Romani “Humbja” i Mark Pashkut merr çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi

Romani “Humbja” i Mark Pashkut ka marrë shpërblimin vjetor “Rexhai Surroi” për letërsi.

Vepra e Pashkut ka fituar në konkurrencë të 20 veprave të autorëve të ndryshëm.

Autori nga Malësia ka thënë se përherë përjeton emocion të veçantë kur shkel tokën e Kosovës.

Në fëmijërinë time, kur e shihja gjyshin në mëngjes shihte kah lindja. Fishkëllente një farë melodie. Si fëmijë i thash ‘çka dreqin po fishkëllen tërë kohën, çka është ajo muzikë?”. Tha babo ‘Oj Kosovë, oj nëna ime, i sheh ato malet aty, përtej tyre është Kosova’. Thash çfarë lidhje ka. Ka plot kosovarë me ne e përditë këtu. Jo tha, ‘kur të çohet Kosova, kemi për të shpëtuar edhe ne’. Kur më 2005 kam shkelë në Kosovë e kam kuptuar realisht se gjyshi ka pas shumë të drejtë e sidomos tash kur u ktheva në vitin 2021, edhe pse isha më përpara, çdo ditë ka ndryshime. Kosova është motor i shqiptarisë, motor i dijes, motor që na ka mbajt gjallë edhe ne sepse edhe mësuesit tanë kur hymë në shkollë, në klasën e parë flisnin vetëm për Kosovën. Kishin prekur Mekën, bërthamën e atdheut dhe thoshin ka shpëtim për ne se është Kosova. E vërtetë, ashtu ndodhi”, ka thënë ai.

Romani “Humbja” do të jetë i pari për vitin 2022 dhe i 238-ti nga Botimet KOHA. /Koha.net/