Shtetet e Bashkuara të shqetësuara me korrupsionin e rrënjosur në Mal të Zi

Zëvendës Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me korrupsionin në Mal të Zi, ndërsa u zotua të mbështesë aspiratat euroatlantike të Podgoricës.

Zoti Escobar i cili po qëndron në Mal të Zi në vizitën e tij të parë si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, takoi të mërkurën presidentin malazez Milo Djukanovic.

Ambasada amerikane në Podgoricë, shkroi se zoti Escobar gjatë takimit “theksoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për korrupsionin e rrënjosur në vend dhe inkurajoi Malin e Zi që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në trajtimin e sfidave rajonale”.

Zoti Escobar pritet të takohet edhe kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç dhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiç si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe afaristë të Malit të Zi.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, fitorja e forcave proserbe dhe proruse në zgjedhjet e vitit 2020, ka shtuar shqetësimet për orientimin e vendit të vogël buzë Adriatikut që është pavarësuar nga Serbia në vitin 2006.