Prokuroria e Posaçme në Mal të Zi të premten (22 tetor) e ka marrë në pyetje Blazo Djukanovic-in, djalin e presidentit Milo Djukanovic, kanë konfirmuar burime jozyrtare për Radion Evropa e Lirë.
Rasti ka të bëjë me publikimin e dokumenteve Letrat e Pandorës, një rrjedhje masive dokumentesh që zbuloi se dhjetëra udhëheqës të mëparshëm dhe të tanishëm botërorë, plus qindra të tjerë kanë përdorur kompani jashtë vendeve të tyre, për të fshehur pasurinë.
Qendra hulumtuese malazeze Mans, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës, ka thënë se presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, dhe djali i tij, Blazo, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.
Kryeprokurori, Milivoje Katnic tha në një konferencë për shtyp më 21 tetor se do të kërkonte një deklaratë me shkrim nga presidenti malazez Milo Djukanovic në lidhje me rastin Pandora dhe se djali i tij Blazo Djukanovic do të thirret dhe do të merret në pyetje.
“Deklarata me shkrim është e mundur, u ofrohet si mundësi zyrtarëve të lartë, jo për t’u privilegjuar apo ndarë nga të tjerët, por për të shmangur procedurën e kontrollit të ambienteve”, tha Katnic.
Presidenti Djukanovic më herët ka konfirmuar se e ka themeluar kompaninë “Victoria Trust” në një kohë kur nuk ka qenë zyrtar, por se nuk ka pasur transaksione biznesi apo llogari bankare të hapura dhe se së pastaj pronësinë e asaj kompanie ia ka kaluar djalit të tij.
Me rastin e këtij rasti, më 14 tetor është marrë në pyetje drejtoresha ekzekutive e MANS, Vanja Calovic.
Kabineti i Djukanovic-it më herët ka thënë se publikimi i qendrës Mans është një tjetër “përpjekje për të diskredituar presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”.
Në reagim thuhej se Djukanovic ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës Mans janë të pavërteta.