Mark Gjolaj i gëzoi nxënësit e Trieshit me dhurata për Krishtlindje dhe Vitin e Ri

Sipërmarrësi nga Tuzi me origjinë nga Trieshi, Mark Gjolaj , në një ceremoni festive dhe shumë miqësore ditën e  mërkurë në hapësirat  e Shkollës Fillore “ Gjergj Katsrtioti– Skënderbeu” në Triesh , u ka shpërndarë  55 pako  të gjithë nxënësve të kësaj  çerdheje të dijes, me traditë më se 100-vjeçare.

Ky  humanist zemërmirë e zemërbardhë   i gëzoi zemrat e    fëmijëve edhe me bredhin  e Vitit të Ri  me të gjitha elementet e tij zbukuruese . Përveç kësaj  dhuruesi Gjolaj lumturoi pa masë  të dashurit tonë- fëmijët edhe me pesë topa  basketbolli e futbolli dhe me një rrjetë  të  basketbollit. Po ashtu  ai u dhuroi  100 euro nxënësve  që, për nder të  këtij aktiviteti  festiv e madhështor  ,  kishin përgatitur ushqime  dhe ëmbëlsira.

Qëllimi i bamirësit Mark Gjolaj ka qenë që me këto dhurata në vlerë prej më shumë se 1.000 euro,  t’i gëzojë fëmijët në prag të festave të fundvitit.  Ky është një gjest bujar  i njeriut fisnik  i cili i bëri  këta fëmijë të buzëqeshin.  “ Me të vërtetë është kënaqësi të jeshë  në mesin e nxënësve në raste të tilla gëzimi. Buzëqeshja e tyre e ngrohtë më ofroi kënaqësi të jashtëzakonshme, të papërshkrueshme ,  më kënaqi zemrën dhe më ushqeu shpirtin  e mendjen.  Ishte ky një gëzim i përbashkët. Nxënësit i gëzova unë, kurse ata më  lumturuan mua”, shprehet me emocione Gjolaj.

Kënaqësia dhe lumturia në mesin e nxënësvedhe mësimdhënësve  ishin të papërmbajtshme, mbase   ky ishte  moment i veçantë për të gjithë ata. Gëzuar  Vitin e Ri 2022 !”

Gjekë Gjonaj