Bernard Çobaj: UNIVERSI MALUFIAN 4

Çdo shekull fitoi një përshpejtim të ri, kështu që nga gjysma e dytë e shekullit XX deri më sot, ritmi u bë kërcënues. Koha po mbaron për ne, duke na lënë të lundrojmë midis shkëmbinjve të lidhur me akull në një përpjekje pothuajse të kotë për t’u kthyer tek arsyeja.

Malufi si një nga diagnostikuesit më të mirë të modernitetit traumatik në vazhdim të Identiteve vrastare boton esenë socio-historike Përçarja e botës: kur qytetërimet tona janë rraskapitur(Le dérèglement du monde: Quand nos civilisations s’épuisent), fitues të Çmimit francez të Librit dhe të Drejtave të Njeriut për vitin 2009.

Te Përçarja e botës autori tregon për rreziqet e shumta që fshihen në qytetërimet tona të rraskapitura, në një botë që ka arritur “pragun e paaftësisë së saj morale”. Si pjesëtar i dy sferave qytetëruese, arabe dhe perëndimore, përpiqet t’i kuptojë ato nga brenda dhe nga jashtë, duke u zhytur në histori për të shpjeguar dështimin e tyre. Ndërsa ndjenjat e poshtërimit motivojnë urrejtjen dhe fanatizmin e paparë në botën arabe, e cila ka rënë në një ngërç historik, ku politika instrumentalizon fenë, në botën perëndimore vlerat e shpallura rrallë zbatohen në marrëdhëniet me të tjerët dhe shpesh shërbejnë si maskë në garë për dominim dhe pasuri.

Kemi hyrë në shekullin e ri pa një busull.

Dhe është, para së gjithash e thjeshtë, shqetësimi i një të dashuruari me jetën, që nuk do të pranojë këtë shkatërrim e asgjësim që na rri përmbi kokë. Jam i joshur nga ç’na sjellë epoka jonë, dhe rri plot vëmendje t’i mësoj shpikjet më të fundit dhe t’i përdor sa më parë në jetën time të përditshme. Jam i ndërgjegjshëm që i takoj, sidomos për sa u përket përparimeve në mjekësi e në informatikë, një brezi fort të privilegjuar në krahasim me gjithë ç’ka qenë më parë. Por nuk mund t’i shijoj i qetë e i patrazuar frytet e modernitetit po nuk qesh i sigurt se po kështu do t’i shijojnë edhe brezat e ardhshëm.

Toni alarmues në Përçarjen e botësshndërrohet në ton pesimist për të ardhmen e njerëzimit, dhjetë vite më vonë, në esenë Anijembytja e qytetërimeve (Le naufrage des civilisations), fitues i çmimit Aujourd’hui2019 në kategorinë nga fusha e gjeopolitikës.

Anijembytja e qytetërimeve është shembulli më i mirë i dëshirës së pashtershme të Malufit që kombe dhe besime të ndryshme të botës të bashkëjetojnë. Mbështetja pothuajse utopike e mundësisë së një fqinjësie të mirë paqësore, pa luftëra, lakmi dhe dinakëri fitimprurëse, politikëbërje në dëm të të tjerëve, përshkon të gjithë librat e Malufit, me një theks të veçantë në marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit. E kaluara na lejon të mësojmë prej saj, por, për fat të keq, njeriu është një student i keq. Prandaj Anijembytja e qytetërimeve duhet lexuar si një sintezë e dhimbshme e gabimeve të mëparshme që, të shumëfishuara në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, rrezikojnë mbijetesën tonë të përbashkët.

Malufi fillon të numërojë dhe analizojë shanset e humbura, në mënyrë racionale, melankolike, i frikësuar dhe i trishtuar në fund: njerëzit janë të helmuar nga urrejtja dhe urrejtja ndaj vetvetes, një lajthitje monstruoze dhe ajo që më shqetëson më shumë është indiferenca e përgjithshme që ka pushtuar botën.Nga ana tjetër, shkrimtari beson se përderisa respektohen të drejtat civile dhe kombësia, ka shpresë.

Ai është gjithashtu kritik i mprehtë i vendeve demokratike që në një moment i braktisën rrymat e tyre të begata për shkak të rrëshqitjeve të ndryshme oportuniste, duke zhgënjyer kështu ata për të cilët kishin qenë model deri atëherë.

Faktorët vendimtarë në këtë drejtim janë turbullirat politike dhe morale që kanë tronditur botën arabe që nga disfata e saj e madhe në 1967; ato u intensifikuan rreth vitit 1979, me shfaqjen e revolucioneve konservatore në Lindje dhe Perëndim (ardhja në pushtet e Margaret Thaçerit dhe Ronald Reganit si pjesë të kampit neoliberal në ekonomi dhe revolucioni islam në Iran), ku më 11 shtator të vitit 2001 i gjithë planeti rrëshqiti, gjë që shkaktoi një reaksion zinxhir që na çon në të panjohurën sot – pa dyshim një anijembytje.

Asnjë nga pasagjerët në bordin e anijes që është njerëzimi, tani nuk mund të injorojë faktin se ka akullnajë në rrugën tonë dhe që ne duhet të shmangim me çdo kusht.

Anijembytja e qytetërimeve është një interpretim i thellë dhe thellësisht shqetësues i historisë së fundit të botës dhe ardhmërisë sonë të pasigurt.

Amerika, edhe pse mbetet superfuqia e vetme, po humb çdo besueshmëri morale. Evropa, e cila u ofroi popujve të saj dhe pjesës tjetër të njerëzimit projektin më ambicioz dhe më të ngrohtë të kohës sonë, po shpërbëhet. Bota arabo-myslimane është në një krizë të thellë, e cila i zhytë popullatat e saj në dëshpërim dhe ka pasoja katastrofike në të gjithë planetin. Kombet e mëdha “në zhvillim” ose “të rilindur”, si Kina, India dhe Rusia, po shpërthejnë në skenën botërore në një atmosferë të dëmshme ku mbretëron ligji i më të fortëve. Një garë e re armësh duket e pashmangshme. Pa llogaritur kërcënimet serioze (klima, mjedisi, shëndeti), që rëndojnë mbi planetin dhe me të cilat ne mund të përballemi vetëm përmes një solidariteti global që na mungon pikërisht.

Edhe para se të përhapej pandemia e koronavirusit, Malufi shprehet se ishte e qartë se bota “do të godiste një lloj akullnaje”.

Me fjalë të tjera: Titaniku u mbyt sepse ekuipazhi i tij nuk e vuri re akullnajën në kohë. Ekuipazhit të botës së sotme nuk i ka mbetur shumë kohë.

Homolog të këndshëm imagjinar me esetë Përçarja e botës dhe Anijembytja e qytetërimeve formon novela Të çorientuarit (Les Désorientés) e vitit 2012 që  ndjek librin e shkëlqyeshëm të kujtimeve të Malufit Origjina, të vitit 2008.

Të çorientuarit është pajtimi i shkrimtarit me atdheun, një histori për efektin e “identiteteve vrastare” në fatet njerëzore. I vendosur me ironi dramatike në fillim të vitit 2001, romani është pjesërisht një elegji për botën para 11 shtatorit – përpara se presioni për të marrë anën midis identiteteve të supozuara ndërluftuese të rritej drejt një përplasjeje kataklizmike.

Novela përfshin 16 ditë kur Adami, një historian 47 vjeç, i cili tani është “më francez se francezi”, alter egoja i Malufit, kthehet në atdheun e tij pa emër, pas 25 vjetësh, një dekadë pas përfundimit të luftës civile (referencë e qartë për vendlindjen e Malufit, Libanin).

Nostalgjia e Adamit për rininë e tij – për miqtë me një “gotë në dorë dhe revolucion në zemër” – është po aq për kufijtë të përshkueshëm dhe “identitetet delikate” të Levantit të tij të dashur. Miqtë e tij të shpërndarë, myslimanë, të krishterë dhe hebrenj, pasqyrojnë një mikrokozmos të qytetërimit për të cilin vajton. Romani mund të lexohet si një vajtim për zhdukjen e pakthyeshme të qyteteve të vjetra kozmopolite. Zhdukja e diversitetit kulturor dhe konfesional,  që është forca e tij jetësore, po e shtynë këtë rajon në kaos dhe shkatërrim. Ky është një nga mesazhet kyçe të romanit.

Në emrin tim mbaj një njerëzim që ka lindur. Por unë i përkas një njerëzimi të venitur”… do të shënojë Adami (jo rastësisht emri i njeriut të parë), kryeprotagonisti i romanit.

Ose do të jemi në gjendje të ndërtojmë një qytetërim të përbashkët në këtë shekull, me të cilin të gjithë do të mund të identifikohen, të ndërtuar nga të njëjtat vlera universale, të udhëhequr nga një besim i fortë në aventurën njerëzore dhe të pasuruar me gjithë diversitetin tonë kulturor, ose do të fundosemi së bashku në barbarizëm të përbashkët…  

Duke reflektuar për dekadat e fundit, Malufi trajton ngrohjen globale dhe ndryshimet teknologjike duke përfshirë revolucionin digjital dhe robotikën që ka të ngjarë të shkaktojnë zhdukjen e qindra miliona vendeve të punës – sfida befasuese sociale dhe ekonomike (këto tema thellësisht i trajton autori Yuval Noah Harrari, po ashtu me origjinë nga Levanti, në veprat Homo Sapiens, Homo Deus dhe 21 leksione për shekullin e 21-të).

Romani i fundit i Malufit Vëllezërit tanë të papritur (Nos frères inattendus) i vitit 2020, doli gjatë 2021 në gjuhën angleze me titull Our unexpected brothers dhe këtë muaj u promovua po ashtu përkthimi në gjuhën serbe.

Duke e quajtur këtë periudhë “periudha e mbajtjes së distancës”, Malufi shprehet:

Romani im i fundit ka të bëjë me njerëzimin në prag të katastrofës. Romani është metaforë për botën tonë të sotme, e cila është me të vërtetë në buzë të humnerës dhe është në rrezik të një anijembytjeje të madhe”

Novela e fundit ndërlidhet tematikisht me tërësinë kuptimore komplekse të nisur me novelën Të çorientuarit dhe esetë Identitetet vrastare, Origjina,Përçarja e botës, Anijembytja e qytetërimeve.   

Në këto shkrime të deritanishme kemi prekur dy tërësi të gjëra tematike të universit krijues të autorit Amin Maluf dhe në fund do të merremi me shkrimin e tij Karrigia në Senë, historikun e Akademisë së Shkencave të Francës.

(Vazhdon)