Kombi shqiptar përballë sfidave të kohës

Nga Qani Osmani
Njëri prej popujve më të vjetër dhe autokton të Ballkanit është padyshim populli shqiptar, i cili i kishte banuar këto vise shumë vite më përpara se të vinin ardhacak të ndryshëm dhe të popullonin këtë territor, duke sjell ndryshime të konfiguracionit territorial, demografik dhe politiko-historik. Pa dyshim se dihen rrethanat historike të cilët sollën batica dhe zbatica për këtë komb, por pa mëdyshje mund të thuhet se shqiptarët si popull dhe si komb, u formësuan shumë përpara bekimit të shtetit të tyre. Ata të përkushtuar ndaj gjuhës, gjakut, flamurit dhe ndjenjës për të jetuar të lirë dhe të bashkuar si çdo popull apo komb, kishin vokacionet e tyre për të jetuar nën një shtet të vetëm. Por, diplomacitë e ndryshme të asaj kohe, sollën vendime në dëm të këtij kombi të fragmentarizuar në më shumë shtete. Ajo që i parapriu më shumë këtij fragmentizmi ishte mosunifikimi i faktorit politik shqiptar, e që solli një humbje të dhembshme në Kongresin e Berlinit, 1878, në Konferencën e Paqes në Londër 1913 dhe në Versajë. Sido që të jetë, ky komb i pastër etnikisht, me gjurmë të thella në histori, pasardhës i banorëve të parë të Ballkanit si pellazgët dhe ilirët, ka arritur që t’i mbijetojë dhe t’i bëjë ballë shumë sfidave dhe pushtuesve të ndryshëm.

  Ky komb i cili është i shpërndarë në disa shtete , nuk ka reshtur së qeni i sfiduar nga shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Ata kanë ndikuar direkt ose indirekt në mirëqenien e këtij kombi. Gjuha e kombit shqiptarë , gjuha shqipe, është njëra prej gjuhëve bazë të kontinentit evropian. Llogaritet si njëra prej 5 apo 6 gjuhëve bazë të këtij kontinenti, ndërsa si njëri prej 10 apo 12 gjuhëve të botës. Me të drejtë studiuesja e njohur nga Shqipëria, Elena Kocaqi, e rendit këtë gjuhë si njërën prej më të vjetrave si dhe si një uverturë për formisimin e gjuhëve dhe kombeve tjera evropiane. Ky komb i cili karakterizohet i vogël në krahasim me disa kombe tjera , për së pari herë në historinë e tij po përjeton ditët më të mira dhe më të lumtura. I gjendur me dy shtete , atij të Shqipërisë, dhe të Kosovës, i pari si faktor relevant në Maqedoni dhe në Mal të Zi, dhe atë që njihet si Lugina e Preshevës, pa marrë parasysh injorimin nga disa të tjerë, mund të thuhet se është faktor i stabilizimit në Ballkan. Nacionalizmi i këtij kombi nuk është vrastar, nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale apo shovinizëm, për dallim prej nacionalizmit serb apo atij grek që institucionalisht dhe historikisht ka qenë vrastar. Nacionalizmi serb i konvertuar në shovinizëm kërcënoi për vdekje qenien shqiptare.

  Kombi shqiptar, pas rënies së komunizmit, u kthye aty ku e kishte vendin, në aleancë me Evropën Perëndimore dhe SHBA-të, vendin e demokracisë. Guximi, idealet dhe ndihma e tyre solli këtë komb si komb faktorizues në Ballkan, arriti çlirimin e Kosovës, arriti futjen e Shqipërisë në NATO, e nesër besa edhe në BE, arriti avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Por, kombi shqiptar, sot gjendet përballë disa sfidave sa të rrezikshme, po aq edhe sfiduese. Kombi shqiptar, përballë sfidave të jashtme dhe të brendshme duhet të dijë se si të manevrojë me sukses. Përballë sfidave të jashtme ai ka përballë nacionalizmin serb, i cili kërcënon edhe më tutje Ballkanin dhe shtetin e Kosovës, e kësisoj shqiptarët në përgjithësi. Diplomacia serbe e përkushtuar me çdo kusht në lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, përmes përkrahjes së strukturave paralele serbe në Kosovë, përmes margjinalizimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përmes oscilacioneve të ndryshme është sfidë për kombin shqiptar. Përballë këtij kombi gjendet e ashtuquajtura çështja çame e cila rri pezull, dhe nuk faktorizohet, edhe pse shteti i cili pretendon të jetë demokratike Greqia, mban pa të drejtë popullsinë çame në mëshirën e fatit, pa mos i njohur të drejtat elementare. Kombi shqiptar përballë ka edhe sfidën e shtetit me këmbë të qeltëta Maqedonin e Veriut, ku shqiptarët atje duhet medoemos të kërkojnë me ngulm të drejtat e tyre natyrore, përndryshe duhet të kërkohen alternativa të tjera si federalizimi apo ndonjë formë tjetër e rregullimit kushtetues. Ky komb përballë ka edhe sfidat eurointegruese dhe euroatlantike, shkëputjen nga e kaluara komuniste si dhe hyrjen në familjen e kombeve të lira.

  Kombi shqiptar përballë tij si sfidë të brendshme ka unifikiminndërshqiptar, në aspekt politik, ekonomik, gjuhësor, arsimor. Duhet të synojë unifikimin e strategjive dhe qëllimeve të përbashkëta, vijimin e një politike kohezive. Kombi shqiptar përballë ka konceptin monstër të disa pseudoanalistëve si “kombi apo gjuhë kosovare”. Kombi shqiptar duhet të luftoj këtë sajesë të rrezikshme dhe armiqësore, sepse ajo sjell përçarjen dhe ndarjen e mëtutjeshme ndërshqiptare. Kombi shqiptar përballë ka heqjen e barrierave ndërshqiptare në çfarë qoft fushë qofshin ata, forcimin e ekonomisë, krijimin e mundësive për një lëvizshmëri dhe fleksibilitet më të madh ndërshqiptar, dhe këmbimet e ndryshme akademike, studentore ndërshqiptare.Kombi shqiptar përballë ka edhe një sfidë tjetër , iniciativat të disa grupacione fetare të ndihmuara nga qarqet e ndryshme sllave, greke, serbe. Tendenca e disa individëve, të cilët dalin dhe deklarojnë publikisht: “Shqiptarëve nuk i duhet Evropa dhe Amerika” sa janë djallëzore, po aq janë edhe armiqësore. Shqiptarëve i duhet Evropa dhe Amerika më shumë se kurrë sot. Përndryshe ekzistimi ynë si shqiptar është në pikëpyetje. Dilema se a duhet të synojmë Perendimin apo Lindjen e shtruar si dikotomi, nuk është e nevojshme, sepse dihet se shqiptarët janë Evropa dhe Perëndimi vet. Ata kanë kontribuar në konfiguracionin e këtij kontinenti të vjetër e të lashtë deri atëherë kur u pushtua ky kontinent nga fiset e egra prej Karpateve, si dhe nga pushtuesit osman.

  Kombi shqiptar duhet të luftoj me çdo kusht inicuesit e një sllavizimi të figurave tona historike kombëtare. Kombi shqiptar duhet të promovojë shumëllojshmërinë ndërfetare, duke mos cenuar aspak të drejtat fetare ndërshqiptare ose të drejtat fetare të kombeve tjera. Shqiptarët sot edhe pse me shumicë myslimane, nuk duhet të shikojnë me sy armiqësore shqiptarin katolik ose ortodoks. Kombi shqiptar duhet të mos gjendet përballë dilemës po ashtu të disa heretikëve dhe qarqeve ortodokse proserbe dhe progreke, që u pengojnë xhamitë e larta, e nuk ju pengojnë kryqet gjigante përballë shumicës myslimane, që ju pengojnë marrëdhëniet e mira me Turqinë, përderisa ky shtet është duke ndihmuar aktivisht shtetin e Kosovës si dhe të Shqipërisë. Pra, kombi shqiptar duhet t’i japë përparësi prezencës së shumëkonfesionalitetit, të respektojë kultet e besimit, të ndërtojë xhami, por në anën tjetër nuk duhet të rrënoj kisha, ose duke ndërtuar kisha të rrënojë xhami, sepse në kompozicionin e tij ka edhe pjestarë mysliman edhe të krishterë. Kombi shqiptar duke i dhënë përparësi ndjenjës së pastër kombëtare, kohezionit ndërshqiptar, respektimit të dallimit fetar, librave të shenjtë fetarë dhe të tempujve të shenjtë fetarë, mbrojtjen e këtij dallimi, mbrojtjes së pastërtisë gjuhësore dhe etnike, ngritjes dhe mbrojtjes së personaliteteve të famshme historike shqiptare, pa marrë parasysh besimin e tyre fetar, do të jetë detyrimisht i sukseshëm dhe me ndikim në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Tjetër alternativë nuk ka. Nëse ka, urdhëroni e potenconi.