Besnik Jaha: Shqiptarët myslimanë në Mal të Zi po deklarohen boshnjakë

Shkruan: Besnik Jaha

Islami si fe asnjëherë nuk ka qenë asimilues i identiteteve etnike-nacionale. Asimilimin e përkatësisë etnike e ndalon edhe vetë teksti kuranor (lexo citatin 13 nga kaptina Huxhurat!), po edhe Hadithi. Përkundrazi, ruajtja e përkatësisë etnike brenda Islamit është stimuluar shumë, dhe fyerja mbi baza racore e etnike është ndaluar rreptësisht. Për këtë dëshmon rasti i Bibal bin Rabahit, i njohur më shumë si myezini i pejgamberit Muhamed, i cili ishte abisinas, dhe e ruante identitetin e tij etnik e racor, dhe mbrohej prej pejgamberit Muhamed sa herë që dikush tentonte ta fyente mbi baza racore a etnike. Për këtë dëshmon edhe historia jonë. Për shembull, ekzistenca, njohja dhe mbijetesa për një kohë të gjatë e etnive të ndryshme brenda periudhës së sundimit osman është argument i mjaftueshëm se Islami e ruan përkatësinë etnike. Po të ishte  ndryshe, karshi fuqisë së madhe të një perandorie si ajo osmane, sigurisht se nuk do të kishte arritur të mbijetojë thuajse asnjë nga identitetet etnike të popujve nga u shtri ajo perandori Sidomos popujve të Ballkanit.

Mirëpo në Mal të Zi Islami nuk prezantohet siç është. Nuk prezantohet siç duhet. Për më tepër Bashkësia Islame e Malit të Zi hesht para asimilimit mbi baza nacionale, për të mos e thënë “e promovon” asimilimin, sesa nis iniciativa kundër asimilimit. Futja e “veshëve n’lesh” e Omer Kajoshajt dhe Behlul Kanaqit, si zëvendësreisë të Malit të Zi, po edhe e bashkëpunëtorëve të tij, si Muhjidin Milaimi e të tjerëve, përballë asimilimit të shqiptarëve myslimanë në Mal të Zi, të cilët kohëve të fundit me të madhe po deklarohen si boshnjakë, vetëm e vetëm sa për t’i ruajtur “karriget”, po që është akt egoist e antikombëtar. Kjo ngase, përveçqë nuk po sjell efekte pozitive, po  jep rezultate që të trishtojnë. Vetë udhëheqësi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, pra i shqiptarëve, Omer Kajoshaj, pas regjistrimit në vitin 2003 pati bërë një reagim, ku thoshte se pas rezultateve të para të regjistrimit u tregua se 21% e popullatës ishin myslimanë, mirëpo pas disa rishikimeve numri ra në 17.7% nga popullsia e përgjithshme.

Megjithëse myslimanët e deklaruar në Mal të Zi janë të ndarë në tre grupe: shqiptarë, boshnjakë dhe myslimanë “sipas kombësisë” (koncept i krijuar në Jugosllavinë e Titos), janë shqiptarët ata që po e pësojnë asimilimin kombëtar të shtyrë pikërisht nga baza fetare. Derisa shqiptarët në Mal të Zi jetojnë kryesisht në juglindje të vendit, boshnjakët jetojnë në veri, ndërsa grupi më i vogël, myslimanët “sipas kombësisë”, jetojnë kryesisht në qendër dhe pak nga juglindja.

Sot në Mal të Zi sipas strukturës fetare të regjistrimeve të vitit 2011, kemi 72% ortodoksë, 15.97% myslimanë, 3.34% katolikë dhe 3.14% të tjerë (agnostikë, protestantë etj.). Ndërsa sipas gjuhës, 36.97% flasin gjuhën malazeze, 42.88% serbe, 5.33% boshnjake, 5.27% shqipe dhe 0.45% kroate.

Po që se shikohen me kujdes statistikat e pranuar nga BE për Malin e Zi, del se nga regjistrimi i vitit 1991, kur shqiptarët në Mal të Zi ishin 6.6% (apo 40,415), vit pas viti ky numër ka shkuar drejt rënies. Kështu, në vitin 2003 kemi 5.0% (apo 31,163), pastaj në vitin 2011, si regjistrim i fundit, kemi 4.9% (apo 30,439). Në anën tjetër, nga 7.8% (apo 48,184) nga regjistrimi i vitit 2003, boshnjakët rriten në 8.6% (apo 53,605) në regjistrimet e vitit 2011. Pra, janë rreth 5421 boshnjakë më shumë vetëm për 8 vjet, dhe janë afër 10 mijë shqiptarë (9252) më pak vetëm për 12 vjet (nga 1991-2003).

Ajo që dua të ngre me këto statistika është apeli se shqiptarët myslimanë në Mal të Zi po asimilohen, kryesisht duke u deklaruar në boshnjakë, dhe për këtë argatin është duke e kryer me tamam Bashkësia Islame e atij vendi. Sot edhe gjuha shqipe në Mal të Zi, si gjuhë zyrtare, renditet pas gjuhës boshnjake, dhe kjo po që ka derviuar nga lëvizja demografike.

Mirëpo, që mos të ju lodhi më shumë me statistika, po jua jap një përvojë krejt personale.

Edhe gjatë verës së këtij viti para rastin të udhëtoj në Mal të Zi. Atje, si zakonisht, takova plot miq e dashamirës. Derisa diskutonim për shqipen, se ku dhemb dhëmbi shkon gjuha, miqtë më njoftuan se aktualisht në krejt Malin e Zi nuk qenkësh asnjë librari me libra shqip. Madje-madje, derisa diskutonim me ta, dhe ata përdornin trajta joshqipe, pra, përveçse nuk e zotëronin mirë shqipe kishin nisur edhe ta harronin, shpeshherë edhe shprehnin ndjesë nëse nuk ishin të qartë ose nuk po kuptoheshin.

Këtë verë në Tuz takova një shqiptar që blinte një libër shqip, edhe pse nuk dinte të lexonte shqip. “Nuk di me lexu. Po e marr ta lâ n’shpi. Noshta f’mijt e lexojnë, e nuk e harrojnë gjuhen e kombin e tyne.”

Shqiptarët në Mal të Zi po vuajnë jo vetëm nga asimilimi kombëtar “i ndihmuar” nga Bashkësia Islame e Malit të Zi, pra me heshtjen dhe mungesën e angazhimit të zëvendësreisëve Omer Kajoshaj e Behlul Kanaqi, po edhe të kryetarit të Saborit (Kuvendit), Muhjidin Milaimit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre. Ata po vuajnë edhe nga injorimi institucional ndaj librit shqip.

Shqiptarët në Mal të Zi janë të shqetësuar nga asimilimi. Përveç asimilimit të gjuhës, që e vetëdeklarojnë sa herë që flet me ta, ata shqetësim kryesor e kanë edhe asimilimin kombëtar, sidomos tek ata që deklarohen boshnjakë vetëm pse si shqiptarë nuk mund të integrohen në jetën institucionale. Ndërsa, si boshnjakë aty jeta u jep më shumë mundësi. Dhe, në këtë kontekst Bashkësia Islame e Malit të Zi, me shqiptarët myslimanë brenda, po e miraton një veprim si ky. Të paktën fenë po e ruajnë! Sepse edhe boshnjakët janë mysliman!

Të lënë pas dore nga Shqipëria e Kosova, që asnjëherë nuk bënë diçka konkrete në nivel shtetëror, shqiptarët në Mal të Zi mundohen të mbijetojnë kombëtarisht. Nismat e vogla si panairi i librit në Ulqin e Tuz janë përpjekje që nuk shpëtojnë pa rezultate. Ofrimi i ndihmës, qoftë edhe shtetërore, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e gjuhës shqipe, nuk mendoj se do të krijonte shqetësim për qeverinë e Malit të Zi.

Shqiptarët në Mal të Zi kanë shumë diasporë. Një ndihmë të madhe, qoftë në promovimin gjuhës shqipe, pastaj në ruajtjen e identitetit kombëtar pavarësisht përkatësisë fetare, hapjen e librarive, panairet dhe promovimet e librave dhe aktivitetet kulturore diaspora shqiptare (jo vetëm e Malit të Zi) mund ta jepte për çdo vit. E, rezultatet do të vëreheshin që në vitin e parë.

Shqiptarët në Mal të Zi po i ndëshkon injorimi dhe mungesa e iniciativave për promovimin e vlerave kombëtare. Në fakt, më shumë ka angazhim (qoftë edhe përmes heshtjes) për asimilim kombëtar, sesa nisma që e kundërshtojnë asimilimin.

Një heshtje e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, shqiptarëve brenda atij institucioni, që deklarimin e shqiptarëve myslimanë në boshnjakë e konsiderojnë gjë normale, nuk mund të shihet ndryshe përveçse akt antikombëtar. E, për këtë historia ka për t’ua dhënë vulën e turpit.