Junçaj: 150 vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Nga Mark Junçaj, prof. i Historisë

Para 150 vitesh në fshatin Fishtë të Zadrimës do të lindin një fëmijë, të cilin do ta pagëzojnë me emrin Zef. Ky fëmijë do të bëhet i njohur ndër shqiptarë si At Gjergj Fishta, emër, i cili, edhe sot e kësaj dite tingëllon fuqishëm në mesin e atyre, që me të vërtetë e duan atdheun e vet. Kjo figurë madhështoreështë pranua sa ishte gjallë dhe, në anën tjetër, disa vite pasi vdiq, është mohuar për disa dhjetëvjeçarë. Mirëpo, figurat kombëtare si Fishta nuk mund të baltosen, të zbehen ose të zhdukën nga kujtesa kombëtare, pasi që, sa më shumë që të ndalohen, aq edhe më të fuqishëm rishfaqen dhe shkëlqejnë edhe më shumë sesa më parë, pasi që, figurave kombëtare si Fishtës, me kalimin e kohës, u vlerësohet veprimtaria për ditë e më shumë. Mirëpo, le të shohim shkurtimisht se kush ishte At Gjergj Fishta.

Më 23 tetor 1871 çiftit Ndokë Simoni dhe Prende Lazri u lindi djali, të cilin e pagëzuan me emrin Zef. Zefi i vogël ishte inteligjent për nga natyra, aftësia e të cilit u vërejt që herët,ashtu që klerikët lokal kërkuan nga familja e tij që ta lejojnë të vijojë mësimet dhe ashtu ndodhi. Pasi që mësimet bazike i përfundon në Shqipëri, do të dërgohet në Austro-Hungari, konkretisht në krahinën e Bosnjës, për të vazhduar mësimet në shkollën e françeskanëve. Gjatë studimeve të teologjisë dhe të filozofisë u tregua student shumë i zoti dhe, përfundimisht, pasi shugurohet, më 25 shkurt 1894 fillon jetën si meshtarduke meshuar për herë të parë dhe i tillë do të mbes deri në vdekje. Në fillim, për një kohë do të shërbejë në Troshan.

Mirëpo, At Gjergji nuk ishte një prift katolik i zakonshëm, pasi që shumë shpejt do të filloj me aktivitete dhe shkrime të ndryshme në dobi të besimit dhe të kombit. Në janar 1899 u themelua shoqata “Bashkimi”, të cilën e themeloi Abati i Mirditës, imzot Prenkë Doçi, ndërsa Fishta do të jetë anëtar i saj që nga ditët e para dhe, kur të vinë koha, edhe përfaqësues i kësaj shoqate në Kongresin e Manastirit. Më 1902 emërohet drejtor i shkollave françeskane në Shkodër dhe, menjëherë, për të parën herë në këto shkolla, e vendosi edhe gjuhën shqipe si gjuhë mësimit, në mënyrë që të ndikoj në fuqizimin e ndjenjave kombëtare tek nxënësit e vet. Do të jetë pjesëmarrës i rëndësishëm i njërës nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për kombin tonë, fjala është për Kongresin e Manastirit (1908), në të cilin u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe. Në këtë Kongres dha një kontribut të çmuar si kryetar i komisionit duke u munduar që të bindtetë pranishmit për nevojën e kompromisit lidhur me alfabetin shqip me shkronja latine. Këtu Fishta mbajti një fjalim emocionues, aq sa edhe Hafiz Ibrahim Hoxha nga Shkupi u ngrit dhe shkoi drejt tij me sy të mbushur me lot dhe e përqafoi. Nuk u vendos prerazi për alfabetin unik, por u pranua që të përdoren dy alfabetë: i Stambollit dhe ai i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës.

Gjatë këtyre viteve kishte filluar edhe shkrimin e poezive epike, të cilat më vonë do të bëhen pjesë e veprës së tij madhore “Lahuta e Malcisë”. Sipas disa burimeve, në këtë do të ketë ndikim edhe takimi i tij me plakun e urtë të Hotit, Marash Ucin. Ky takim ndodhi më 1902, kur At LeonardGojani, famullitari i Rapshës, doli nga famullia dhe Fishta u dërgua si zëvendës për pak kohë. Sipas disa të dhënave, Marash Uci, shkonte për ditë tek frati dhe i çonte nga tri hudhra. Marashi i tregonte mbi luftimet dhe trimëritë e malësorëve kundër osmanëve dhe sllavëve, ku në veçanti tregonte për luftimet që u zhvilluan gjatë vitit 1880 për mbrojtjen e Hotit e të Grudës nga sulmet malazeze. Për këtë arsye, Fishta do ia dedikojë një këngë në “Lahutë të Malcisë”, duke e titulluar sipas tij, Marash Uci.

 Më 1913 themeloi revistën “Hylli i Dritës”, që e drejtoi deri në vdekje. Mirëpo, kjo reviste do të ndalohet dy herë, së pari nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, të cilët i dhanë urdhër kolonelit Flips për ta arrestuar Fishtën dhe internuar në Maltë, por, i lajmëruar nga dashamirët, iku me kohë dhe u strehua te sivëllezërit e tij në Troshan te Gjeçovi, në Vig te Pashk Bardhi dhe në Rubik tek Pal Dodaj. Ndërkombëtarët nuk patën mundësi ta arrestojnë, pasi që nuk kishin pushtet jashtë Shkodret. Herën e dytë “Hylli i Dritës” do të ndalohet pas kthimit në pushtet të Ahmet Zogut në fund të vitit 1924. Edhe këtë herë Fishta do të strehohet për disa kohë, pasi që e kishte përkrah Nolin. Është me rëndësi të cekët se Fishta, po këtë vit, më 1913, do të ngrinte flamurin kombëtar duke e lidhur me minare, në mënyrë që të dëshmohej se kombi vjen në radhë të parë për çdo shqiptar.

Fishta, gjatë sundimit austro-hungarez, më 1916 themeloi fletoren politiko-letrare “Posta e Shqypinis”, e cila delte dy herë në javë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, fati i Evropës vendosej në Konferencën e Paqes që mbahej në Paris. Përveç tjerash, vendosej edhe mbi Shqipërinë edhe tokat shqiptare. Mirëpo, Shqipëria, edhe pse kishte shpallur asnjanësinë në fillim të luftës, shtetet e ndryshme e shpërfillën këtë dhe pushtuan pjesë të Shqipërisë. Këtë e bënë Italia, Mali i Zi, Serbia, Franca, Greqia dhe Austro-Hungaria. Po ashtu, me Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), ndër të tjera, ishte paraparë edhe copëtimi i mëtutjeshëm i Shqipërisë. Për ta mënjanuar këtë fatkeqësi, atdhetarët shqiptarë u tubuan në kryeqytetin e atëhershëm, në Durrës, krijuan qeverinë e re me kryetar Turhan pashë Përmetin. Kjo qeveri krijoi edhe delegacionin për konferencën e paqes, në të cilën bënte pjesë edhe vet frati atdhetar. Rrugës për në Paris, imzot Luigj Bumçi dhe Fishta u ndalën në Vatikan, ku u takuan me papën Benediktin XV, nga i cili kërkuan edhe përkrahje për çështjen kombëtare. Në këtë konferencë, ndër të tjera, u kërkua edhe kthimi i tokave të rrëmbyera nga fqinjët me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës, por, për fat të keq të shqiptarëve, këto shtete kishin luftuar në anën e fituesit, ashtu që kjo nuk u mor parasysh.

Më vonë, Fishta do të jetë edhe deputet në parlamentin e parë shqiptar. Gjatë këtyre viteve do të bashkëpunojë me opozitën e drejtuar nga Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi. Mirëpo, pas rikthimit të Zogut në pushtet, në fund të vitit 1924, Fishta do të largohet për pak kohë, deri sa të kalojnë turbullirat. Në fillim të viteve ‘ 30 do të jetë anëtar i delegacionit nëkonferencat ballkanike që u mbajtën në Athinë, Stamboll dhe Bukuresht. Në këtë kohë, do të dalë, sërish, “Hylli i Dritës”, drejtor i së cilës do të jetë deri në vdekje. Gjatë viteve, gjithashtu vazhdoi edhe me krijimtarinë letrare, saqë, përveç “Lahutës së Malësisë”, botoi vepra të ndryshme si “Anzat e Parnasit”, “ “Juda Makabe”, “Gomari i Babatasit”, “Mrizi i Zanavet”, “Jerina” etj.

Gjatë jetës së tij u konfirmua i shkëlqyer si prift, atdhetar, poet, filozof dhe politikan, saqë u dekorua edhe nga shtetet e ndryshme, si nga Perandoria Osmane, Austro-Hungaria, Greqia etj. Shumë është me rëndësi se më 6 qershor 1939. u pranua në Akademinë e Mbretërisë Italiane si pjesëtar i barabartë. Fatkeqësisht, kjo figurë madhështore nuk e mori Çmimin Nobel, pasi që, kur dihet mbi veprimtarinë e tij tëshumanshme, së paku, për letërsi e meritonte. At Gjergj Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 dhe u varros me nderime të mëdha, siç i ka hije njeriut të madh. Vdekja e Fishtës ishte humbje e madhe për kulturën shqiptare, pasi që nuk ekzistonte ndonjë njeri që mund ta zëvendësonte. Se humbja e Fishtës ishte e rëndë, na e dëshmon edhe numri i madh i telegrameve ngushëllimi që figurat e ndryshme ua dërguan etërve françeskanë, si psh. edhe nga vetë Luigj Federzoni, i cili ishte në atë kohë kryetar i Akademisë së Italisë. Ai, ndër të tjera, shprehet: “ Zhdukja e parakohshme e At Gjergj Fishtës, që kjo Akademi Mbretërore pati fatin ta kishte anëtarë të vetin më në zë, na mjeron shumë”. Kjo letër mban datën 30 XII 1940 dhe është dërguar nga Roma. Telegrame ngushëllimi dërguan edhe Ministri i Arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, pastaj MustafaKruja etj.

Mirëpo, pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen në pushtet të komunistëve, filloi një periudhë e rëndë për shqiptarët. Një periudhë shtypje dhe bashkëpunimi me armiqtë shekullorë të shqiptarëve në dëm të vet kombit shqiptar. Ashtu që, u organizuan burgosje dhe dënime për klerikët e ndryshëm. Po ashtu, veprat e Fishtës u ndaluan, ndërsa trupi i tij u zhvarros dhe eshtrat ia nxorën dhe i hodhën. Mendonin që të zhduknin këtë figurë madhështore nga kujtesa e popullit. Por, si mund të zhduket një figurë e tillë, kur edhe një fshatar analfabetë në malet e thella kishte dëgjuar për të dhe, çka është edhe më interesante, i dinte së paku disa vargje të Fishtës përmendsh. Se këta nuk ia arritën qëllimit, më së miri na e dëshmon fakti se, menjëherë pas rënies së sistemit komunist, Fishta u rishfaq edhe më i madh, sesa ishte më parë. Pra, Fishta kaloi nga pranimi në mohim dhe, sërish në pranim.

Fishta, gjithë jetën ia kushtoi besimit dhe kombit, mirëpo, shtrohet pyetja, a kemi bërë mjaft për të? A e kemi vlerësuar aq sa duhet? Mendoj se, shqiptarët e mirëfilltë kurrë nuk e kanë harruar, por gjithmonë e kanë vlerësuar dhe janë frymëzuar nga krijimtaria e Fishtës. Megjithatë, disa “shqiptarë” të ndikuar nga doktrina e çmendur komuniste dhe antishqiptar të dëshmuar, mundohen ta zhvlerësojnë, saqë, gjoja për të përmirësuar marrëdhëniet me të huajt, janë të gatshëm edhe ta sakrifikojnë, duke harruar se Fishta, në veprat e veta, për keqpërdorimet që bëjnë dhe sjelljet antikombëtare, i kritikon edhe vetë shqiptarët e mbrapshtë, e jo vetëm trimëritë kundër armikut. Po ashtu, pasi që është viti jubilar i lindjes së tij, së paku ka mundur ky vit të shpallet nga shteti amë viti i Fishtës së Madh. Mirëpo, në anën tjetër edhe komuna jonë ka mundur ta shpallin vit të Fishtës për viset tona, pasi që në shkrimet e Fishtës Malësia, konkretisht “Lahuta e Malësisë”,  është edhe vetë titulli i veprës më të famshme të Fishtës.

Sidoqoftë, Fishta ka qenë, është dhe do të mbetet në gjirin e figurave më të rëndësishme kombëtare me të cilat figura krenohen të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë. Lavdi i qoftë Fishtës dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për kombin shqiptar!