Patriotizmi tek shqiptarët dhe tkurrja e trojeve

Nga Qani Osmani


Jo rastësishtë, të paktën që nga epopeja Skënderbejane, trojet
shqiptare, herë për shkak të dhunës së papërmbajtshme të armiqve më të fortë se ne, herë me fajin tonë, janë tkurrur në vazhdimësi, për çka flasin të dhënat statistikore prej të cilave e kuptojmë se më shumë territor kemi pasur në të shkuarën sesa sot. Lidhur me këtë, më ka ndodhur të lexoj diku se, një herë e një kohë, shqiptarët ishin në numër sa francezët, që sot janë disa dhjetra milionë, kurse ne vazhdojmë të jemi komb i vogël, që më shumë se brenda jetojmë jashtë vatrave tona, në të cilat na pret asimilimi i pashmangshëm.

Kur jemi te tkurrja e territoreve duhet ta pranojmë se mëdhembshme janë rastet e shitjes së tyre nga politikanët e papërgjegjshëm, që ndryshe prej burrështetasve të së shkuarës (Rilindësve, bie fjala) që flijuan trashigimitë e tyre për të bërë shqipërinë, shesin territore Shqiptarie për çifliqe personale. Dhe që është më e keqja, këtë e bëjnë duke u mbrojtur me arsyetimin se gjoja nuk kanë mundësi të rrefuzojnë kërkesa e aleatëve të jashtëm, që i detyruakan të shkelin Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Po përmend këtu vetëm dy raste tradhëtishë ordinere, njëri prej të cilëve është ai i shitjes së 12 miljeve të ujërave të Jonit të pasur me naftë, që iu premtua Greqisë me marrëveshje të fshehtë, që për shumëkë do ta dëmtojë rëndë të ardhmen e Shqipërisë dhe mund të jetë mollë sherri ndërmjet dy vendeve fqinje. Tani grekët e kërkojnë me ngulm respektimin e marrëveshjes që shkel rëndë Kushtetutën e shtetit shqiptar të bërë nga një kastë e mbrapshtë politike, që udhëheq diktaturën demokratike me parimet e Luigjit të 14-të, që thoshte: “Shteti jam unë”.

E ngjashme dhe po aq tragjike për të sotmen dhe të ardhmen tonë është marrëveshja e Republikës së Kosovës me Malin e Zi, të cilit dikush ia fali disa mijëra hektar tokë, sikur u kishim ndonjë borxh malaziazve dhe shtetit të tyre fshat, siq e quante Gjergj Fishta, të banuar me një numër të madh fisesh të asimiluara shqiptare, prej të cilëve një pjesë e ka përzënë nga vatrat e tyre, kurse pjesën tjetër po e boshnjakëzon para hundëve leshatake të pushtetarëve shqiptarë.

Viteve të fundit, përveç tjerash, Serbia ka intensifikuar edhe propagandën për të dëshmuar se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu paska qenë serb. Për ta mbështetur mashtrimin e tyre, pseudohistorianët serb kanë botuar katër vepra voluminoze, të cilat janë duke i përkthyer edhe në gjuhët e mëdha të botës. Ata shkojnë aq larg sa përgatiten për të kërkuar zyrtarisht nga muzeu i Vjenës që t’ia dorëzojë Serbisë përkrenaren dhe shpatën e heroit kombëtar të shqiptarëve të fjetur.

Në shikim të parë kjo duket qesharake, por duke pasur parasyshë shpirtin mercenar të klasës politike shqiptare, që viteve të fundit i dhuron fqinjëve grabitqarë territore etnike, pa denjuar të përmendë barbaritë e bëra ndaj nesh dhe tokat e pushtuara kubarisht prej të njëjtëve gjatë dy shekujve të fundit, nuk do të ishte befasi as dhurimi i simboleve të rëndësishme të Shqiptarisë. Në fakt, ka kohë që një lukuni e tërë bashibozukësh shqipfolës (pseudohistorianë, pseudointelektualë, analistë gjithologë, gazetarë shpirtshitur, televizione të mëdha “nacionale”…), e trumbetojnë pallavrën për Skënderbeun sllav, duke ua lehtësuar kësisoj terrenin manovrave mashtruese serbe. Kjo sigurisht i shkon për hoshafi klasës së esad-toptanëve të shqiptarisë, të cilët në saje të zhvatjes së gjithçkaje me vlerë, gati gjysmën e etnisë e kanë dëbuar tani më jashtë atdheut, kurse pjesën e mbetur e kanë varfëruar, ia kanë shpëlarë trurin, ia kanë vrarë shpresën, ia kanë përulur dinjitetin dhe e kanë bërë të pandjeshme edhe ndaj zhveshjes nga simbolet e etnisë.

Mjerisht, kështu si janë duke shkuar punët, Shqiptarët do të tkurren akoma më shumë, sepse tanimë nuk u kundërvihet kush politikanëve shpirtshitur, për të cilët interesi kombëtar është një asgjë e madhe. Thjesht, ata nuk e duan Shqiptarinë (respekt përjashtimeve!) dhe sillen ndaj saj sikur të ishte, jo nënë, po njerka e tyre. Shikoni çfarë bën Serbia për ta rikthyer Kosovën në kthetrat e saj ose për ta bërë të paktën shtet jofunksional!? Ajo ka plane konkrete dhe punon për t’i realizuar ato, ndërkohë shqiptarët bëjnë gjum dhe mbështeten vetëm në aleatët e tyre. Serbia interesohet maksimalisht për disa mijëra serbë që popullojnë qytezat e vogla të veriut të Kosovës, kurse shteti Amë i shqiptarëve s’e çanë fare kokën për gjysmën e vet të aneksuar dhunshëm nga fqinjët nëpërka. Serbia investon prej vitesh miliona euro për serbët e Kosovës. Së fundmi ka ndarë buxhetin prej 92 milionë eurosh, kurse dy qeveritë e shteteve shqiptare, që u takuan para disa vitesh me bujë në një takim të rëndomtë politikanësh, ndanë për Luginën e preshevës 100. 000 euro të zhugafta (secila nga 50.000) duke ua bërë me dije të gjithëve se bie ora shqiptare. Zoti hajrin!, do të thoshte gjyshi im i ndjerë.