Partitë shqiptare duhen njëherë e përgjithmonë ta ndajnë “shapin nga sheqerri”, të mos bëhemi gazi i botës

Shkruan: Sami Flamuri

“Quo vadis” politik! Bërja e partive nacionale në Mal të Zi është pothuajse në mendjen e çdo qytetari, sidomos SOT kur edhe po shpërbëhet qeverisja e Krivokapiqit.
Nënkryetarja e Lidhjes Qytetare CIVIS, profesoresha Mara Shqepanoviq, vitin e kaluar në programin e mëngjesit të RTMZ-së pohoi se “Mali i Zi është gabim statistik në hartën e botës”.

Kjo e vërtetë që, sado e hidhur në shikim të parë, shqiptarëve në Mal të Zi u kushtoi shumë, madje do thoja edhe arsyeja kryesore që nga ana demografike jemi në shthurje konstante, saqë edhe censusi i popullsisë që pritet të zhvillohet në vitin 2022 do ta japë këtë pasqyrë bardhë e zi!


Dr. Dritan Xhevdet Abazoviq krijoi një paradigmë të re në skenën politike, si shqiptar i Ulqinit, por me bindje qytetare, në një shoqëri aq të polarizuar, saqë stigma e të qenit “shqiptar” e mënjanon në tërësi idenë se mundemi të gjithë me një sofër politike, po të hamë me një lugë.


Vështirësia e “shqiptarit të ndershëm” ishte stigma e viteve Millosheviqiane, ku i vetmi shqiptar i mirë ishte ai që nuk flet, ai që pranon çdo padrejtësi, ai që bëhet pjesë e qeverisë pa kushte. Vetëm Ai shqiptar pranohet nga shumica e malazezëve, serbëve, një “boshnjakëzim” i servilizmit, por jo me dinakërinë e këtyre të fundit!


Ulqini, si vendi i “vakive”, ndodhive të pashpjegushme, si epiqendra e shqiptarëve në Malin e Zi, çuditërisht hesht, qëkur PDS-ja e Millo Gjukanoviqit i humbi zgjedhjet e vitit 2020. Heshtin të gjithë, heshtja e cila ka emër dhe mbiemër, mu nga ata të përzgjedhur politikë të cilët duhen të jenë avangarda e ndryshimeve…
Hesht mu për këtë edhe “Kali i Trojës”, që në zgjedhjet e ardhshme lokale në Komunën e Ulqinit, do të jetë Partia Demokratike e deputetit Fatmir Gjeka, që si duket me politikën e përjetshme ”kingji butë pin n’dy nana”, e cila pin ujë në trevën e Anës së Malit, do ia rrëmbejë votat që deri dje i kishte PDS-ja.

Kryetari i posazgjedhur i Forcës, deputeti Genci Nimanbegu, e cilëson presidentin aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, si një lider të dalluar historik për ne shqiptarët në Mal të Zi. Ndoshta nga ai këndvështrim i shkatërrimit të “Rivierës së Ulqinit”, “Kripores”, shembjes së “Galebit”, “Grand Hotel Lido”, ai edhe është historik, por për shumicën e elektoratit shqiptar Millo Gjukanoviq është “gogoli” për të cilin historia do të thotë fjalën e fundit.


Për ish-ministrin e pakicave në Mal të Zi, Mehmet Zenka, momenti më mbresëlënës ka të bëjë me paraqitjen e tij në Cetinë, ku turmës së mbledhur më 12 shtator 2021, në një fjalim entuziast i jepte porosinë e tij:
“Mos mendoni as në ëndrrat tuaja më të zeza se shqiptarët nuk janë me ju! Shqiptarët edhe një herë buçasin një PO të madhe për shtëpinë tonë. Shumë pyesin: a jemi të gatshëm ta japim jetën për shtëpinë tonë?”.
A jemi?
“Jemi! Jemi”! Turma brohoriste me një duartrokitje të madhe.


Partitë nacionale në Mal të Zi duhen njëherë e përgjithmonë ta ndajnë “shapin nga sheqerri”, të mos bëhemi gazi i botës, ta kemi synimin e qartë përtej mërive personale, se vetëm shqiptari i tillë arrin “të mbijetojë” në trevat e veta shekullore.