Me iniciativën e vendasve të fshatit Muzheçk, ky fshat do të ketë një rrugë të mirëfilltë, duke e zgjeruar dhe asfaltuar rrugën ekzistuese.
Njëri ndër iniciatorët e këtij projekti tha se në bashkëpunim me Komunën e Tuzit, ata si vendas të cilët kanë shtëpi dhe tokë në Muzheçk, bashkë me vëllezërit të cilët jetojnë jashtë vendlindjes, vendosën që të japin kontributin e tyre dhe këtë rrugë të ngushtë, të paasfaltuar në tërësi dhe e pakalueshme për mjete të rënda, ta kthejnë në një rrugë normale, e cila do i përmbushë nevojat e tyre dhe të gjithë kalimtarëve.
“Ne si vendas bashkë me vëllezërit tanë vendosëm që rrugën ta zgjerojmë me vetëfinancim, ku gjerësia e rrugës do të shkojë 4 metra. Kurse asfaltimin e asaj pjese të pakryer do ta realizojë komuna e Tuzit, premtuar nga kryetari Nik Gjeloshaj dhe kreu i komunës, të cilët i falënderojmë përzemërsisht! Ky është një shembull dhe bashkëpunim për tu admiruar. Pasi që projekte dhe punime janë bërë dhe janë në plan për tu bërë, vendosem që mos të shtrihemi më gjerë për mbledhjen e fondeve, por kjo nuk do të thotë se bëjmë dallime apo kushtëzime”, tha Pashko Gjokaj.
“Gjithsesi kush ka vullnet dhe dëshirë mund të kontribojë dhe u jemi mirënjohës e i falenderojmë nga zemra. Pra, në takimin e sotëm vëllazëror ramë dakord unanimikisht që zgjerimin e rrugës t’ia besojmë vendasit tonë Fran Zef (Zelit) Gjokaj, mbasi që ishte edhe më i liri nga katër kompanitë konkuruese me vlerë prej 20 000€. Në takimin e sotëm u fol se nëse sasia e fondeve të mbledhura kalon shifrën e nevojshme, atëherë do mblidhemi prap dhe do vazhdojmë me projekte të tjera. Nga ky takim, për mbledhje fondesh dhe për mbikëqyrjen e punimeve u zgjodh një këshill prej 3 anëtarëve: Pashko Gjokaj +382 67649896 Mark Gjolaj +382 67248510 dhe Nikoll Nikollaj +382 69783135 Për hir të transparencës dhe korrektësisë ne do ju njoftojmë herë pas here përmes rrjeteve tona sociale. Edhe një herë, kushdo që dëshiron të na ndihmojë është më se i mirë se ardhur, kurse ne iu jemi mirënjohës dhe u falenderojmë nga zemra”, përfundon Gjokaj. /MALESIA.ORG/