Mbi retorikën, të djathtën dhe ndikimin hoxhaist


Shkruan Albert Bikaj

Muajin e kaluar kam analizuar disa nga shkrimet e diktatorit Hoxha, ajo që më ka bërë përshtypje është mënyra e diskreditimit që u bënte edhe anëtarëve të Partisë por edhe partive simotra. “Nuk janë komunistë të vërtetë” — thoshte, por janë “komunistë të rremë”, “revizionistë”, “mbeturina”, “llum”, etj. Tani ndokush mund të thotë se ç’dua të them me këtë? Fjala është për diskursin politik në Shqipërinë paskomuniste, për fatin e keq kjo retorikë vazhdon.

Ç’është më e keqja po përdoret jo vetëm nga pasardhësit e PPSh-së – për të cilët nuk habitëm – por për fatin e keq edhe nga ca të djathtë kundrejt të djathtëve, kjo brënda partie. Për më tepër është për të ardhur keq të përdorësh terma si “konservator i rremë”, me pak fjalë retorike alla-hoxhaiste, veçanërisht kur ia drejton këtë liderit historik të konservatorizmit bashkëkohorë shqiptarë. (I cili, për më tepër, gëzon mbështetje jo të vogël.) Nëse udhëheqësi historik—themelues i PD-së—dhe mbështetësit e tij nuk qenkan të djathtë të vërtetë, atëherë si ta dimë se ata që akuzojnë sot, që e mbështesnin deri dje, janë “konservator të vërtetë”? Me ç’kritere u matka vërtetësia e konservatorizmit, sidomos kur lideri historik konservator dhe partia e tij, pjesë e të cilës janë edhe kritikuesit, nuk qenkan konservatorë? Është absurde, apo jo? Sepse, dëshiroj të ju kujtoj, anëtarë të asaj partie jeni edhe ju.

Retorika e tillë, diskredituese, nuk praktikohet e aq më pak pranohet ndokund në botën e lirë dhe të qytetëruar, veçanërisht jo në vendet ku tradita konservatore ka ndikim. Kjo sepse konservatorizmi si filozofi politike ka parime kyçe virtytin, traditën, reformimin dhe pragmatizmin – e mbi të gjitha maturinë. E që besa, këto parime dikurë ishin tradicionale edhe ndër ne si popull – të cilat u dëmtuan, të mos them u shkatërruan, nga diktatura. Gjuha denigruese, të dashur miq, nuk është përdorur ndër odat apo kuvëndet e burrave motit, të cilët ndonëse jo të shkolluar, e dinin se nderi dhe fjala janë të ndërlidhura – kishin peshë dhe vlerë. Bashkëbiseduesi, qoftë edhe armik, gëzonte njëfarë të drejte, dinjiteti dhe respekti; le pastaj biseda brenda rrethit.

E kuptoj situatën e vështirë, por jo pakujdesinë as këtë lloj sjellje aspak të denjë. Si dikush që çmon lirinë, e kuptoj se kritikat, debatet, pakënaqësitë apo mosmarrëveshjet partiake janë normale, madje-madje të nevojshme për zhvillim në demokraci, por përherë pa kaluar kufijtë etik, pa shkelur parimet dhe të vërtetën. Të gjitha këto janë të natyrshme, pikërisht për këtë arsye duhet treguar maturi dhe tolerancë. Tekefundit, ndonëse ndajmë mendime të ndryshme, nuk jemi armiq. Përndryshe, me këtë retorikë, që ritheksoj se nuk i përket të djathtës tradicionale, nuk shkohet gjëkundi. E po vazhduat kështu siç ja keni nisur, po pështyni përpjetë, e pështyma do po ju bjen e ka për t’u rënë në sy. Dëmi që po bëhet shkon përtej partisë, sepse fytyra e nxirë pastrohet më se vështiri. E them këtë si i djathtë, e them me dashamirësi për të gjithë pa perjashtim.