkëve të malësorëve në mbrojtje të trojeve.
Ai mësoi në shkollën e jetës dhe u bë simbol i malësorit të mençur, trim, bujar, besnik e atdhetar, cilësi për të cilat ju besua detyra dhe përgjegjësia e bajraktarit të Kojës.
Në 6 prill 1911, ishte një sprovë e rëndësishme e atdhetarisë edhe për Kojën dhe bajraktarin e saj. Ajo ditë u shënua në përjetësi, me derdhjen e gjakut të shtatë kojasve, të cilëve ju printe bajraktari Pretash Ulaj, në ngritjen në Deçiq të flamurit të Skënderbeut.
Pretash Ulaj nuk e ndali asnjëherë luftën dhe qëndresën në mbrojtje të trojeve shqiptare, por ai, kurrë nuk ia dedikoi vetes sukseset dhe meritat, por trimave malësorë, që e donin, e dëgjonin dhe e ndiqnin atë.
Për gjithë meritat dhe kontributin e çmuar të Pretash Zekë Ulajt dhënë në luftë për liri e flamur kombëtar, kam kënaqësinë t’i akordoj sot Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.
Malësia, si çdo trevë e trojeve shqiptare, ka luftuar me penë e pushkë për liri e pavarësi dhe në çdo kohë ka ditur t’u besojë prijësve të mençur dhe atdhetarë.
Një nga këto figura të Malësisë së Madhe ishte dhe mbetet Kolë Smajlaj i Hotit, i cili, që në vogëli u edukua me frymën e atdhedashurisë.
Ai mori shumë nga edukimi i familjes në zë të Smajlajve, por dhe në kuvendet e burrave të Hotit, me në krye trimin dhe kreshnikun e urtë Ded Gjon Luli.
Kolë Smajlaj do të shquhej si një luftëtarë trim, i urtë e frymëzues për hotjanë në kryengritjen e vitit 1911, duke qenë në krye edhe të ngritjes së flamurit në Deçiç.
Kolë Smajlaj, si njëri nga malësorët me reputacion në popull dhe patriot i palëkundur ishte kundërshtarë, jo vetëm me fjalë i çdo pushtuesi, por dhe me pushkë e organizim, duke qenë gjithmonë në krye, atje ku rreziku ishte edhe më i madh.
Për të gjithë këto meritat, kam kënaqësinë t’i akordoj sot titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.
Çdo trevë e jona ka heronjtë e saj. Natyrisht edhe Gruda, një ndër fiset më të njohur për trimëri, besë e atdhedashuri në Malësi e më gjerë, ka lindur e rritur ndër mote trima e patriot, që u kanë dalë për zot trojeve shqiptare. Njëri pret tyre ishte dhe mbetet patrioti Prekë Gjolaj.
Preka do të shquhej si luftëtar trim dhe i guximshëm, duke spikatur në kryengritjen e vitit 1911, e cila u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Deçiç.
Ai nuk do ta hiqte pushkën nga krahu dhe në luftën për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër serbo-malazezëve, për mbrojtjen e Shkodrës.
Prek Gjolaj, së bashku me trimat e tjerë malësorë e shkodranë, do të luftonte heroikisht kundër pushtuesve, për të mbetur përjetësisht në altarin e lirisë.
Në respekt e mirënjohje të veprës së tij të shquar patriotike, kam kënaqësinë t’i akordoj sot Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.
Nder përjetë të gjithë luftëtarëve e patriotëve të vendit tonë, që luftuan e dhanë jetën për flamur e për atdhe!”