Në Shqipëri, selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë gjatë ditës së sotme nga mbështetës së ish kryeministrit Sali Berisha, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.
Fillimisht dera kryesore e selisë u hap me forcë, përpara orës 12.00 e cila është ora në të cilën ishte thirrur protesta. Xhamat e saj janë thyer por protestuesit janë ndalur në pjesën e hollit, ku mesa duket janë gjendur përpara dyerve të tjera të përforcuara me veshje hekuri.
Më pas Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka marër një “kërkesë nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit”. Policia bëri të ditur se “është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës. Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”.
Policia ndërhyri në një kohë të shkurtër duke përdorur gazin lotsjellës. Mbështetësit e zotit Berisha u shpërndanë. Njësitë e policisë duket se kanë marrë kontrollin e godinës së PD-së duke u rreshtuar e shumtë në numër në hyrje të saj.
Berisha: Ndërhyrja e policisë, skenar i përgatitur
Berisha tha se kjo protestë është vetëm “faqja e parë e ndritur e qëndresës së burrave, grave dhe vajzave për liri dhe dinjitet njerëzor, por edhe shoqëror. Shoqëria shqiptare meriton votën e lirë”.
“Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri dhe nuk ka asnjë problem me asnjë deputet të PD-së përveç me pengun e (e kryeministrit të Shqipërisë) Edi Ramës që quhet Lulzim Basha”, tha Berisha teksa komentoi ndërhyrjen e policisë.
“Kjo është një lëvizje e pandalshme dhe një betejë e pasosur”, shtoi Berisha.
Ndërkombëtarët dënojnë dhunën para selisë së PD-së
Mbi gjendjen e krijuar ka reaguar ambasadorja amerikane Yuri Kim. Në një postim në Twitter ajo shkroi se: “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë qetësisht. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”.
Dhunën para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, e ka dënuar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
“Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD-së. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”, thuhet në reagim.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar dhunën pranë selisë së Partisë Demokratike Shqiptare duke bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.
“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm”, thuhet mes tjerash në reagimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
“Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, thuhet më tej në reagim.
Protesta e sotme shënon kulmin e një lëvizje që Berisha ndërmori ndaj kryetarit Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara që e shpallën non grata ish-kryeministrin.
Më 18 dhjetor 2021, Berisha inicioi një referendum, përmes së cilit u tha se Basha “u shkarkua” nga kreu i PD-së.
Ndryshe, Sali Berisha dhe anëtarë të familjes së tij u shpallën persona “non grata” nga Shtetet e Bashkuara në maj të vitit 2021.
SHBA-ja tha se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të gjerë dhe ia ka ndaluar hyrjen në shtet.
Berisha, 77 vjeç, ka qenë kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013 dhe ka shërbyer si president në periudhën 1992-1997.
Muajin e kaluar, Zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar tha se do të ishte “pasoja” nëse Partia Demokratike do të zgjidhte për lider një person që është cilësuar si “persona non grata” nga Uashingtoni.