Pensionistët e Malësisë duan një pleqëri sa më të rehatshme

Nga Gjekë Gjonaj

Pak ditë më parë dëgjova  në emisionin “ Aktuale”  të thuhej se pensionistët e Malësisë nuk kanë kushte të mira  për të kaluar kohën e lirë dhe se objekti ( klubi) i  tyre në qendër të Tuzit,  ka disa kohë që nuk ka rrymë elektrike.  Arsyeja  e mungesës së rrymës, siç dëgjuam nga   pensionistët, nuk është  ndonjë defekt në prishjen e kabllove, por një borxh i papaguar  nga  disa subjekte politike të cilat   e  kanë shfrytëzuar atë një kohë.

Deklaratat e pensionistëve se  në mungesë të energjisë elektrike nuk mund të tubohen kur është e shi e të ftohtë, sepse mërdhasin, se  objekti  i tyre nuk është në gjendje të mirë dhe kërkon rinovim , se  inventari është i vjetruar  dhe i pamjaftueshëm për nevojat e tyre, se është i parregulluar oborri  para  objektit  e ankesa të tjera reale  ishin prekëse, për të mos thënë trishtuase  e tronditëse.  Ata nuk kërkojnë shumë. Duan  kushte më të përshtatshme për t’ua lehtësuar sadopak  jetën.   Duan një lokal funksional, ku mund të  pushojnë, të bisedojnë njëri me tjetrin , të  zbaviten, argëtohen   dhe të organizojnë  ndonjë  aktivitet  për ta thyer   monotoninë e përditshmërisë së tyre. E, jo siç ndodh aktualisht  me  këta pensionistë të cilët   kur fillon shiu  dhe gjatë  stinës së dimrit   janë të detyruar të mbyllen   dhe  të rrinë në shtëpi. Duan më tepër vëmendje institucionale . Kujdes e mirënjohje. Duan stola (  karrige) e tavolina më të mira. Të ketë njerëz që interesohen  për ta, t’i mbrojnë e t’i shërbejnë.   Kërkojnë nga komuna e qeveria t’u  sigurojnë një vend të ngrohtë të luajnë domino, të çlodhen, të heqin mërzinë, sepse dita është e gjatë kur nuk ke ku ta kalosh kohën.

Ankesat e secilit prej tyre janë pothuajse të njëjta. Kërkojnë më shumë përkujdesje shtetërore. Thonë se kanë kontribuar në ndërtimin e këtij vendi dhe se meritojnë të kenë një jetë dinjitetshme. Pleq  janë. Jetën e kanë të shkurtër. Pensionet e tyre janë  shumë të ulëta. Dikush prej tyre ka pak halle e dikush më shumë. Dikush ndihmohet nga familja e dikush pret vetëm pensionin. Ka edhe të atillë që janë të vetmuar,  shpesh herë  larg të afërmve të vet. Problemet e tyre shëndetësore dihen se cilat janë. Pa mbështetje të duhur , me pensione tëulëta, me shëndet të rënduar, me mungesën e nevojshme nga shteti  pensionistët e Malësisë ndihen të harruar.

Si shoqëri, por edhe si individ kemi përgjegjësi morale të tregojmë mirënjohje për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që pensionistët të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Pensionistët nuk kanë nevojë për lëmoshë. Ata nuk duhet t’i përdorim e të solidarizohemi  me ta   vetëm gjatë fushatave  parazgjedhore, duke  u  premtuar  rritje të pensioneve  e mirëqenie.  Dinjiteti i pensionistëve , të cilët e kanë ngritur shtetin  dhe komunën ku jetojnë  nga shpatullat e tyre   nuk mund  e nuk do të duhej të cenohet nga askush. A është e hijshme dhe e pranueshme që  pensionistët  të jenë sot në mesin e grupeve  shoqërore të lëna  në hije?  A është kjo   njerëzore e humane ?